Tifozët mbështesin Teutën edhe në stërvitje, paguhet me gjobë dënimi i Dediç

Oct 23, 2017 | 9:49
SHPËRNDAJE

Teuta ka hedhur pas krahëve ndeshjet e fundit dhe pret e motivuar përballjen e radhës me Skënderbeun. Në seancën përmbyllëse të përgatitjeve zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” binte në sy entuziazmi te lojtarët dhe jo vetëm. Grupimi më i ri “Marinsat” ishin të pranishëm në shkallët e stadiumit duke treguar mbështetje ndaj skuadrës,pavarësisht ecurisë negative. Stërvitja u shoqërua me duartrokitje, fillimisht nga tifozët dhe më pas nga lojtarët dhe stafi teknik.

Teuta

Pas duartrokitjeve dhe brohoritjeve, “Marinsat” filluan të këndojnë për disa minuta. “Të duam përgjithmonë, forca Teuta jonë”, kjo ishte fraza që kumbonte në stadium. Teksa tifozët vazhduan me këngë e duartrokitje, Gugash Magani, pas disa ushtrimesh me top dhe streçing, e ndau skuadrën në dy grupe për të qartësuar edhe dilemat në lidhje me lojtarët që do të hedhë sot në fushë.

Peqinasi u fokusua kryesisht te goditjet standarde. Disa skema taktike u përsëritën mbi 4-5 herë me Maganin, që kërkoi perfeksion, madje duke e ndaluar disa herë aksionin. “Duhet të ndryshojmë nga ajo që kemi bërë deri tani, pasi kundërshtarët tanë e kanë kuptuar këtë gjë”, u tha trajneri lojtarëve pas ekzekutimit të një goditjeje këndi.

“Nëse nesër (sot) jeni vigjilent dhe zbatoni këto skema që kemi aplikuar, jam i sigurt se do të dalim me fitore”, vazhdoi Magani. Kundër Skënderbeut peqinasi e ka të gjithë grupin në dispozicion, me përjashtim të sulmuesit Osemene, i cili edhe pse dje punoi me grupin ndaj bardhekuqve nuk do të grumbullohet.

Ndërkohë kthehet Anel Dediç, i cili ishte i pezulluar edhe për këtë takim nga Komisioni i Disiplinës në FSHF. Pasi boshnjaku ezauroi gjysmën e dënimit (një ndeshje ndaj Kukësit), pjesën e mbetur drejtuesit e kanë shlyer me vlerë monetare.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura