Tregtia, Denaj: Pavarësisht pandemisë, lehtësuam procedurat doganore

Dec 7, 2020 | 13:59
SHPËRNDAJE

Anila Denaj-Ministrja e FinancaveMinistrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë sot në takimin online të Komitetit Kombëtar për Lehtësimin e Tregtisë, ku tregoi rezultatet konkrete në drejtim të lehtësimit të tregtisë me vendet e rajonit dhe jo vetëm.

“Përgjatë tre viteve të fundit, Komitetit Kombëtar për Lehtësimin e Tregtisë arriti të prodhojë rezultate konkrete në drejtim të lehtësimit të tregtisë, si krijimi i portalit të dedikuar tregtia.gov.al, inventari i tarifave të procedurat e import/eksportit, kryerja për herë të parë e studimit mbi matjen e kohës së procedurave në kufi, miratimi i  manualit “Informacioni Detyrues i Origjinës” dhe Informacioni Detyrues i Tarifës, krijimi i një strukture të dedikuar dhe centralizuar tek administrata  Doganore për Vlerësimin e mallrave, si dhe funksionimin 24/24 i administratës doganore apo krijimi i pikës së përbashkët Morinë/Vërmicë”, renditi Denaj.

Ndërkohë, ministrja u shpreh më tej se, procedurat doganore janë lehtësuar.

“Gjatë këtyre viteve indikatorë të rëndësishëm pozitivë janë realizuar në thjeshtimin dhe lehtësimin e procedurave doganore. Konkretisht, gjatë vitit 2020, edhe pse me një situatë të vështirë pandemie: u rrit 3.1% përqindja e kompanive që kalojnë në kanalin jeshil, u rrit me 4.1% përqindja e kompanive që kalojnë në kanalin blu, duke ulur me minus 1,1% kanalin e kuq dhe ulur me minus 6% kanalin e verdhë”, theksoi Denaj.

Në prill të këtij viti, parlamenti ratifikoi Protokollin Shtesë 6 “Liberalizimi i Tregtisë në Shërbime” në CEFTA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura