Tifozët “Kuq e Zi” sulmojnë Dukën: Po bën pazar me biletat e Euro 2016

Jan 15, 2016 | 14:26
SHPËRNDAJE

Tifozët Kuq e Zi akuzojnë Federatën Shqiptare të Futbollit se po bën pazar me biletat për në Francë 2016.

tifozet kuqezi

Në një deklaratë për shtyp, ata bëjnë të ditur se kanë kërkuar nga FSHF-ja që të marrin një numër të caktuar biletash për anëtarët e tyre që e kanë shoqëruar kombëtaren në çdo stadium në këto 12 vite, por Federata u ka kërkuar që të anëtarësohen më parë në grupimin e krijuar për saj.

Pasi kanë kërkuar takim me kreun e FSHF-së, Armando Duka, takim i cili është refuzuar, tifozët kuqezi kanë vendosir të ngrijnë marrëdhëniet me Federatën.

Statusi i Tifozëve Kuq e Zi

Prej disa javësh, Tifozat Kuq e Zi kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke u përpjekur që të arrihet një marrëveshje e përbashkët në lidhje me ndeshjet e fazës finale të Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Kemi kërkuar nga ana e federatës që TKZ-së t’i ofrohet një kuotë biletash për tre ndeshjet e para në fazën e grupeve në “Euro 2016”’, e krahas kësaj të mundësoj edhe përfshirjen në këtë numër të anëtarëve tanë nga Ilirida, Malësia, Lugina e Preshevës dhe shqiptarët që jetojnë në Europën Perëndimore.

Gjatë bisedave me zyrtarët e federatës, na është thënë se FSHF nuk ka asnjë biletë në dispozicion, ndërsa më pas na është thënë se me anëtarësimin tonë si grup në klubin e tifozëve të krijuar nga FSHF-ja së fundmi, mund të pajisemi me bileta, mënyrë kjo e vetme për ne si grupim. Kjo për në, ka qenë e pakuptimtë edhe e papranueshme njëkohësisht, pasi e cenon pavarësinë tonë si organizim dhe e humbet përgjegjësinë tonë organizative 12 vjeçare karshi anëtarëve.

Parimisht ne nuk mendojmë se e kemi eksluzivitetin e përkrahjes së Kombëtares, por si organizimi më serioz prej më shumë se një dekade mendojmë se meritojmë një trajtim pak më korrekt. Për shkak të negociatave nuk kemi dashur të krijojmë konfuzitet në opinion. Jemi sjellë çdoherë në mënyrë sa më institucionale të mundshme karshi një organizate si FSHF-ja, që abuzon me këtë term e që veç si institucion nuk sillet. Pas disa takimesh edhe zvarritjesh, herën e fundit kemi kërkuar që takimi të jetë direkt me kreun e kësaj federate, Armand Duka, por as kjo kërkesë nuk është marrë parasysh. Më pas vendosëm që të shkruajmë një letër FSHF-së edhe vet kreut të saj për kërkesën e pajisjes tonë me bileta, përgjigje që ne e kemi pritur deri mbrëmjen e 14 janarit. Në adresën tonë nuk ka ardhur asnjë përgjigje, qoftë edhe negative!

Kjo është një papërgjegjësi institucionale e njerëzve të federatës që me mish e me shpirt po mundohen që të “vjelin” frytet e kualifikimit të Kombëtares në Francë edhe të bëjnë pazar për gjithçka që kalon nga duart e tyre. Tashmë, pas arritjes së qëllimit – pra kualifikimit për Kampionat Europian – Federata Shqiptare e Futbollit, siç duket nuk ka më nevojë për TKZ-në.

Kjo është një ditë e vështirë për të gjithë tifozët e sinqertë të Kombëtares. 12 vite ku kemi dhënë sa kemi mundur për t’u kualifikuar e në fund diskualifikohemi nga FSHF. Por, do të ketë ndeshje kualifikimi edhe pas kampionatit europian, e aty do të rishihemi prapë dhe reagimi jonë do jetë më i fuqishëm se kurrë më parë!

Me këtë rast, nga ky moment, Tifozat Kuq e Zi ngrijnë çdo bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit. Për veprimet tona të mëtejshme do të ju njoftojmë me kohë. E kemi dëshmuar se kemi hyrë edhe në stadiume ku nuk na është lejuar (madje edhe nga ajri).

Pra, ne nuk do të ndalemi së përkrahuri ngjyrat, flamurin dhe fanellën e shenjtë të Kombëtares! Njerëzit që janë aty sot, qoftë burokratë federatash, trajnerë apo edhe lojtarë, do të ikin e do vijnë të tjerë, ajo që mbetet është, Kombëtarja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura