Tre ngjarje për të shënuar nga java që lamë pas

Dec 22, 2019 | 14:50
SHPËRNDAJE

Genc Pollo

1200px-Genc_Pollo-700x465

1- Pushteti përdor prokurorë e gjyqtarë për të burgosur opozitën.

Isha i pranishëm në sallën e gjyqit kur dy prokurorë lexuan pretencën kundër kolegut Ervin Salianji e gazetarit investigativ Jetmir Olldashi, si dhe kundër dy personave me preçedentë penalë Alfred Veliut, i njohur si Babale (në mungesë) e Fredi Alizotit.
Me kureshtje po prisja të dëgjoja provat që mbështesnin akuzën “kallzim i rremë” dhe “në bashkëpunim” për Salianjin. Sipas asaj që dëgjova (e më pas lexova) e vetmja gjë ku mbështetej akuaza ishte dëshmia e Alizotit, i cili kishte deklaruar se Veliu i kishte thënë Alizotit se Salianji i kishte premtuar atij 200 mijë Euro nga të cilat Veliu do t’i jepte Alizotit gjysmën.

Për t’u shtirur si vëllai i Ministrit të Brendshëm në një bisedë të inçizuar. Alfred Veliu nuk e ka pohuar ndonjëherë këtë. Provë tjetër nuk kishte. Ndërkohë që avokati mbrojtës i Salianjit paraqiti një gjysëm duzine rastesh të nxjerra nga dosja hetimore ku Alizoti në biseda me policë, kryepolicë, banditë e deputetë rilindistë kandiset me para e zotohet se do të flasë siç duhet. Me kaq deputeti i opozitës që denoncoi një abuzim të madh të qeverisë dënohet me një vit burg.

Po kështu edhe çeshtja e Jetmir Olldashit. Madje këtu pretenca merr edhe nota komike. Prokurorët duke dashur të nxjerrin viktimë të pafajshme të vëllain e ministrit pretendojnë që Xhafaj, Veliu e Olldashi nuk janë takuar ndonjëherë ditën e inçizimit pasi mbasdite antenat e celularëve i lokalizojnë personat larg njëri tjetrit, përkatësisht në Vlorë, Fier e Tiranë. Por prokurorëve nuk u ka bërë përshtypje se më herët po atë ditë antenat i lokalizojnë që të tre në Vlorë (shih foton).

Qyfyre nga gjykatat tona mund të tregosh plot. Por kur ato përdoren për të denuar me burg opozitarët e gazetarët se kanë bërë punën e tyre tregojnë shenjat se po kthehet një kohë që besonim e kishim lënë pas. Në reagimin tonë, të gjithkujt prej nesh, duhet t’a konsiderojë këtë.

2- Qeveria, bëri ç’bëri, e miratoi ligjin anti-fjalë

Si rrallë ndonjëherë në këtë nismë zullumqare Rama pati përballë në bllok e zëlartë opozitën, shoqërinë civile e komunitetin ndërkombëtar. Nuk po shkruaj më për ligjet e natyrën e tyre pasi mendoj që e kemi shtjelluar çeshtjen teknike deri afër shterimit. Vetë nuk mendoj se Rama do të arrijë atë që don e që ka synuar përmes ligjit antifjalë. Edhe pse po i merr nën kontroll edhe më shumë duke emëruar në krye të tyre persona nga kabineti i tij. Interneti e websitet janë komplekse e difuze prandaj të vështira për t’u kontrolluar. Për më tepër që çdo sulm rilindist do të konvertohet në reklamë falas për portalin fatlum.

Dëmi real i është bërë shansit për negociata me BE, siç po thonë eurodeputetët, ata që flasim të parët se e dimë që diplomatët i thonë gjërat në fund. Por këtë le t’a shtjellojmë më gjerë një herë tjetër.  Por kokëfortësia për t’a çuar nismën zullumqare deri në fund meriton vëmendje. Si dhe pyetja nëse më shumë se kokëfortësi është jermi i agonisë.

3-Në Tiranë mblidhen të tërë përveç Prishtinës

Në trojet ballkanike akuzat për tradhti kombëtare shpesh lëshohen me kollajllëk e prandaj duhet të peshohen në kandarin e farmacisë.

Por çfarëdo kandari të marrim e të masim e peshojmë samitin e “miniSchengenit” në Tiranë zor me arsye mund të themi një fjalë të mirë. Jo se takimet e qeveritarëve në Ballkan lipset të kundërshtohen a priori. Përkundrazi, edhe kur historia e afërt apo e largët është e vështirë kontaktet, bisedat e takimet zyrtare janë të rekomandueshme pikërisht për të mundësuar që e ardhmja e marrëdhenieve të jetë më e mirë se e shkuara.

Kandari gjithësesi peshon produktin e dobishëm si dhe atë të dëmshëm po pati.
Nëse e quajmë të dobishme faktin që shefat e qeverive takohen e bejnë muhabet çdo muaj me njërin syresh si mikpritës dhe asgjë më shumë se konsumi mediatik i bie të jemi minimalistë. Ballkani apo më saktë ish Jugosllavia e kanë kapërcyer këtë fazë. Qeveritarët e rajonit takohen shpesh në lloj lloj nismash e organizatash që janë aq të shumta sa që publiku nuk u mban mend emrin. Të enjten e kësaj jave po këta të Tiranës e disa të tjerë u mblodhën në Romë në samitin e Iniciativës së Europës Qendrore të lindur para gati 30 vjetësh e që gjallon ende.

Kam lexuar me vëmendje deklaratat e samiteve minischengeniane të Novi Sadit e të Ohrit. Kjo e fundit, më realiste se e para mund të përmblidhet me dy fjalë: angazhohemi të zbatojmë marrëveshjet e mëparshme! Edhe deklarata e Tiranës po aty rrihte. Pasi marrëveshjet tregtare janë arritur me CEFTA-n para 13 vjetësh; levizja e lirë vetëm me letërnjoftim në tërësi eshtë arritur para 10 vjetësh, njohjet e diplomave janë çështje dypalëshe dhe asnjë marreveshje shumëpalëshe ballkanike nuk lipset e nuk duhet të cenojë marreveshjet me Bashkimin Europian.

Pra kufijtë nuk mund të hapen si në zonën Schengen sepse këtë e mundëson vetëm e vetëm BE. E vetmja gjë që më mbeti në mendje nga deklarata e djeshme ishte se ato pika kufiri që rrinë hapur 12 orë të mos mbyllen ditë e natë. Shqipëria ka nja tre syresh me Malin e Zi, Kosovën që përdoren nga fshatarët e zonës. U mbars mali e polli një mi shkruante Ezopi. Por, do të shtoja unë, më mirë një mi se hiçgjë. Duke harruar me dashje se presidenti i Malit të Zi erdhi për mirësjellje komshiu se qeveria e tij para pak javësh se kjo nismë është “e panevojshme dhe e padobishme” për Podgoricën.

Dëmin më të madh nga samiti i Tiranës e pësoi Kosova. Në rajon shteti më i ri nuk njihet nga Serbia dhe Bosnja e ndikuar nga Serbia. Në botë Serbia harxhon kapital për të penguar e prapsuar njohjen e Kosovës nga shtete e antarësimin në organizata ndërkombëtare. Në Prishtinë po e marrin veten nga tronditja e tentativës së papërgjegjshme të coptimit territorial kinse ne favor të paqes e njohjes.

Kjo tentativë e rrezikshme e mbështetur në Prishtinë e Tiranë nga politikanë që lipset të largohen një orë e më parë u desh të bllokohej me tarifa doganore të pazakonshme të Ramush Haradinajt. Prezantimi i copëtimit territorial si zgjidhje e problemit dypalësh e spostoi fajin historik nga Serbia agresore me krime lufte kundër njerëzimit mbi shpinë tek Kosova kokëfortë. Po ashtu edhe tarifa doganore ad hoc u përdor lart e poshtë nga miqtë e copëtimit territorial për demonizimin e Prishtinës. Në këtë kontekst nisma rajonale pa Kosovën dhe sidomos samiti i Tiranës pa qeverinë e Prishtinës vlen vetëm për të thelluar, theksuar e prezantuar izolimin e Kosovës. Dëm më të madh zor se mund t’i bëhet.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura