UN Women: Më shumë fokus për fuqizimin ekonomik të grave

Oct 15, 2019 | 15:34
SHPËRNDAJE

Më shumë se 50 për qind e grave që sot janë në tregun e punës, punojnë në bujqësi. Sipas organizatës Un Women, pjesa më e madhe prej tyre nuk njihen zyrtarisht dhe nuk mund të përfitojnë nga skemat e mbrojtjes sociale dhe të pensioneve.

“Shumica dërrmuese nuk janë pronare të tokës dhe nuk kanë qasje në kredi për t’u bërë të pavarura ekonomikisht.

Michele Ribotta
Michele Ribotta, përfaqësues i UN Women në Shqipëri

Për shkak të kësaj, ato janë më të prirura të jenë të varfra dhe të përjashtohen”, vë në dukje Michele Ribotta, përfaqësues i UN Women në Shqipëri. Në ditën Ndërkombëtare të Grave Rurale, organizata Un Women ka bërë apel për më shumë fokus dhe të ardhura për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave.

Investimi në fuqizimin e grave rurale, sipas kësaj organizate, nuk është vetëm një domosdoshmëri, por edhe një mundësi e madhe për Shqipërinë. “Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale është një mundësi për të vlerësuar këto gra dhe për të reflektuar për mënyrat se si t’i fuqizojmë, t’i përmbushim të drejtat e tyre dhe të shfrytëzojmë kontributet e tyre për të arritur mirëqenie.

Gratë janë në qendër të ekonomisë rurale dhe pjesëmarrja e tyre aktive në politika dhe programe është e domosdoshme për të arritur objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Tema e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare është ‘Gratë dhe vajzat rurale ndërtojnë rezistencë ndaj klimës’. Nuk është befasi, pasi ato shpesh janë në ballë të betejës kur burimet natyrore dhe prodhimi kërcënohen nga pasojat e ndryshimit të klimës.

Nevojitet më shumë fokus dhe të ardhura për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave, përfshirë ndihmën ndaj njësive të qeverisjes vendore për të promovuar aksesin dhe kontrollin e tyre mbi shërbimet, njohuritë, asetet dhe burimet”, vihet në dukje nga përfaqësuesit e UN Women në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura