Thuajse një mit

Oct 13, 2019 | 11:43
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja 

EDMOND TUPJA
EDMOND TUPJA

Pardje pata kureshtjen e kënaqësinë intelektuale të lexoja në këtë gazetë shkrimin e publicistit Fitim  Zekthi, me titull “Rama si njeri i ditur, i kulturuar dhe si orator i madh”, çka më frymëzoi radhët që vijojnë, të  cilat i bëjnë jehonë modestisht aktualitetit të zymtë që  po përjetojmë me kaq dhimbje këto vitet e fundit si popull, si shtet e si shoqëri: Po,  Fitim Zekthi ka të drejtë kur shkruan se në Shqipëri “një përpjekje e gjatë gati tridhjetëvjeçare ka krijuar thuajse një mit mbi Edin Ramën si njeri i ditur”. Arsyet kryesore të kësaj dukurie, ai i lidh me pushtetin, më saktë me luftën për pushtet që Edi Rama ka zhvilluar qysh prej njëzet vjetësh për të arritur atje ku ndodhet sot, në majë të pushtetit, ndërkohë që shumica e shqiptarëve e shohin veten në fund të greminës socialekonomike.

Veçse gjatë kësaj odiseje marramendëse me synim pushtetin absolut, rezulton se ai, Edi Rama. thuajse i mitizuar, është prekur rëndë, siç e kam shkruar tashmë para ca kohësh, nga sindroma e Hubrisit, pra, nga sëmundja e pashërueshme e pushtetit, për shkak të së cilës ai, Edi Rama thuajse i mitizuar, ka humbur ndjenjën e realitetit, nuk pranon as më të voglën vërejtje nga të tjerët, bën veprime impulsive të paparashikueshme, është fiksuar pas imazhit të vetvetes, abuzon haptas me pushtetin që gëzon, ngaqë, me sa duket, pandeh se është i pagabueshëm, me gjasë edhe i pavdekshëm.

Ajo që më bën përshtypje tek Edi Rama thuajse i mitizuar është, ndër të tjera, mungesa patologjike e modestisë kur, siç e citon Fitim Zekthi, ai shprehet se në fushën e gojëtarisë, “nuk shoh asnjë konkurrent dhe nuk matem me asnjë nga këta që janë rreth e rrotull, por matem me ambicien time, që pas meje të lë një sërë fjalimesh që të hyjnë në librin e oratorisë shqiptare, që nga koha e oratorëve të mëdhenj e deri në këtë kohë…”.

O Zot, sa pretendim modest deri në përlotje pa fund e pa krye! Një seri fjalimesh për çfarë? Mos vallë për të ngritur në qiell sukseset dhe fitoret që ai ka korrur në rritjen fenomenale të mirëqenies së popullit shqiptar duke luftuar korrupsionin, kriminalitetin trafiqet e paligjshme etj., etj? Ha, ha, ha, lërmëni të gajasem së qeshuri!

Me këtë rast, po i kujtoj Edi Ramës thuajse të mitizuar fjalët e filozofit franko-rumun, Cioran, sipas të cilit, “eleganca e vërtetë morale qëndron në paraqitjen e fitoreve si disfata”, ndërkohë që ai, si Kryeministër, nuk resht së bëri të kundërtën, d.m.th. duke i paraqitur disfatat e tij si fitore! Ka se nga kush të frymëzohet: A nuk thoshte xhaxhi xhelati Hoxha se Shqipëria e udhëhequr prej atij shkonte “nga fitorja në fitore”?

Ajo që më bën përshtypje tek Edi Rama thuajse i mitizuar, siç e nxjerr në pah Fitim Zekthi, është edhe niveli neveritës i edukatës së tij kur komunikon me të tjerët duke përdorur sharje e fyerje nga më vulgaret! Mos vallë oratorët e mëdhenj ndër shekuj kanë hyrë në histori falë sharjeve e fyerjeve të tilla?

Ajo që më bën përshtypje tek Edi Rama thuajse i mitizuar është gjithashtu, siç e thekson Fitim Zekthi, sjellja e tij prej plagjiatori të rëndomtë, kur përdor, duke i shitur si të vetat, thënie, aforizma apo sentenca personalitetesh historikisht të njohur si Abraham Linkolni, ndër të tjerë.

Ajo që më bën përshtypje tek Edi Rama thuajse i mitizuar, siç e nënvizon Fitim Zekthi, është shtrembërimi ose gjymtimi që ai i bën mendimit, edhe kur i përmend, të një sërë autorësh të njohur veçanërisht si Kanti, por gjithashtu si Lisa Hopkins, studiuese e letërsisë, sidomos e Shekspirit, dhe si Ludwig von Mises, filozof dhe ekonomist, a thua se ai i njeh këta autorë më mirë e më thellë se askush tjetër në botë.

Ajo që më bën përshtypje tek Edi Rama thuajse i mitizuar, është përdorimi, siç e vëren me të drejtë Fitim Zekthi, i batutave në vend të argumenteve, sidomos i batutave të përdorura nga ky apo ai personazh i filmave të fëmijërisë së tij, ose i batutave vulgare të tipit “Noc Rrokun!”, duke u përpjekur kështu të fitojë të qeshurat ose më saktë zgërdheshjet e shtresës pa ndonjë kurajë intelektuale, madje as thjesht qytetare, të elektoratit të vet të nënshtruar, shtresë e cila, me shumë gjasë, është molepsur nga sindroma e Stokholmit. Ah, më falni, dikush me të drejtë mund të pyesë se ç’është kjo sindromë.

Fare thjesht e fort përmbledhtas, gjithmonë sipas meje, ju kërkoj ndjesë, kjo sindromë karakterizon ato viktima që bien në dashuri me xhelatin e tyre! A bon entendeur, salut! siç thonë francezët, pra, daullja bie për ata që kanë veshë, siç thonë shqiptarët, një pjesë e të cilëve, mjerisht, me të gjëmuar daullja, nxitojnë të zënë veshët, të mbyllin sytë dhe të shtuposin gojën duke lënë hapur vetëm hundët sa për të marrë frymë! Këtyre të fundit u këshilloj, sidoqoftë, të ruhen nga mitet dhe nga njëshat e mitizuar, sepse fjalët “mit” dhe “i mitizuar” janë aq të sikletshme nganjëherë, saqë për dreq e për bela, për shkak të ndonjë zëvendësimi germash, ato mund të qelbin jo vetëm ajrin rreth e rrotull, por edhe gjithë shpirtrat tanë të trazuar!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura