Tentativë vrasjeje në pallat, apo?

Mar 5, 2015 | 12:30
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

   Në ngjarjen që këto ditë po komentohet shumë – atë të atentatit të pretenduar  ndaj dy deputetëve – është hedhur në tryezën e analizës, në hapësirën mediatike shumë ushqim, shumë informacion, i cili po zhvleftësohet megjithatë me shpejtësi, madje dhe sot. E vërteta është se kaq shumë informacion do një punë shumë të madhe për t’u filtruar, për t’u… përpunuar për të arritur në analizë, në përfundime, dhe pse jo dhe në parashikime. Përndryshe, me një punë të vogël, mund të arrish në përfundime sugjestive, por që kanë në themel një ekuacion lidhjesh, faktesh, ku ka boll mungesa. Dhe me një ekuacion të paplotë, vështirë se mund të gjesh zgjidhje të vërteta.
Dhe le të hidhemi drejt e në temë. Në kushtet e një vëllimi kaq të madh informacioni, pasigurie për burimet, lojës së madhe që luhet në nivele të lartë, është mirë të mos rrezikosh autoritetin duke marrë në konsideratë me seriozitet gjithçka thuhet. Asnjë fakt nuk mund të injorohet, por ndërsa hetimet po evoluojnë me shpejtësi, pra duke çmontuar konstruksionet e një dite më parë, është më mirë të flasësh mbi gjërat e ditura me siguri. Mbi faktet botërisht të njohura. P.sh., me gjendjen e fakteve deri pardje gishti i akuzës binte tërësisht mbi qeverinë, mbi Policinë, mbi Prokurorinë, e cila nuk kishte filluar procedimin penal, nuk kishte hetuar, pra s’kishte bërë asgjë. Por zhvillimet e djeshme, intervista e ministrit të Brendshëm që në fakt gaboi duke riprodhuar zëshëm me detaje akuzat e Doshit që fajësonin nominalisht figura të rëndësishme, vërtetësia e videos mund të na hapin një skenar të ri alternativ.
Megjithatë, mund të them me siguri se së pari nuk ka asnjë dyshim se akuzat që hodhi deputeti Dom Doshi, sipas të cilit kryetari i Parlamentit kishte porositur dikë që ta vriste së bashku me një deputet tjetër, janë një goditje e fortë për imazhin e shumicës, e pse jo dhe të vendit. Është një denoncim me potencial të fortë destabilizues. Kjo u konfirmua nga reagimi i njëkohësuar i dy qendrave më të rëndësishme të vendosjes- BE dhe SHBA që mbështetën qeverinë për ta shmangur destabilitetin. Në perspektivën e fajësimit të numrit dy të shtetit, si porositës i krimeve brenda pallatit, edhe reagimi i opozitës për protestë parlamentare dhe mocion mosbesimi sot, ngjan tërësisht i justifikuar. Edhe sikur kjo akuzë të zhvleftësohej shpejt, sipas një rregulli të pashkruar, të verifikuar historikisht, një akuzë zë vend dhe përhapet më shumë se përgënjeshtrimi i saj. Për disa ditë rresht, lajmet në shqip, me siguri dhe në gjuhë të huaj dominohen nga ato për një atentat të mundshëm të dështuar në tentativë të porositur nga numri dy i shtetit. A duket ky një vend normal në sytë e botës, të investitorëve, të vëzhguesve të huaj? Sigurisht që jo. Vërtetimi i akuzës do të shënonte ngjarje të jashtëzakonshme për historinë e pluralizmit shqiptar, prishjen e shumicës, apo rikonceptimin e saj, arrestime në nivel të lartë etj etj. Ndaj vërtetimi i akuzës ose përgënjeshtrimi i saj nga rruga hetimore do të duhet të bëhet shpejt, pse vendi nuk mund të mbajë gjatë presionin e një animoziteti apo konfliktualiteti politik si ky që u provokua nga akuzat e Doshit. Le të presim me shpresën se do të kemi shumë shpejt një përfundim në secilin prej dy prej alternativave të mundshme. Me gjasë, pikërisht për shkak të unicitetit të situatës që do e nxirrte vendin në pozitë tragjikomike – ku kryetari i Kuvendit porosit vrasje brenda Parlamentit, krerët e institucioneve preferuan të mos bënin hetime të zhurmshme deri në kohën kur denoncimi i Doshit u bë publikisht.
Së dyti, nuk ka diskutim se në periudhën e tranzicionit në të cilën ndodhet Shqipëria, dy krahët e politikës kanë flirtuar me krimin, madje në një shkallë rritëse jo thjesht për të siguruar fitoren e zgjedhjeve, por edhe duke i ofruar atij përfaqësim direkt politik me imunitetin përkatës. Kjo dukuri historike, e verifikuar veçanërisht në veri të vendit sipas parimit të “gozhdës që nxirret me gozhdë”, mundësoi rotacionin politik në përfaqësim, pas një periudhe të gjatë dominimi të së djathtës. Pikërisht ky rotacion i fortë shpjegon ekzistencën e një konfliktualiteti të lartë politik, ekonomik dhe social në atë pjesë të vendit, Ky konfliktualitet mund të bëhet më i fortë nesër në perspektivën e zgjedhjeve vendore. Në një skenar si ky, mundësia që të vihet në qarkullim një hipotezë vrasjeje e njërit apo tjetrit deputet ngjan reale. Qoftë si skemë propagandistike destabilizimi, qoftë si skemë e gjasishme destabilizimi. Kjo që ndodhi e qartësoi se flirtimi i politikës me krimin mund të prodhojë efekte kaq të rënda si porosia apo inskenimi i porosisë dhe s’dihet ç’mund të ndodhë nesër.
Së treti, kjo që ndodhi me përjashtimin nga PS të deputetit Doshi, me reagimin e fortë mbështetës të qeverisë nga ana e dy ambasadave, pavarësisht rezultatit të hetimeve, mund të shënojë mundësinë e një procesi të fortë dekriminalizues që do të fillojë nga shumica, por me siguri do të induktojë dhe ndryshime në të djathtën. Do fillojë me gjasë procesi i shumëfishimit të akuzave brenda vetes apo midis dy kampeve politike, që jo domosdoshmërisht janë të rrejshme. Do shtohen filtrat e kandidatëve, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme vendore. Dy partitë do maten mirë para se të vendosin si kandidatë përfaqësues të diskutueshëm të lidhur me krimin. Deputetë që kanë histori kriminale do maten mirë para se të kërkojnë protagonizëm dhe aq më shumë rikandidim brenda partive të tyre. E njëjta gjë do të ndodhë dhe me kryebashkiakët që duan të rikandidojnë.
Së katërti, më kushtet e një evoluimi të shpejtë të rrethanave të lidhura me ngjarjen, mund të ndodhë alternativisht (ose;ose) me rënien e shumicës, edhe forcimi i saj, forcimi i autoritetit të Kryeministrit, ashtu dhe plasaritja e marrëdhënies PS-LSI. Opozita që pragmatikisht do duhej të ndihej më mirë prej sherrit brenda pallatit të qeverisjes, do duhet të orientohet drejt që të mos detyrohet të ndryshojë pozicion çdo ditë. S’kanë asnjë vlerë të vërtetat e forta që dalin rrena një ditë më pas. Nëse opozita del blof në një rast si ky, atëherë autoriteti i saj do të cenohet seriozisht.
Së pesti, prej këtyre ndryshimeve politike, të provokuara nga një ngjarje e lindur si denoncim për vrasje në pallat, duhet të vijë një mësim përfundimtar për klasën tonë politike. Ajo duhet të heqë dorë nga formulimi i akuzave penale në foltoret politike. Ndërrimi i roleve – kur politika bën prokurorin dhe gjykatësin- zhvleftësoi në mënyrë rrënjësore rolin e institucioneve të hetimit, të gjykimit, të ndjekjes penale, por dhe bëri qesharake politikën. E gjithë kjo u bë sipas fabulës së alarmeve të rreme për ujkun që do të sulmonte kopenë, që u sulmua në të vërtetë kur askush nuk e kishte mendjen te grabitqari. Institucionet e hetimit e kanë të pamundur të fillojnë hetimet kryesisht në një tokë pjellore akuzash penale të thëna në Parlament ku shkohet me shumë gëzim të enjteve. Gjatë kësaj periudhe tranzicioni, shkëmbimin e akuzave penale e kanë bërë të dy krahët, ndaj askush të mos pezmatohet nga fakti që ato mund të mos vërtetohen nga institucionet përgjegjëse. Prokuroria duhet lënë të punojë dhe ky është momenti që të fillojë dhe një periudhë e re aktivizimi e saj.
Ka dhe përfundime të tjera, por le të presim zhvillimet e ditës së sotme pas publikimit të videos, me shpresë se ato nuk do të zhvleftësohen kaq shpejt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura