Tragjedia e gjëmës së madhe në romanin e Skifter Këllicit, për 11 shtatorin që tronditi botën

Sep 23, 2018 | 17:54
SHPËRNDAJE

KOZETA ZYLO

Që nga 11 shtatori 2001 kanë kaluar kaq vite. Megjithatë, tmerrohem përsëri, siç është tmerruar së bashkë me mua gjithë njerëzimi, nga aktet terroriste të fundamentalistëve islamikë. Unë nuk besoj të kem faj nëse përftoj këto ndjesi të tmerrshme, ngase dhe vetë titulli i romanit ngërthen gjëmën e madhe të 11 shtatorit, ngërthen vdekjen e zezë të 3000 personave që u dogjën për së gjalli, ngërthen vdekjen e tre shqiptarëve, Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj, të cilëve, për çdo shtator, në kujtim të tyre unë ndez qiri për t’i përkujtuar.

Unë nuk besoj të kem përsëri faj, nëse para meje nga ky libër vijnë imazhet me krahë korbash para kufomave të shumta, dhe që unë, si një tjetër shqiptare e ardhur këtu në Amerikë nga erërat e luftës së vitit të mbrapshtë në ’97-n, për një jetë më të mirë, më të qetë, të shoh me sytë e mi dhe të përjetoj tragjedinë apo gjëmën e madhe, siç e cilëson atë autori Këlliçi. Shfleton faqet e romanit dhe tronditesh nga egërsia e njerëzve, që mundohen të gllabërojnë dhe fëmijën qysh në sythin e mitrës!

KOZETA ZYLO
KOZETA ZYLO

Mund ta kesh përjetuar tronditjen, por kur lexon “Shtatori i gjëmës së madhe”, ndjen së brendshmi se autori sjell mesazhe paqeje, mesazhe mjellmash me pupla të bardha mëndafshi dhe çliron paksa jo vetëm lexuesit e tij, por dhe prindërit dhe të afërmit e tre shqiptarëve që humbën jetën në këtë tragjedi botërore.

Kujtesa mbarë popullore dhe veçanërisht e popullit amerikan nuk do ta harrojë kurrë tragjedinë që ndodhi në kërthizë të botës, në Manhattan; dhe, nëse shkrimtarët nuk e hedhin në fletët e bardha përjetimin e tyre për këtë tragjedi dhe përjetime të tjera si kjo, ka rrezik që në brezat e mëpastajmë të harrohen dhe të krijohet një mjedis apokaliptik për historinë.

Skënder Këlliçi
Skënder Këlliçi

Në rastin tonë, pena e shkrimtarit Këllici bëhet gatigati si e një dëshmitari okular brenda qendrës ku ndodhi gjëma e madhe, ngase ai mjeshtërisht është futur në thellësi të botës së mijëra njerëzve që u ndodhën aty pranë dhe që largoheshin si vetëtimë në mbrojtje të vetes së tyre. Autori shkruan se ata donin të degdiseshin sa më larg që të ishte e mundur, sa më larg atyre kullave, që deri para pak kohësh kishin qenë një bukuri e madhërishme…, por tani ato ishin goditur pabesisht për vdekje dhe po lëngonin si drenusha bardhoshe në grahma që nuk dihej se kur do të sosnin.auto_76uy1532952894

Nëpërmjet një gjuhe të kthjellët dhe të begatë, autori ka dhënë një studim artistik të thukët, duke e futur lexuesin ndjeshëm brenda psikologjisë së viktimave që po përjetonin në ato orë të kobshme historike. Në hapësirë, gjaku pikonte mbi pikëllimin e syve të tmerruar, kurse unë thjesht si lexuese në kohën që komentoj, më duket sikur fletët e të gjithë librit janë të veshura me cipë gjaku deri në oxhaqet dhe dritaret qiellore ku dhanë jetën bashkatdhetarët e mi të një flamuri dhe të një gjuhe.

Me një kontrast të fuqishëm, autori ka dhënë nga njëra anë tragjedinë dhe trandjen e njerëzimit, kurse nga ana tjetër, turmat laramane fanatike, që qëndronin të ulur këmbëkryq mbi fushëtirën e rreth të cilët hovnin përpjetë dhe duke ngritur lart kallashnikovët që mbanin në duar, çirreshin: -Bin Laden, Bin Laden! Kjo antitezë është lufta për jetë a vdekje midis qytetërimit dhe vdekatarëve si Bin Ladeni dhe të talebanëve të tij, si ujqër në strofullat e tyre…

Fanatikët dhe ekstremistët me këtë prijës dhe personazhin tjetër besnik i tij, Khalid Sheik Muhamedin, përshkruhen me urrejtjen më të madhe. Është urrejtja e mbarë globit për fundamentalistët që pranë zemrës së tyre lidhin gjerdanin me fishekë dhe bomba për të vrarë njerëzit si foshnja të pafajshme. Janë këto hiena që shkaktuan atëherë një lumë dhimbjesh kaq shumë vjetësh, të cilat vazhdojnë të ndihen mbi kurmin e popujve dhe prindërve zemërdjegur. Autori me shumë finesë flet për tolerancën që duhet të kemi midis njeri-tjetrit, sepse, siç thotë Nënë Tereza, nëse nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse ne kemi harruar që i përkasim njeri-tjetrit.

Jam e bindur se lexuesi kur merr këtë libër në dorë, sekonda i bëhet shekull, dhe tehu i thikës së Bin Ladenit vazhdon të shpojë, ai ka pas një kope të tërë talebanësh që vazhdojnë të ushqejnë këlyshët e tyre me palcën e viktimave, ndaj dhe u betuan që atë ditë, ditën e gjëmës së madhe shkruan autori në libër dhe ja se si: – “A jeni gati, gati për këto bëma të shpërbleheni duke vajtur edhe ju si ata martirë të avionëve në parajsë?, – këlthiti pas tij Bin Ladeni me sy gati të shqyer.

E sërishmi turmat mendjeçartura ngritën lart kallashnikovët dhe e pasuan: – Që tani, o i dërguari i Muhamedit në tokë! Na thuaj ç’duhet të bëjmë që ta meritojmë këtë nder”…. Dhe kështu udhëheqësit e tyre vazhdojnë ende dhe sot të thurin plane për bëma të Xhihadit, për zjarret që do të hapin kudo ku jeton qytetërimi, atje ku është dielli… Autori me penën e tij ka ditur të operojë dhe të futet psikologjikisht në mendjet e tyre, duke dhënë dy botë krejtësisht të kundërta, dy botë që njëra e do me shpirt jetën, ndërsa tjetra e Bin Ladenit, e do po aq vdekjen sa ç’duan kundërshtarët e tyre jetën… Bin Ladeni shfaqet dhe me haluçinacione, sepse ai vetë vrau qetësinë e tij, pikërisht nga krimet e mëdha që kishte kryer, duke qenë në kundërshtim të hapur me mësimet e fesë, ndaj një ditë e di se në botën e përtejme do të jetë në ferr.

Sytë e tij të frikshëm si nata duken sikur duan të përpijnë gjithçka, madje dhe pirgun e gërmadhave, dhe ai, ai të ndriçojë si far para besnikëve talebanë të tij. Janë ato copëza gërmadhash që thërrmoheshin në ujërat e oqeanit Atlantik, ndërsa hija e zezë e Bin Ladenit përpëlitej derisa një ditë u shua përfundimisht. Hija e frikës dhe e tmerrit do të zhduket, në rast se njerëzimi dhe historianët nuk do të heshtin, por do të shkruajnë siç kanë shkruar, jo vetëm për çfarë panë dhe ndjenë atë ditë të zezë shtatori, siç veproi edhe Këlliçi që iu solli lexuesve këtë roman në përshpirtje të 10-vjetorit të gjëmës së madhe për njerëzimin…

Hija e frikës nuk mund të sjellë qetësi, pasi paqja nuk mund të arrihet përmes dhunës, arrihet vetëm nëpërmjet të kuptuarit, na kujton filozofi i madh amerikan, Ralph Waldo Emerson. Duke lexuar romanin “Shtatori i gjëmës së madhe” të Skifter Këlliçit, është e pamundur që pas çdo faqeje të mos e ndjesh veten sikur je mbuluar me një vello të zeze trishtimi, ndërsa nga larg të vijnë si jehonë klithma viktimash, klithma zogjsh që shkojnë gjer në rrënjë të pemëve madhështore të Parkut Kombëtar magjepsës në Manhattan, tek ato momente dramatike, psikologjike, ku avionët si llava të zjarrta dogjën kullat në agsholin e Shekullit të Ri…

Staten Island, New York

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura