Udhëzimi final/ Amnistia nga sot, si do falen taksat për makinat

May 9, 2017 | 12:06
SHPËRNDAJE

Qytetarët që kërkojnë të përfitojnë nga amnistia e taksave dhe gjobave të makinave nga 8 maji duhet të plotësojnë pranë drejtorive rajonale të Transportit Rrugor formularin e vetëdeklarimit, të paraqesin certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit dhe targat e makinës.

trafik1

“Panorama” zbardh të plotë udhëzimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor bashkë me shembujt se si do të veprohet për rastet kur pronari i mjetit kërkon të mbajë makinën në qarkullim apo ta çregjistrojë atë, pasi i janë fshirë detyrimet.

UDHËZIMI

Amnistia përfshin dy opsione zbatimi. Parashikon falje të plotë për makinat që nuk kanë paguar taksat para vitit 2010. Për faljen e gjobave, për periudhën 2011 deri në dhjetor 2014, udhëzimi vendos kushtin që të paguhet i plotë detyrimi, duke përfshirë edhe vitin 2015, 2016 dhe ato të vitit 2017.

Pronarët e makinave debitorë, që kërkojnë të çregjistrojnë mjetin, duhet të paraqiten pranë drejtorive rajonale për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit, në rast se mjeti i tyre është shkatërruar apo është shitur për skarp dhe dorëzimin e dokumentacionit. Procedurat do të kryhen pa pagesë dhe brenda 31 dhjetorit 2017 mjeti do të çregjistrohet.

“Subjektet apo personat përgjegjës me dokument identifikimi kanë të drejtë që brenda datës 31 dhjetor 2017, të paraqiten pranë drejtorisë rajonale për të kryer pa pagesë veprimet përkatëse të heqjes së mjetit nga qarkullimi dhe të dorëzojnë: formularin e vetëdeklarimit për shkatërrimin, skrapimin e mjetit sipas modelit të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor; certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit dhe targat e mjetit.

Në rastet kur pronarët e mjetit nuk disponojnë certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit, targën, Drejtoria e Transportit Rrugor bën heqjen nga qarkullimi të mjetit rrugor brenda datës 31 dhjetor 2017 pasi personi përgjegjës të dorëzojë formularin e vetëdeklarimit, sipas modelit të përgatitur nga Drejtoria e Transportit Rrugor për: Shkatërrimin e mjetit, mungesën e certifikatës së pronësisë, mungesën e lejes së qarkullimit, mungesën e targave”, thuhet në udhëzim.

Për ata qytetarë që do të paraqiten në drejtoritë rajonale dhe do të kërkojnë mosregjistrimin e makinës, duhet të paguajnë taksat nga janari 2011 deri në 2017. Dokumenti i vetëm që duhet të dorëzojnë është karta e identitetit.

“Personave apo subjekteve përgjegjëse, me dokument identifikimi, të cilët paraqiten dhe kërkojnë mbajtjen aktiv të mjetit, u fshihen detyrimet tatimore para 2010-s, por ata duhet të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, duke përfshirë edhe detyrimet e vitit 2017, me përjashtim të gjobave për mospagesë të taksave të periudhës 1 janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat fshihen me kushtin e pagesës së plotë të detyrimeve”, përcakton udhëzimi.

udhezimi

FORMULARI

Formulari i vetëdeklarimit do të plotësohet nga ata qytetarë që kërkojnë të çregjistrojnë makinën. Për atë kategori që kërkon ta mbajë makinën në qarkullim, udhëzimi vendos si kusht pagesën e taksave deri në 2017-n. Në këtë rast, pronarit të mjetit i fshihen detyrimet para 2010-s dhe i fshihen vetëm gjobat e kamatëvonesat për periudhën 2011-2014, nëse e paguan të plotë detyrimin nga 2011-ta deri në 2017-n.

Listat me targat e makinave do të publikohen në faqen zyrtare të Drejtorisë së Transportit Rrugor dhe në drejtoritë rajonale. Drejtoria e Transportit Rrugor deri tani ka listuar 140 mijë makina debitore. Afati për të përfituar nga ligji është deri më 31 dhjetor 2017.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura