Të përndjekurit, ja sa këste do ndahen brenda këtij viti

Jul 27, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Ndryshe nga sa pritej, këtë vit ish-të përndjekurit që jetojnë duhet të mjaftohen duke marrë vetëm këstin e gjashtë të dëmshpërblimit. Edhe pse u tha që do të niste edhe pagesa e shtatë, gjasat janë që kjo të mos ndodhë. Kjo konfirmohet edhe nga Ministria e Financave.

Ish te perndjekur politike, duke protestuar para godines se parlamentit
Ish te perndjekur politike, duke protestuar para godines se parlamentit

Zyrtarisht, ky institucion bën me dije se fondi i mbetur mjafton vetëm për të mbyllur 6 këste dëmshpërblimi për kategorinë parësore. Pak ditë më parë u njoftua edhe çelja e aplikimeve nga ana e atyre që kishin marrë pesë këste.

Bëhet fjalë për rreth 2425 përfitues. Sakaq, edhe më i ngadaltë ka qenë procesi për trashëgimtarët, në radhët e të cilëve ka ende nga ata të cilët nuk janë trajtuar asnjëherë me dëmshpërblim. Nga Financat mësohet se është gati lista me 660 përfitues.

“Procesi i shpërndarjes së dëmshpërblimeve për ish-të dënuarit politikë nga regjimi komunist ka kaluar në fazën e pagesës së këstit të 6-të për kategorinë parësore. Ndërsa për trashëgimtarët ka përfunduar procesi i shqyrtimit të 572 dosjeve për këstin e dytë dhe janë në proces shqyrtimi dhe 108 dosje të tjera. Fondi i miratuar mbulon pagesën e këstit të 6-të për kategorinë parësore dhe pagesën e këstit të dytë të listës së publikuar për pagesë”, bëhet e ditur nga Financat.

TRASHËGIMTARËT

Vonesat e krijuara në ndarjen e dëmshpërblimit për trashëgimtarët janë përligjur me argumentin e pamjaftueshmërisë së fondit që adresohet çdo fillimvit për këtë kategori. Nga ana tjetër, problem mbeten edhe mangësitë që rezultojnë në dosje, të cilat kanë mbajtur peng procesin.

“Për kategorinë e trashëgimtarëve, procesi është në pagesën e këstit të dytë dhe njëkohësisht kryhet dhe pagesa e këstit të parë për të gjithë ish-të dënuarit që u është miratuar dëmshpërblimi, por për mungesë dokumentesh nuk janë dëmshpërblyer. Procesi i pagesës për këtë kategori është më i ngadaltë për faktin se, në bazë të ligjit, buxheti vjetor i vënë në dispozicion për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë ndahet në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70 për qind për të gjitha kategoritë e subjekteve përfituese parësore dhe 30 për qind për trashëgimtarët e ish-të dënuarve”, thuhet në njoftim.

DOKUMENTET

Dorëzimi i dokumenteve brenda afateve është parakusht për të përfituar dëmshpërblimin. Ish-të përndjekurit apo familjarët e tyre kanë 3 muaj kohë në dispozicion për të bërë plotësimin e dosjes në mënyrë që t’i hapet rruga disbursimit të parave.

“Brenda një afati 3-mujor nga data e publikimit të listës, të gjithë ish-të përndjekurit, të cilët janë pjesë e saj, duhet të dorëzojnë në strukturën përgjegjëse të Ministrisë së Financave dokumentet e parashikuara në aktet nënligjore që janë nxjerrë në zbatim të ligjit. Respektimi i afateve ligjore mbi dorëzimin e dokumentacionit krijon përqendrimin e pagesave në fundin e përfundimit të afateve, për shkak se jo të gjithë përfituesit parësorë i dërgojnë ato në kohë”, sqaron më tej Ministria e Financës.

Për këtë vit janë vënë në dispozicion 20 milionë dollarë. Në 6-mujorin e parë të këtij viti, ritmet e kryerjes së pagesave kanë qenë të ulëta. Kjo gjë ka shtuar edhe dozën e pakënaqësisë në radhët e të dënuarve.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura