Të shpëtojmë demokracinë, të ruajmë lirinë!

Feb 20, 2024 | 8:05
SHPËRNDAJE

NGA BESIM NDREGJONI besimndregjoni

Të nderuar bashkëvuajtës, qëndrestarë antikomunistë! Mbas 33 vjet “tranzicioni” që akoma vazhdon, duket sikur kemi arritur pikën ma të ulët në demokratizimin e vendit dhe kemi ra në një pellg imoraliteti që kërcënon me u revelue “i pashërim”.

Ne, antikomunistët, të mbijetuarit e diktaturës, ne që përballuam plumbat dhe hekurat e diktaturës, kemi 33 vite që kërkojmë të memorizohet jeta e mbi 6000 shqiptarëve që i vrau komunizmi dhe sot nuk kanë një varr në tokën e tyre dhe pasardhësit e xhelatëve ngrenë në piedestal kriminelin Enver Hoxhën! Ne që përballuam mbi 914.000 vite burg e internim të pafund përballemi mbas 33 vitesh me përçmimin e pasardhësve të komunizmit.

Sigurisht dhe fatkeqësisht trashëgimtarja e komunizmit që sundon sot Shqipërinë këtë palo demokraci e kanë kthyer në propagandë komuniste, duke i kthyer objektet e diktatorit më gjakpirës të luftës së ftohtë ndaj kombit të vet në një propagandë që këto objekte të shërbejnë si mjete propagandistike në një kohë kur Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk i ka dënuar krimet makabre të diktatorit Enver Hoxha.

Apologji e krimeve të komunizmit. Për çfarë nuk është bërë pishman Edi Rama për 6000 burra gra fëmijë të pushkatuar dhe që iu ka zhdukur kufomat nga diktatori, për 36.000 burra dhe gra që provuan burgjet dhe kampet shfarosëse të komunizmit, për zhdukjen e mijëra institucioneve fetare, për vrasjen e klerikëve të të gjitha besimeve në Shqipëri. Dhe ka 32 vite që kjo mazhorancë nuk ka ndërgjegjësimin të dënojë këto krime, por vazhdon propagandën në nderim të diktatorit Hoxha. Nuk është bërë pishman se ne nuk lejuam hakmarrje individuale ndaj xhelatëve të komunizmit, por ia kaluam drejtësisë ta dënojë krimin enverist. Ne përçuam paqen, kryeministri përçon urrejtjen.

Sot, shqiptarët dhe shqiptaret janë të djegur për liri e demokraci. Ata janë të sigurt që, nëse e tashmja ashtë grabitur nga oligarkët e pseudo-politikës në Shqipëri, e ardhmja i takon lirisë dhe demokracisë për të gjithë! Të nderuar fisnikë shqiptar! Nesër, më 20 shkurt, është dita e fillimit dhe mbrojtës së lirisë. Nesër ju që përballuat diktaturën, familjarisht në shesh të shpëtojmë demokracinë dhe të ruajmë lirinë! Çdo shqiptar është i vetëdijshëm se pa mbrojtur demokracinë, ne nuk kemi liri!

Nesër, më 20 shkurt, duhet t’u tregojmë balilëve të komunizmit, se kriminelin Enver Hoxhën ia tërhoqëm zvarrë bustin për krimet që kishte bërë, ju paralajmërojmë se nuk do t’u lejojmë juve, pasardhësve bastardë të xhelatëve të komunizmit, të na merrni lirinë që e kemi fituar me gjak të pafajshëm. Nesër do t’ju tregojmë shqiptarëve se nuk do të lejojmë që të heshtet ndaj krimeve të komunizmit, por ata që nesër në protestën madhështore do të marrin miratimin e popullit shqiptar për t’i dënuar me ligj këta krime makabër që u banë ndaj shqiptarëve.

Nesër i madh e i vogël, çdo familje antikomuniste të jetë në shesh për të nderuar gjakun e derdhur të shqiptarëve nga diktatura enveriste dhe për të dënuar përçmimin e balilëve enveristë, që sundojnë Shqipërinë. Demokracia është themeli i sigurisë dhe e një qeverie të përgjegjshme e bazuar në shtetin e së drejtës, zgjedhje të lira, të drejta të konkurrencës, media të hapura, respekt për opozitën dhe shoqërinë civile, të drejta të plota për antikomunistët shqiptarë!

Me lirinë dhe demokracinë nuk ka nevojë për kompromise. Nesër duhet t’u bëjmë të qartë imituesve të diktaturës dhe të ju dërgojmë sinjalin sqarues: ne, antikomunistët nuk do të lejojmë asnjë pushtet që të na cenojë lirinë dhe demokracinë në vendin tonë! Demokracia nuk pret! Autori: President i Unionit të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura