UET nderon Thaçin me titullin “Honoris Causan”: Kosova e lirë dhe e pavarur, projekti ynë i përbashkët

Feb 15, 2018 | 22:53
SHPËRNDAJE

Në 10–vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, UET i akordon “Honoris Causan” e 11-të presidentit Hashim Thaçi. Në një ceremoni solemne organizuar në mjediset e Universitetit Europian i Tiranës, senati akademik i këtij universiteti i dorëzoi titullin presidentit të Republikës së Kosovës, i cili u shpreh se ishte i emocionuar dhe i nderuar që i akordohet ky titull në vigjilje të 10-vjetorit të Pavarësisë.

Thaçi u shpreh se Kosova e lirë dhe e pavarur ishte projekti i përbashkët i shqiptarëve.

Image-4

Kontributi i madh në luftë për Pavarësinë e Kosovës, përpjekjet për ndërtimin e shtetit, fryma e demokracisë edhe ndaj kundërshtarëve politikë, rrëzimi i barrierave mes shqiptarëve dhe roli i madh në dialog dhe në integrimin e Kosovës ishin disa nga motivet për të cilat Universiteti Europian i Tiranës nderoi dje me titullin “Doctor Honoris Causa” presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky titull është edhe i pari në dhjetëvjeçarin e dytë të Universitetit Europian të Tiranës, që përkon edhe me kremtimin e dhjetëvjeçarit të parë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

Për dhënien e titullit “Honoris Causa”, Senati Akademik i Universitetit Europian të Tiranës mori dy rekomandime më herët, gjatë këtij muaji nga rektorit i UET, prof. dr. Tonin Gjuraj, i cili në rekomandimin e tij e çmoi si një prej drejtuesve kryesorë politikë të luftës për pavarësi dhe më pas, në një prej drejtuesve të spikatur të qeverisë dhe shtetit të Kosovës. Ndërsa dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, prof. dr. Ferit Duka në rekomandimin e tij vlerësoi rolin e spikatur të Thaçit gjatë luftës për lirinë e Kosovës. Vendimi i Senatit Akademik për ta nderuar Presidentin Thaçi me titullin “Honoris Causa” ka marrë edhe pëlqimin e ministres së Arsimit Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, ndërsa motivacioni u lexua nga presidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici, i cili i dorëzoi titullin z. Thaçi.

“Një titull Honoris Causa përbën një nga evenimentet më të rëndësishme të një universiteti dhe jemi krenarë që i japim këtë titull të nderuar presidentit Thaçi, titull që përkon edhe me 10-vjetorin e republikës së Kosovës, një nga evenimentet më të rëndësishme, jo vetëm në Kosovë, por edhe Shqipëri e më gjerë”, u shpreh presidenti Civici.

Në një ceremoni solemne organizuar në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, senati akademik i këtij universiteti i dorëzoi titullin Presidentit të Republikës së Kosovës, i cili u shpreh se ishte i emocionuar dhe i nderuar që i akordohet ky titull në vigjilje të Pavarësisë së Kosovës.

“U jam shumë mirënjohës për nderin dhe respektin. Juve si Universiteti Europian i Tiranës, shtetit shqiptar dhe të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, dua t’ju uroj për 10-vjetorin e Pavarësisë me vlerësimin dhe respektin më të lartë për kontributin e shtetit shqiptar dhe të gjithë shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kosova ka qenë projekt i përbashkët për të qenë shtet i lirë, i pavarur dhe sovran dhe bashkërisht ia arritëm”, u shpreh Thaçi, ndërsa vlerësoi arritjet akademike e shkencore të Universitetit Europian të Tiranës, duke rritur kështu standardet shqiptare për t’iu afruar atyre europiane e botërore.

“Pasnesër Kosova feston 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Sot në Kosovë kemi prezencë të diplomatëve të fuqishëm ndërkombëtarë për të promovuar këtë 10-vjetor, për t’i dhënë mbështetje të fuqishme shtetit të Kosovës, për t’u ndjerë mirë për këtë fuqizim të brendshëm dhe për të treguar botërisht se Kosova si vend sovran është histori suksesi”, vijoi Thaçi duke shtuar se kombi shqiptar historikisht ka qenë i orientuar politikisht dhe kulturalisht nga Perëndimi. “Ky orientim bëri që në fund të shekullit XX, Ushtria Çlirimtare e Kosovës të merrte mbështetjen nga bota perëndimore, nga SHBA, nga BE dhe nga aleanca më e fuqishme e botës, NATO”.

Ai, gjithashtu, tha se pas aktit madhor që kurorëzoi ëndrrën shekullore për pavarësi, qëndron një histori e pasur, sa tragjike aq edhe heroike.

“Sot shqiptarët kanë shënuar arritje historike, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, Shqipëria është anëtare e NATO-s, shqiptarët në Maqedoni po avancojnë dhe kultivojnë të drejtat kombëtare gjithnjë e më shumë. Shqiptarët në Mal të Zi janë faktor konstruktiv në forcimin e një shteti fqinj, mik i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë, shqiptarët në Preshevë do të avancojnë më tepër të drejtat e tyre kombëtare. Asnjëherë më parë shqiptarët nuk kanë patur pozicion më të mirë politik. Jemi krenar që si popull, pavarësisht kufijve, jemi bërë faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Për një popull që ka vuajtur gjatë për liri dhe pavarësi, paqja, pajtimi, solidarizimi dhe bashkëjetesa me të tjerët janë vlera që rrezatojnë humanizëm dhe civilizim te ne”, shtoi Thaçi, ndërsa përmendi disa rezultate dhe arritje të shtetit të ri, të pranuar siç theksoi ai, nga 115 shtete, mes tyre edhe shtete të rëndësishme në Europë dhe botë.

Në fund të fjalës së tij, Thaçi falënderoi popullin shqiptar që strehuan më shumë se 500 mijë shqiptarë të Kosovës gjatë krizës së viteve ’98-99. “Ju i hapët dyert ngrohtë, u shtruat sofrën. I pritët si vëllezër nga Kosova e robëruar e gjenocidit dhe i përcollët në Kosovën e lirë, si projekti ynë i përbashkët”.

Gjatë historisë së tij, Universiteti Europian i Tiranës ka nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” një sërë personalitetesh që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të shoqërisë, si: ish-presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli, ish-kryeministri Fatos Nano, shkrimtari Dritëro Agolli, Ekonomisti dhe nobelisti Muhamed Yunnus, Lord Anthony Giddens, avokati i famshëm ndërkombëtar, Karim Kam, Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, ish-trajnerin e Kombëtares së Futbollit Gianni de Biasi, filozofin britanik Roger Scruton dhe ish-kryeadministratorin e OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner.

Motivacioni për titullin Honoris Causa

Për kurajën e madhe, maturinë dhe shembullin e madh të atdhedashurisë së shfaqur në momente kur këto ishin më të nevojshme se kurrë dhe më të vështira se kurrë për Kosovën;

Për kontributin e madh në liri dhe paqe, në përpjekjet e pandalshme për të ndërtuar një vend të lirë e demokratik, një vend ku dinjiteti i njeriut është i shenjtë dhe ku pakicat, qofshin ato serbe, boshnjake apo turke, mbrohen me tërë forcën e të drejtës dhe ligjit dhe trajtohen si të barabarta;

Për përpjekjet e jashtëzakonshme për të siguruar pavarësinë e Kosovës, por veçanërisht për kontributin si Kryeministër dhe President i Kosovës, si një promovues i fuqishëm i rrëzimit të barrierave mes Prishtinës dhe Tiranës, duke nxitur një intensitet shkëmbimesh të paimagjinueshme të disa viteve më parë, duke lehtësuar bashkëpunimet dhe shkëmbimet akademike dhe shkencore, njohjen reciproke të diplomave, për të hapur kështu rrugën për një treg të përbashkët edukimi midis Shqipërisë dhe Kosovës;

Image-2

Për kthjelltësinë dhe kurajën në përballje me vështirësitë e shtetndërtimit, për frymën e lartë të respektimit të kundërshtarëve politikë dhe demokracisë, për zhbërjen e barrierave mes shqiptarëve, si dhe për procesin e dialogut dhe të integrimit të Kosovës në botën demokratike,

UET i jep presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, titullin “Doctor Honoris Causa”.

Rekomandimi i plotë i rektorit të UET, prof. dr. Tonin Gjuraj

Tonin Gjuraj: Thaçi ishte njëri nga ata që ishin në luftë për të bërë paqen

Kosova ka qenë për vite e vite me radhë një prej brengave dhe dhimbjeve tona më të mëdha, dhimbje dhe brenga të cilat, edhe 19 vite pas çlirimit të saj, ruajnë shenjën e tyre të pashlyeshme në memorien tonë. Kjo memorie, për pjesën tonë, Kosovën, është e mbushur me kujën e nënave për të vrarët, është e mbushur me lotët e bashkëshorteve apo motrave për burrat dhe vëllezërit e tyre, është e mbushur me piskamat e çetnikëve dhe ulërimat e viktimave. Kjo memorie e jona është e mbushur me tregimet dhe imazhet e Sylo Vokshit, Ahmet Prizrenit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Hoxhë Kadrisë, Shaban Polluzhës, Adem Jasharit etj., njerëz të cilët në momentet më të vështira, nuk patën asnjë drojë të shkojnë në luftë për atë vend. Memoria jonë është e mbushur dhe me krijimtarinë e thellë të intelektualëve, si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Bajram Kelmendi etj., zemra e të cilëve rrahu fuqimisht për atë vend të robëruar. Memoria jonë është e mbushur edhe me përkushtimin e thellë të politikanëve, të cilët në çastin e errët të uzurpimit të ish-Jugosllavisë nga Millosheviçi dhe të shndërrimit të shqiptarëve dhe Kosovës në një geto, patën kurajë të dalin në krye të atij populli dhe të flasin për lirinë, të luftojnë për të, të bëhen bartës të asaj aspirate shekullore, që kish jetuar duke u dridhur në zemrat e të gjithëve: Pavarësia. Në këtë grup politikanësh dhe patriotësh, si: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Jakup Krasniqi, Nexhat Daci, Bujar Bukoshi, Mahmut Bakalli, Mark Krasniqi, Ekrem Kryeziu etj., në vitin 1999 do të shfaqej edhe një djalë i ri, që quhej Hashim Thaçi. Për herë të parë, ne shqiptarët dëgjuam për të në ditën kur në Rambuje, në vitin 1999, do të zhvillohej konferenca e shumëpritur për paqen në Kosovë. Pikërisht aty nis një rrugëtim i ri, aty nis një epokë e re. Për herë të parë, pas një shekulli, po mbahej një konferencë për Kosovën. Ky rrugëtim i ri do të bëhej nën shenjën e SHBA-ve dhe BE-së, por sidomos të Rugovës, Thaçit, Aganit, Krasniqit dhe sakrificës së popullit të Kosovës.

Universiteti Europian i Tiranës, i cili ka patur gjithnjë një lidhje të patregueshme dhe shumë të fortë me Kosovën, i jep sot titullin “Doctor Honoris Causa” Z. Hashim Thaçi, njeriut që do të shndërrohej, që nga ajo konferencë, në një prej drejtuesve kryesorë politikë të luftës për pavarësi dhe, më pas, në një prej drejtuesve të spikatur të qeverisë dhe shtetit të Kosovës.

Thaçi ishte njëri nga ata që ishin në luftë për të bërë paqen, që ishin në luftë për të ndalur një fatkeqësi të përbindshme, që ishin në luftë për ta parë Kosovën të lirë. Me të ishte populli i Kosovës dhe i Shqipërisë. Me të ishte gjithë dhimbja e mbledhur lëmsh në grykë për gati një shekull.

Universiteti Europian i Tiranës i jep këtë titull për kurajën e madhe, maturinë dhe shembullin e madh të atdhedashurisë që ai shfaqi në momente kur këto ishin më të nevojshme se kurrë dhe më të vështira se kurrë. Universiteti Europian i Tiranës i jep Hashim Thaçit këtë titull edhe për kontributin e madh në liri dhe paqe, në përpjekjet e pandalshme për të ndërtuar një vend të lirë e demokratik, një vend ku dinjiteti i njeriut është i shenjtë dhe ku pakicat, qofshin ato serbe, boshnjake apo turke, mbrohen me tërë forcën e të drejtës dhe ligjit dhe trajtohen si të barabarta.

Hashim Thaçi diti të jetë politikan pas luftës, diti të rrijë në opozitë, diti të nderojë kundërshtarët. Hashim Thaçi u bë kryeministër, ishte në krye të përpjekjeve për të shpallur vendin të pavarur. Beteja për pavarësinë në paqe mund të jetë edhe më e vështirë se sa ajo në luftë. Gjatë kohës që ai ishte kryeministër dhe tani që është president i Kosovës, ai ka qenë një promovues i fuqishëm i rrëzimit të barrierave mes Prishtinës dhe Tiranës. Sot, të dyja vendet tona jetojnë një intensitet shkëmbimesh të paimagjinueshme disa vite më parë. Me ndërhyrjen e tij vendimtare, ai nxiti dhe lehtësoi bashkëpunimet dhe shkëmbimet akademike e shkencore, njohjen reciproke të diplomave, duke hapur kështu rrugën për një treg të përbashkët edukimi midis Shqipërisë dhe Kosovës. Thaçi ka promovuar me forcë dialogun me Beogradin, duke e parë atë, si mjetin e vetëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe çuar përpara integrimin për në BE.

Për të gjitha këto, për kontributin e madh në luftë, për kthjelltësinë dhe kurajën në përballje me vështirësitë e shtetndërtimit, për frymën e lartë të respektimit të kundërshtarëve politikë dhe të demokracisë, për përpjekjet e pandalshme për të ndërtuar një Kosovë të pavarur, për zhbërjen e barrierave mes shqiptarëve, për procesin e dialogut dhe atë të integrimit të Kosovës në botën demokratike, UET i jep presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, titullin “Doctor Honoris Causa”.

Rekomandimi i plotë i dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale, prof. dr. Ferit Duka

Portreti i një shtetari si Hashim Thaçi

Zoti Hashim Thaçi është një nga personalitetet politike më të spikatura të Kosovës dhe të mbarë botës shqiptare, njeriu i cili që në rini jetën dhe fatet e veta i lidhi ngushtësisht me fatet e popullit të Kosovës. Kontributi i z. Thaçi në dobi të kësaj kauze të madhe dhe fisnike është shumëplanësh. Pikërisht atëherë kur Kosova u përball me një nga shfaqjet më brutale të shtypjes e dhunimit të të drejtave dhe lirive politike e civile, kur pushteti gjakatar i Millosheviçit bllokoi dhe eliminoi në mënyrë arbitrare institucionet e vetëqeverisjes dhe filloi fushatën e spastrimit etnik dhe të gjenocidit kundër bashkatdhetarëve tanë të atjeshëm, ishte z. Thaçi bashkë me veprimtarë të tjerë të spikatur nga Kosova, të cilët me përkushtim, vetëmohim e guxim të admirueshëm, të inspiruar fort edhe nga tradita, qëndresa dhe luftërat shekullore të të parëve të tyre për dinjitet e mbijetesë, përgatitën terrenin politik dhe ushtarak për organizimin e luftës për Kosovën e lirë dhe demokratike.

Në funksion të këtij misioni të lartë u krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në të cilën roli dhe kontributi i zotit Hashim Thaçi kanë qenë të një rëndësie të veçantë. Ai ka qenë jo vetëm një ndër themeluesit kryesorë, por edhe udhëheqësi politik i kësaj strukture të madhe e të mirorganizuar të luftës për çlirimin e Kosovës. Nën udhëheqjen politike të z. Thaçi, UÇK-ja shënoi suksese të njëpasnjëshme në luftën heroike kundër ushtrisë pushtuese serbe, duke i shkaktuar kësaj të fundit humbje serioze në njerëz e armatime dhe duke lartësuar kështu përditë dinjitetin dhe prestigjin e saj jo vetëm në sytë e shqiptarëve të Kosovës, për të cilët u kthye në simbol të shpresës dhe të lirisë, por edhe të mbarë botës së qytetëruar që ishte në anën e kauzës së tyre.

Roli dhe kontributi i zotit Thaçi ka spikatur jo vetëm gjatë luftës për lirinë e Kosovës, por edhe në betejat po aq të vështira për ndërtimin e Kosovës së re paqësore e demokratike, për ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve të shtetit të ri të Kosovës. Përpjekjet e bëra në këtë drejtim me ndihmën dhe bashkëpunimin e ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtarë, çuan në ngjarjen e madhe të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, datë e cila së bashku me 12 qershorin e vitit 1999, dita e çlirimit të Kosovës, janë dy piketa shumë të rëndësishme të historisë kombëtare të shqiptarëve.

Në të gjitha këto zhvillime si dhe në tërë procesin e vështirë të konsolidimit e të modernizimit të shtetit të pavarur të Kosovës në fushat politike, ekonomike e kulturore, të fuqizimit të pozitës

ndërkombëtare të tij, zoti Hashim Thaçi ka një vend qendror. Si bartës i përgjegjësive të larta politike e shtetërore, duke qenë herë në pozicionin e kryeministrit, herë në atë të ministrit të Punëve të Jashtme e, tani së fundi, në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës, ai ka manifestuar mençuri, urtësi e largpamësi prej shtetari të vërtetë.

Mendoj se në personalitetin e zotit Thaçi janë bashkuar e harmonizuar si duhet luftëtari i lirisë me njeriun e paqes, udhëheqësi i luftës me drejtuesin shtetëror. Për këtë mjafton të vëmë në dukje se zoti Hashim Thaçi ka përfaqësuar me dinjitet Kosovën si kryenegociator i saj në tryeza bisedimesh të vështira e marrëveshje të rëndësishme për vendin e tij, duke filluar nga Rambujeja në shkurt të vitit 1999 e deri në bisedimet e sotme me Serbinë. Si politikan dhe shtetar i përgjegjshëm, ai nuk ka munguar të jetë i vendosur e i prerë në mbrojtje të interesave të popullit të tij, por edhe të pranojë kompromise qofshin këto edhe të vështira, mjaft që këto të bëheshin po në emër të interesave të larta të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Më lejoni të theksoj gjithashtu se në se sot Republika e Kosovës është kthyer në një faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan, në se ajo po përparon në mënyrë domethënëse në kryerjen e reformave europianizuese, e nëse shteti më i ri i Europës po përfshihet gjithnjë e më shumë në rrjedhat integruese dhe po afirmohet gjithnjë e më shumë në skenën ndërkombëtare, një meritë të veçantë këtu ka Presidenti Hashim Thaçi, i cili tregon angazhim e përkushtim maksimal për të nxitur e përshpejtuar këto zhvillime pozitive si dhe për të eliminuar pengesat që dalin në rrugën e këtyre zhvillimeve.

Gjithçka u parashtrua shkurtimisht më lart, më jep të drejtën për t’i rekomanduar Senatit të Universitetit Europian të Tiranës që t’i akordojë Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi titullin “DOCTOR HONORIS CAUSA”. Jam i bindur se një gjë e tillë do të ishte nder i veçantë për universitetin si dhe shenjë nderimi e respekti për popullin dhe shtetin e Kosovës.

Dea Llagami, e bija e ish-komandantit të UÇK-së, që dha jetën për çështjen kombëtare

Dea Llagami, studentja e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Europian e Tiranës, e përzgjedhur për të prezantuar ceremoninë e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u tha të pranishmëve se kjo ngjarje ishte një emocion i madh për të. Jo vetëm për shkak të solemnitetit dhe domethënies që shoqëron ceremoni të tilla, por edhe për faktin se ishte pjesë e një nderimi të tillë.

“Jam vajza e një ish-komandanti të UÇK-së, një dëshmori të Kosovës, Skerdilajd Llagamit dhe të shohësh sesi kontributi i UÇK-së për pavarësinë Kosovës sot nderohet në të gjithë trevat shqiptare është kënaqësi”, –tha ajo.

Ishte vetëm 5 vjeç, kur i ati humbi jetën duke luftuar në fshatin Begovë afër Tetovës, më 29 qershor të vitit 2001. Dea e vogël do e kuptonte humbjen e të atit, Skerdilajdit, vetëm një vit më vonë, ndërsa rrëfen se edhe pse i ka munguar prania e tij është rritur me idealin që e ndjek çdo ditë, ndërsa i ati është shndërruar në heroin e saj.

“Im atë ka dhënë kontribut të pashlyer. Ka luftuar me UÇK–në dy luftëra në Kosovë dhe një në Maqedoni, ku në këtë të fundit për fat të keq ndërroi jetë. Ka qenë një atdhetar i vërtetë dhe ka dhënë ndër kontributet më të mëdha për çështjen kombëtare, sepse dha jetën e vet për këtë kauzë. Teksa dëgjoja se z. Thaçit iu dha titulli për kontributin personal por edhe si simbol i të gjithë kauzës, u ndjeva pjesë e këtij nderimi, sepse im atë ishte pjesë e kauzës”, rrëfen ajo, ndërsa shton se mësoi qysh në moshë fare të vogël se ka ideale të larta dhe se i ati kish rënë për to. Skerdilajd Llagami, i lindur dhe i rritur në Tiranë, ishte nga ata shembuj që tregoi se çështja e Kosovës u përkiste të gjithë shqiptarëve.

“Im atë ka qenë dikush që ka lënë impakt si në jetën personale dhe në luftën që bëri. Çdo ditë ka pafundësisht njerëz që më afrohen dhe më tregojnë pjesë të tij, të bukura dhe të veçanta dhe fakti që jam bijë e një dëshmori më ndjek çdo ditë dhe jam krenare”.

Sot ajo është studente e vitit të tretë dhe fakti që ka zgjedhur të studiojë Drejtësi duke ecur në gjurmët e të atit, i cili luftoi për padrejtësitë. I thonë se i ngjan shumë, ka tiparet e tij. “Nga fotot e vërej, por edhe mamaja më thotë se jam kopje identike e tim eti, jo vetëm në pamje por edhe në shumë anë të karakterit”, përfundon ajo.

Në marsin e vitit 1999, Skerdilajd Llagami iu bashkua përpjekjeve për çlirimin e Kosovës, ku deri në vitin 2001 luftoi në batalionet e UÇK-së i njohur si Komandant Shpendi. Kur lufta në Kosovë mbaroi, u ndal në Luginën e Preshevës, ku u caktua me detyrën e komandantit të një njësie speciale. Luftoi deri më 29 qershor të vitit 2001, ku edhe humbi jetën në Tetovë.

Pas vrasjes së tij, njësia speciale deri atë kohë e drejtuar prej tij u pagëzua “Shpendi”, në nder të Llagamit, i cili njihej me nofkën që i kishin vënë nga koha kur luftonte në Rrafshin e Dukagjinit, në radhët e UÇK-së. Llagami u varros me nderime nga shokët e Luftës. Trupi i tij prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.

Hashim Thaçi: Kosova e lirë dhe e pavarur ishte projekti ynë i përbashkët

U jam shumë mirënjohës për nderin dhe respektin. Juve si Universiteti Europian i Tiranës,

shtetit shqiptar dhe të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, dua t’ju uroj për 10-vjetorin e Pavarësisë me vlerësimin dhe respektin më të lartë për kontributin e shtetit shqiptar dhe të gjithë shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kosova ka qenë projekt i përbashkët për të qenë shtet i lirë, i pavarur dhe sovran dhe bashkërisht ia arritëm.

Ky titull nderi vjen nga një universitet që po bën emër të mirë gjithnjë e më shumë me arritje akademike e shkencore, duke i ngritur standardet shqiptare, në rang europian e botëror. Në kuadër të transformimeve pozitive të shoqërisë shqiptare që synon të bëhet pjesë e integrimeve euroatlantike edhe fusha e edukimit dhe kërkimit shkencor ballafaqohet me konkurrencën e nivelit global. Me kuptimin e plotë të fjalës e them me faktin se Universiteti Europian i Tiranës në botën akademike shqiptare e më gjerë është bërë model aplikimi i metodave moderne të hulumtimit dhe arritjes së rezultateve shkencore, veçanërisht në shkencat sociale.

Pasnesër Kosova feston 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Sot në Kosovë kemi prezencë të diplomatëve të fuqishëm ndërkombëtarë për të promovuar këtë 10-vjetor, për t’i dhënë mbështetje të fuqishme shtetit të Kosovës, për t’u ndjerë mirë për këtë fuqizim të brendshëm dhe për të treguar botërisht se Kosova si vend sovran është histori suksesi.

Para ardhjes së këtij akti madhor, të pavarësisë së Kosovës që kurorëzoi ëndrrën tonë shekullore qëndron një histori e pasur tragjike e heroike njëherazi.

Është fat i madh që populli shqiptar, qysh nga koha e motit të madh, epoka e Gjergj Kastriotit, orientimin politik e kulturor e pati të qartë nga Perëndimi. Ky orientim bëri që në fund të shekullin XX, Ushtria Çlirimtare e Kosovës të merrte mbështetjen nga bota perëndimore nga ShBA, nga BE dhe nga aleanca më e fuqishme e botës NATO.

Duke pasur parasysh këtë synim, sot shqiptarët kanë shënuar arritje historike, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, Shqipëria është anëtare e NATO-s, shqiptarët në Maqedoni po avancojnë dhe kultivojnë të drejtat kombëtare gjithnjë e më shumë. Shqiptarët në Mal të Zi janë faktor konstruktiv në forcimin e një shteti fqinj, mik i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë, shqiptarët në Preshevë do të avancojnë më tepër të drejtat e tyre kombëtare. Asnjëherë më parë shqiptarët nuk kanë pasur pozicion më të mirë politik. Jemi krenar që si popull, pavarësisht kufijve, jemi bërë faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Për një popull që ka vuajtur gjatë për liri dhe pavarësi, paqja pajtimi, solidarizimi dhe bashkëjetesa me të tjerët janë vlera që rrezatojnë humanizëm dhe civilizim te ne.

Meqë ky titull nderi ndodh në prag të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së shteti të Kosovës më lejoni të përmend disa nga arritjet. Kosovën e kanë pranuar si shtet 115 shtete, mes tyre edhe shtete të rëndësishme në Europë dhe botë.

Image-3

Më 2010-ën Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi të drejtën tonë për të qenë shtet. Më 2012-ën përfunduam periudhën e mbikëqyrjes së pavarësisë me sukses të plotë, konfirmuar nga ShBA dhe nga shtetet e BE-së. Në vitin 2013 nënshkruam marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, duke hapur kështu udhën për integrimin e plotë të vendit, në sistemin politik dhe juridik të Kosovës. Në vitin 2015 nënshkruam marrëveshjen e stabilizim-asocimit në BE. Demokracia në Kosovë ka lëshuar rrënjë të thella dhe tani ne jemi në gjendje t’i mbajmë zgjedhjet e lira vetë. Zgjedhje fair, të lira, demokratike, të standardeve perëndimore dhe mund të themi shembull për rajon; të njohura dhe vlerësuara fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare. Kemi krijuar institucione të qëndrueshme në të gjitha nivelet. Kemi thelluar reforma demokratike edhe në politikë, edhe në ekonomi, edhe në legjislacion. Të gjitha institucionet, qoftë për shërbimin inteligjent, policinë dhe doganën mund të themi se Kosova e ka prej më të mirave në rajon, sepse kemi shfrytëzuar maksimalisht përvojën ndërkombëtare në fillimin e ndërtimit të institucioneve. Forca e sigurisë së Kosovës, institucion i shkëlqyeshëm që do të marrë së shpejti misionin e një ushtrie të mirëfilltë, të re dhe moderne, me standardet e NATO-s, multietnike dhe në shërbim të paqes dhe stabilitetit, edhe në Kosovë, rajon edhe më gjerë. Kemi shënuar në vazhdimësi një zhvillim ekonomik që është më i larti në këtë pjesë të Europës në 10 vitet e fundit, rreth 4% . Kosova merr pjesë në të gjitha garat sportive sot në botë. Ishim në Rio de Zhanerio dhe tani në Seul. Sportistët kosovarë valëvitin me krenari flamurin e shtetit të Kosovës, në të katër anët e rruzullit tokësor. Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë të artë olimpike dy vjet më parë, në Olimpiadën e Rios. Kosova i ka dhënë Europës dhe botës këngëtarë të famshëm, ka bërë filma artistikë të çmuar në të gjithë botën. Lista e arritjeve dhe sukseseve të shtetit të Kosovës është shumë e gjatë. Kjo na bën të gjithëve krenarë. Ndihem i nderuar dhe i emocionuar që sot gjendem në Tiranë. Shteti shqiptar ka luajtur rolin e vet historik për lirinë e Kosovës, për pavarësinë e Kosovës. Dëshiroj të shpreh mirënjohje për çdo shqiptar, çdo familje në Shqipëri që ka strehuar më tepër se gjysmë milioni qytetarë të Kosovës, gjatë krizës ‘98–99. Ata ishin edhe në Korçë, edhe në Sarandë, edhe në Shkodër, edhe në Vlorë, kudo. Ju i hapët dyert ngrohtë, u shtruat sofrën. I pritët si vëllezër nga Kosova e robëruar e gjenocidit dhe i përcollët në Kosovën e lirë, si projekti ynë i përbashkët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura