Tensionet/ Irani merr kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, pritet përgjigjja e SHBA

Aug 28, 2018 | 11:56
SHPËRNDAJE

Një gjeneral i lartë i flotës iraniane tha të hënën, se vendi i tij ka marrë kontrollin e plotë të Ngushticës së Hormuzit, një zonë lundrimi ku qarkullojnë një e treta e anijeve me naftën e tregtuar në det, duke rritur frikën për një kundërpërgjigje të ashpër nga SHBA-ja.

Anije të Flotës iraniane në Ngushticën e Hormuzit
Anije të Flotës iraniane në Ngushticën e Hormuzit

Kreu i Marinës së Gardës Revolucionare të Iranit, gjenerali Alireza Tangsiri, tha se Irani kishte kontroll të plotë si në Gjirin Persik, ashtu edhe në Ngushticën e Hormuzit që çon në të, sipas “Reuters”. Ky itinerar është kalimi i vetëm i detit për shumë prej prodhuesve më të mëdhenj të naftës në Oqeanin Indian.

Ngushtica e Hormuzit është ajo ku kalon shumica e naftës nga Arabia Saudite, sipas Administratës të Informacionit të Energjisë së SHBA-së. Sauditët kanë ndërtuar tubacione për të anashkaluar ngushticën, por shumica e naftës së papërpunuar transportohet nga deti, që do të thotë se çdo veprim i Iranit për të ndaluar transportin mund të ndikojë te konsumatorët në të gjithë botën.

Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, madje edhe përkohësisht, mund të çojë në rritje të konsiderueshme të kostove totale të energjisë. Në fillim të muajit gusht, Irani nisi një stërvitje në shkallë të gjerë në Ngushticën e Hormuzit, e cila përfshinte më shumë se 50 anije të vogla, duke ushtruar veprimtari që potencialisht mund të mbyllnin rrugët ujore jetike, nëse do të zbatoheshin ndonjëherë në realitet.

Stërvitja u bë pasi Presidenti Trump tërhoqi SHBA-të jashtë një marrëveshjeje bërthamore me Iranin dhe liderët e dy vendeve shkëmbyen retorikë të zjarrtë. Irani operon me anije të vogla në Ngushticën e Hormuzit dhe në zonën përreth dhe shpesh ka kërcënuar të mbyllë udhën ujore.

Në javët e fundit, Presidenti iranian Hassan Rouhani i shtoi kërcënimet, duke thënë se nëse sanksionet dëmtonin eksportet e naftës bruto të Iranit, edhe pjesa tjetër e eksporteve të Lindjes së Mesme do të dëmtohej. Por, nëse Irani do të mbyllte kanalin e kalimit të anijeve me naftë, pritet një përgjigje e shpejtë e SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ofrojnë siguri dhe stabilitet në rajon. Së bashku, ne jemi të gatshëm për të siguruar lirinë e lundrimit dhe rrjedhën e lirë të tregtisë kudo ku e lejon ligji ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i Komandës Qendrore të Komandës së Forcave Detare të SHBA-së, Chloe Morgan. Ndërsa gjenerali Joseph Votel, kreu i Komandës Qendrore të SHBA, tha më parë këtë muaj se Irani kishte aftësinë për të vendosur mina dhe anije shpërthyese në rrugët ujore, si dhe të përdorte raketa dhe radarë përgjatë bregdetit. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët trajnohen në mënyrë rutinore për këtë mundësi dhe janë të përgatitur për të siguruar që liria e lundrimit dhe tregtisë të vazhdojë në ato ujëra.

“Ne jemi të vetëdijshëm për atë që po ndodh dhe ne mbetemi të gatshëm për të mbrojtur veten”, u tha ai gazetarëve. Jim Jones, këshilltar i Sigurisë Kombëtare të ish-Presidentit Barack Obama nga viti 2009 në 2010, tha në një intervistë gjatë këtij muaji se flota iraniane duhej të zhdukej nëse ndërmerr ndonjë veprim për të bllokuar trafikun e marinës. “Personalisht do të doja të shihja nëse ata do të bënin ndonjë gjë në Ngushticën e Hormuzit, do të doja ta shihja flotën e tyre të zhdukej”, tha Jones për “The National”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura