Telefonata kërcënuese ndaj Nazimes/ “Do ta bëjmë të keqen siç na e bërë. Do të vrasim”

Apr 27, 2016 | 9:27
SHPËRNDAJE

Nazime Visha denoncoi në Polici faktin se ka pasur kërcënime gjatë ditëve të fundit nga familja e viktimës.

nazimePërveç deklaratave në media, e veja e Fiqiriut dhe djali i saj, sipas Nazimes, pakënaqësitë në lidhje me lirimin e saj ia kanë transmetuar direkt në formën e kërcënimit dhe dhunës psikologjike.

Të paktën kështu ka deklaruar vetë Nazime Visha në Komisariatin nr.4, ku ka shkuar dy ditë më parë për të denoncuar gruan dhe djalin e Fiqiri Muçës.

Përveç kallëzimit për kanosje dhe dhunës psikologjike ndaj 44- vjeçares Mynyre Muça e djalit të saj Ervisit, 20 vjeç, Nazimja ka kërkuar edhe plotësimin e një kërkesëpadie për lëshim urdhri mbrojtje.

Në Polici, 22-vjeçarja është shprehur se gruaja e Fiqiri Muçës, bashkë me djalin, e kanë telefonuar dhe e kanë kërcënuar seriozisht me jetë, duke i thënë se do ta vrasin.

“Do ta bëjmë të keqen siç na e bërë. Do të vrasim…”, mësohet t’i kenë thënë në telefon nënë e bir, të paktën sipas kallëzimit që ka bërë Nazimja në Polici, shkruan “Panorama”.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se oficerët e Komisariatit nr.4 kanë referuar materialet në Prokurori për kanosje. Ndërsa dje kanë depozituar në Gjykatën e Tiranës kërkesëpadinë për lëshimin e një urdhri të menjëhershëm mbrojtjeje, vendim që pritet të merret sot nga togat e zeza.

Nazime Visha u dënua me dhjetë vjet burg për vrasjen e Fiqiri Muçës, por pak javë më parë u lirua nga burgu me dekret të Presidentit.

Ajo kishte edhe 3 vjet e disa muaj dënim për të bërë në momentin që la qelinë. Gjatë vuajtjes së dënimit, Nazime Visha kishte dalë disa herë me leje nga burgu dhe ishte kthyer përsëri në qeli.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura