Tetë pyetje për zotin Sandër Lleshi

Oct 29, 2018 | 12:30
SHPËRNDAJE

GENC POLLO/ genc polloNuk kam paragjykim për zotin Sandër Lleshi, këshilltar i Kryeministrit për çështjet e sigurisë që nga viti 2013 dhe tashmë i propozuar për postin e ministrit të Brendshëm nga Edi Rama.

Por do të thosha se në këtë moment publiku ka të drejtë të dijë dhe zoti Lleshi, mundësisht para votëbesimit e betimit të tij, ka për detyrë të informojë për sa vijon:

Cilat janë këshillat që z. Lleshi i dha Kryeministrit:

1- kur u mor vesh se avionë të vegjël transportonin drogë nga Shqipëria në Itali duke përdorur aeroporte ushtarake si Gjadri apo edhe aerodrome e pista rrethanore;

2- kur u bë e qartë se mohimi nga Ministria e Mbrojtjes i përdorimit të aeroporteve nga avionët e drogës rezultoi i pavërtetë;

3-kur shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bazo në maj 2014 pretendoi publikisht se është i pamundur transporti i drogës me avion “meqë hapësirën ajrore të Shqipërisë e monitoron NATO”, çka ishte tërësisht e gënjeshtërt, pasi NATO nuk ka objekt aviacionin civil e aq më pak aeroplanët privatë;

4- kur debatohej në publik se mbjellja masive e drogës në vendin tonë në vitin 2016 përbënte rrezik për sigurinë publike e kombëtare;

5-kur raportet e Europolit, Departamentit të Shtetit të ShBA-ve, Zyrës për Drogën e Krimin të OKB (UNODC) dhanë alarmin pas vitit 2016 për kanabizimin e vendit e pasojat e rrezikshme të tij;

6-kur rezultoi se bandat e narkotrafikantëve kontrollonin radarët e bregdetit dhe i fiknin ata sa herë u nevojitej atyre për fshehur transportet e drogës;

7-kur një ministër i qeverisë Rama sugjeroi ndërhyrjen antidrogë të Ushtrisë, pasi Policia konsiderohej e kanabizuar;

8-kur u hartua e miratua ligji mbi Forcat e Armatosura, i cili u rrëzua në vitin 2014 nga Gjykata Kushtetuese, pasi transferonte të gjithë pushtetet e organeve kushtetuese te Kryeministri, duke e bërë atë “edhe komandant, edhe komisar” siç u shprehën ekspertët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura