Udhëzimi, si do testohen mësuesit e mjekët e rinj

Nov 22, 2015 | 12:17
SHPËRNDAJE

Mesin e javës që vjen, starton sezoni i dytë i provimeve të shtetit për mësuesit e mjekët, që duhet të marrin licencën, si kusht për të ushtruar profesionin, për të cilin kanë studiuar.

Rama dhe Nikolla në testimin e mësuesve në dhjetor
Rama dhe Nikolla në testimin e mësuesve

Agjencia Kombëtare e provimeve me anë të një njoftimi zyrtar ka saktësuar periudhën dhe profesionistët që i nënshtrohen provimit. “Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimin e shtetit për profesionet e rregulluara të mësuesit, mjekut, farmacistit, stomatologut, infermierit, mamisë, fizioterapistit, logopedistit, teknikut të imazherisë dhe teknikut të laboratorit ju bëjmë me dije se provimi i shtetit për këto profesione të rregulluara do të zhvillohen brenda periudhës kohore: java e katërt e nëntorit deri në javën e parë të dhjetorit 2015”.

Kështu, të parët që do të futen në provim janë mësuesit, të cilët do të testohen për tri javë rresht për t’ua lënë vendin në dy javët e tjera të muajit dhjetor nëntë profesionistëve të rinj të mjekësisë. Rëndësia e këtij provimi qëndron në faktin që asnjë prej tyre, në rast se nuk e kalon me sukses këtë provim, nuk mund të aplikojë për një vend pune në shtet. MËSUESIT Janë mbi 1 mijë kandidatë të 22 profileve të ndryshme të mësuesisë që do të testohen të parët në provimin që u mundëson ose jo të ushtrojnë profesionin në të ardhmen. Përveç mësuesve të diplomuar këtë vit, në provim për të marrë licencën futen edhe ata që janë diplomuar pas 2011-ës, me kushtin që të kenë punuar një vit e ta kenë të dokumentuar në librezën e punës.

Zyrtarë të AKP-së bëjnë të ditur se të hënën shpallet kalendari me datat e testimit bashkë me orën për secilin profil të mësuesisë, ndërsa të mërkurën, në datë 25 pritet të nisin testimet. Në faqen e agjencisë, aplikantët e regjistruar për provim do të gjejnë programin orientues bashkë me fondin e pyetjeve për secilin profil mësuesie. Po ashtu, edhe një program i përbashkët për të gjitha nënprofesionet duke testuar përgatitjen e tyre pedagogjike në zbatimin e kurrikulës, metodat e mësimdhënies, aftësitë në menaxhimin e klasës dhe vlerësimin e nxënësve.

Me rëndësi do të jetë veçanërisht drejtshkrimi dhe çështjet gramatikore. Gjatë këtyre ditëve, ai mund të zhvillojë prova ushtrimore për të parë nivelin e njohurive. Sezoni i parë për këtë vit i mësuesve njohu rezultate jo të mira për ata që do të mësojnë brezat e rinj. Rreth 34% e mësuesve nuk arritën të merrnin gjysmën e pikëve për t’u quajtur kalues, çka i ka penalizuar edhe në kërkimin e një vendi pune.

RREGULLORJA

Të gjithë profesionistët e rinj që do të futen në provim duhet të paraqiten pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve 30 minuta përpara orarit të caktuar. Paraprakisht, kandidatët duhet të verifikojnë të dhënat e tyre bashkë me orën e provimit në faqen zyrtare të AKP-së. Ndërsa, ditën e provimit ata duhet të kenë me vete disa dokumente: letërnjoftim dhe një kopje të tij, faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit dhe në rast ndryshimi të mbiemrit edhe certifikatën që vërteton këtë ndryshim.

Për herë të parë, për mësuesit kërkohet edhe një dokument shtesë, që nënvizohet në udhëzim: “Për kandidatët në provimin e shtetit mësuesi duhet të paraqesin ditën e provimit kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre”. Rregulla strikte parashikohen për kandidatët gjatë qëndrimit në qendrën ku zhvillohet provimi. Ata s’kualifikohen direkt nëse përdorin celular dhe mjete të tjera komunikimi, flasin me kolegët apo marrin objekte të tjera gjatë zhvillimit të provimit.

Dokumentet në ditën e provimit

  • -Letërnjoftim (kartë ID ose pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal).
  • -Kopje të kartës ID ose pasaportë.
  • -Fatura e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP-së në një bankë të nivelit të dytë/postë në bazë të herës së pjesëmarrjes në provim.
  • -Në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim.
  • -Kandidatët në provimin e shtetit mësuesi duhet të paraqesin ditën e provimit kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura