Tkurret 55% në 2021 numri i punishteve të drurit! Prodhuesit e mobilieve: Mbyllja e ndikuar nga shtrenjtimi i lëndëve drusore

Jun 16, 2022 | 7:41
SHPËRNDAJE

Numri i bizneseve në prodhimin e mobilieve ra me 54.7% vitin e kaluar. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve, të publikuar nga INSTAT, numri i ndërmarrjeve në këtë sektor ka pësuar rënie drastike, pavarësisht se në këtë periudhë pati rigjallërim të kërkesës për mobilie.

punimedruri

Nga 889 biznese të prodhimit të mobilieve që kishte në 2020 në vitin 2021 numri i tyre arriti në 402 ndërmarrje. Dritan Cacaj nga “Trin Mobileri” thotë se bizneset e mbyllura janë kryesisht punishte të vogla. Sipas tij mbyllja ka ardhur për shkak të mospërballimit të kostove nga taksat dhe rritja e çmimeve të lëndëve të para drusore.

“Mendoj se bizneset e mbyllura janë kryesisht punishte të vogla që punojnë me klientët e lagjes. Këto biznese nuk janë në gjendje të përballojnë koston e taksave, duke nisur që nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në kahun tjetër që prej vitit 2020 sektori po vuan rritjen e kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para. Këto biznese nuk mund të rrisin çmimet, pasi nuk kanë treg. Kërkesa e lartë për mobilie është e përqendruar te bizneset që punojnë me klientë me të ardhura të mesme dhe të larta”, theksoi Cacaj.

Fredi Koldashi që zotëron në Bulevardin e Ri në Tiranë punishten “AB mobilieri” me 5 të punësuar pohoi më herët për Monitor se lëndën e parë nga furnitorët në tregun e brendshëm po e blen 40% deri 50% më shtrenjtë se vjet.

Sipas tij për të përballuar shtimin e kostos është detyruar të rrisi çmimet të paktën 20%. “Shtrenjtimi i produktit final është më i ulët se kostoja e materialeve. Nuk ka më hapësirë për rritje tjetër të çmimeve, pasi do të tkurrte kërkesën”, nënvizoi ai.

Kërkesa për mobilie në treg aktualisht është 10% më e lartë se vjet, por mungesa e lëndës drusore në tregun e huaj ka penalizuar prodhuesit vendas. Zgjerimi i kërkesës edhe këtë vit është nxitur nga sektorët e ndërtimit dhe turizmit. Vështirësitë e mobilierive vendase në gjetjen e furnizimeve po favorizon importin e mobilieve të gatshme.

Në tregjet e huaja materialit e drurit dhe atyre gjysmë të gatshme janë shtrenjtuar 40%- 50% më shumë se 2021. Shtimi i kostove ka shtrenjtuar çmimet e mobilieve vendase. Sipas bizneseve, nga shtatori 2021 deri tani çmimet e orendive janë rritur 30% deri 40%.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e lëndëve drusore në vitin 2021 u rritën 26% më shumë se me periudhën para krizës të pandemisë; në raport me vitin 2020, importet janë 32,8% më shumë.

Peshën kryesore te importet e lëndës drusore për vitin 2021 e zë Turqia (32%), e ndjekur nga Greqia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi. Për periudhën 2015-2021 sipas të dhënave të doganave janë importuar 19,2 mld lekë lëndë drusore. Nga Bosnjë-Hercegovina 6,1 mld lekë importe, Greqia 5,5 mld dhe Italia 5 mld lekë importe. / Marrë nga Monitor.alBurimi: Instat

© Panorama.al

Te lidhura