Turqia refuzon heshtjen për Khashoggi-n në këmbim të Gulen. Mediat në SHBA: Qeveria amerikane po…

Nov 18, 2018 | 9:05
SHPËRNDAJE

Turqia ka paralajmëruar SHBA se nuk do të pranojë të mbulojë vrasjen e bujshme të gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, as në këmbim të ekstradimit nga SHBA të klerikut Fethullah Gulen, të cilin po e kërkon prej shumë kohësh.

erdogan

Një raport në mediat amerikane shkruante se Shtëpia e Bardhë konsideroi ekstradimin e Fethullah Gylen, një klerik me ndikim, të cilin Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grushti shteti të vitit 2016, në këmbim të ndaljes së hetimit të Ankarasë mbi vdekjen e Jamal Khashoggi-t. Por një zyrtar i lartë turk tha për “Reuters”, se një veprim i tillë nuk do të funksiononte. “Nuk kemi ndërmend të ndërhyjmë në hetimin ‘Khashoggi’ në këmbim të ndonjë favori politik ose ligjor”, tha ai në anonimitet. Shtëpia e Bardhë mohoi të ketë shqyrtuar ekstradimin e Gulen, edhe pse Turqia thuhet se e kishte kërkuar disa herë këtë.

Turqia është e zemëruar me Arabinë Saudite që ka kryer vrasjen në Stamboll dhe për javë të tëra ka sfiduar versionin e ngjarjeve të Rijadit dhe ka zbuluar detajet kryesore të hetimit turk. Detajet e hetimeve në Turqi kanë implikuar udhëheqjen e lartë të Arabisë Saudite se ka tentuar të mbulojë vrasjen. Kështu, Turqia ka ushtruar presion mbi SHBA-të, që të ndëshkojnë Mbretërinë Saudite, me të cilën kanë kontrata shumë fitimprurëse. Zyrtarët turq thanë se çdo përpjekje e Shteteve të Bashkuara për të shtypur hetimin ndaj vdekjes së gazetarit Jamal Khashoggi nuk do të funksionojë, një përgjigje ndaj një raporti që tregon se Shtëpia e Bardhë e kishte konsideruar ekstradimin e Gulen me qëllim që të zbuste hetimin.

5bed4bbb69ce1

“NBC News” raportoi dy ditë më parë se Shtëpia e Bardhë ishte në kërkim të mënyrave ligjore për të ekstraduar Fethullah Gulen në Turqi, në këmbim që Turqia të ndalte presionin ndaj qeverisë saudite mbi vrasjen e Khashoggi-t. Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, e mohoi raportin e “NBC News”, duke thënë se “Shtëpia e Bardhë nuk është përfshirë në asnjë diskutim lidhur me ekstradimin e Fethullah Gulen”. Edhe Ankaraja, e cila ka siguruar mediat me lajme nga hetimi turk që implikon udhëheqjen saudite në vdekjen e Khashoggi-t, ka përjashtuar çdo lloj bashkëpunimi me SHBA-të për të hedhur poshtë hetimin e saj. Khashoggi, një gazetar saudit, i cili shkroi artikuj kritikë rreth qeverisë së tij për “The Washington Post”, vdiq në Konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor. Princi i kurorës Mohammed bin Salman, dyshohet të jetë përgjegjës për vdekjen, ndonëse zyrtarët sauditë e kanë shfajësuar atë nga krimi.

CIA beson se Princi i Kurorës është i përfshirë në vrasje

Raportimet në mediat amerikane tregojnë se CIA ka dalë në përfundimin se Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, personalisht e ka urdhëruar vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi, edhe pse qeveria saudite e mohon këtë. Hetuesit besojnë se një operacion i tillë që përfundoi me vrasjen e Khashoggi-t në konsullatën saudite në Stamboll, nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë e Princit Salman, duke marrë parasysh se si e kontrollon ai qeverinë e tij.

Një zëdhënëse e ambasadës saudite në SHBA reagoi mbi raportimet, duke thënë se, “këto pretendime janë false”. I pari që raportoi mbi konkluzionet e CIA-s ishte “Washington Post”, ku punonte edhe Khashoggi. Një zëdhënës i CIA-s nuk ka pranuar të komentojë. Zv.Presidenti amerikan, Mike Pence, tha se SHBA do të bëjë të japin llogari të gjithë ata që janë të përfshirë në vrasjen e gazetarit Khashoggi, por duke ruajtur marrëdhënien e fortë me Arabinë Saudite. Deklaratat e qeverisë saudite mbi ngjarjen kanë qenë kontradiktore.

CIA po shqyrton telefonatat dhe mesazhet e Khashoggi-t si dhe një regjistrim nga brenda konsullatës së siguruar nga Turqia, ku një anëtar i ekipit të ekzekutuesve të Khashoggi-t, Maher Mutreb, i ka telefonuar një ndihmësi të lartë të Bin Salman duke i thënë “Puna u krye”. CIA nuk e ka zbuluar ende se ku ndodhen mbetjet e trupit të Khashoggi-t.

Ngjarjet kryesore në zhdukjen e Khashoggi

2 tetor Në orën 13.14, Khashoggi hyn në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë dokumentet e martesës. E fejuara, Hatice Cengiz, e priste jashtë.

3 tetor “Washington Post”, për të cilën Khashoggi shkruante, ngre alarmin për zhdukjen e tij, pasi nuk kishte dalë nga konsullata. E fejuara qëndronte afër rrethinës së konsullatës në pritje të lajmeve. Zëdhënësi i Presidencës turke thotë se informacionet tregojnë se ky individ është ende në konsullatë. SHBA tha se po heton.

4 tetor Arabia Saudite thotë se Khashoggi u zhduk “pasi u largua nga konsullata”. Ambasadori saudit thirret në Ministrinë e Jashtme turke.

5 tetor Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, thotë për “Bloomberg” se Khashoggi nuk është në konsullatë dhe se “jemi gati të mirëpresim qeverinë turke që të kontrollojë territorin” e konsullatës, i cili i përket Arabisë Saudite.

6 tetor Një burim nga qeveria turke thotë se Khashoggi është vrarë brenda në konsullatë. Riadi i cilëson pretendimet, të pabaza.

7 tetor Turqia kërkon leje për të kontrolluar konsullatën saudite në Stamboll dhe Presidenti Erdogan komenton për herë të parë në pritje të rezultateve të hetimit.

8 tetor Erdogan i kërkon Riadit të provojë pretendimet se Khashoggi ka dalë nga konsullata. Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump thotë se është i shqetësuar për çështjen.

9 tetor Arabia Saudite jep lejen për kontrollin e konsullatës. Mediat lokale raportojnë se ai është rrëmbyer dhe dërguar në Arabinë Saudite.

10 tetor Kamerat CCTV tregojnë një furgon që hyn në konsullatë dhe më pas shkon në shtëpinë e konsullit aty pranë. “The Washington Post” raporton bazuar në përgjimet e Inteligjencës në SHBA, se princi saudit urdhëroi operacionin për të kapur Khashoggi-n. Trump kërkon sqarime nga Arabia Saudite.

15 tetor Policia turke bën një kërkim tetë orësh në konsullatë. Trump thotë se Mbreti Salman e mohon fuqishëm përfshirjen në vrasjen e gazetarit.

16 tetor Zyrtarë turq thonë se regjistrimet zanore tregojnë se Khashoggi është vrarë barbarisht në konsullatë dhe 15 persona të ardhur atë ditë nga Arabia Saudite dhe të kthyer po atë ditë janë autorët. Sekretari amerikan, Mike Pompeo, shkon në Riyadh për bisedime urgjente.

19 tetor Në Arabinë Saudite arrestohen 18 sauditë si të përfshirë në vrasje, mes tyre zyrtarë të strukturave të sigurisë, që u identifikuan nga hetimet në Turqi.

Deri sot, vazhdojnë kërkimet për trupin e Khashoggi, i cili thuhet se: është copëtuar dhe është djegur me acid në një pus në shtëpinë e konsullit; është copëtuar dhe është dërguar me valixhe në Arabinë Saudite me avionë privatë; apo është hedhur në zona malore në Turqi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura