Të përmbyturit bllokojnë rrugën: Duam dëmshpërblim

Mar 1, 2015 | 9:40
SHPËRNDAJE

Vendimi i qeverisë për të falur energjinë për familjet e zonave të përmbytura nuk është pritur mirë nga banorët. Ata e konsiderojnë mashtrim për të mos u dhënë paratë e dëmshpërblimit nga ngjarjet e viteve 2010-2011. Dje, banorë të zonës së Nënshkodrës, të cilët u përkasin fshatrave të Bërdicës e Dajçit, i kërkojnë qeverisë dëmshpërblim në masën 100 për qind të dëmeve nga përmbytjet për banesat dhe bujqësinë, heqjen e faturave abuzive, si dhe fshirjen e kamatëvonesave në debitë e tyre.

Protesta ne Shkoder

Paraditen e së shtunës, mbi 20 minuta, rreth 200 banorë të zonës së Nënshkodrës kanë protestuar duke bllokuar rrugën nacionale ShkodërLezhë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”. 

Është dashur ndërhyrja e policisë që të lirohet rruga për automjetet, ndërkohë që banorët kanë paralajmëruar protesta të tjera edhe më të fuqishme në rast se qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e tyre. Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e zonave të përmbytura të Nënshkodrës kanë protestuar duke bllokuar superstradën. Sipas banorëve që kanë dalë në protestë, një vendim i tillë është marrë ndaj qeverisë ,e cila nuk po i përfill fare kërkesat e tyre.

“Ne kërkojmë që të dëmshpërblehemi në masën 100 % për banesat, pajisjet dhe orenditë shtëpiake. Gjithashtu edhe për bizneset, dëmet në bujqësi dhe blegtori”. Banorët thonë se duhet të dëmshpërblehen sipas ligjit për digat, pasi përmbytja në pronat e tyre ndodhi si pasojë e hapjes së portave të hidrocentraleve dhe jo thjesht nga shirat. Falja e debive për vitet 2010- 2011 konsiderohet tallje për banorët e zonave të përmbytura.

“Këto janë abuzime të kompanisë, ndaj nuk ka pse na faturohen ne si debi dhe pastaj gjoja të na falen. Dëmshpërblimi të na jepet 100 % pastaj ne me paratë që do të marrim, i shlyejmë vetë debitë. Edhe këtu qeveria duhet të bëjë kujdes, sepse në debi nuk duhet të pasqyrohen kamatëvonesat. Në të kundërt, edhe ne do të kërkojmë kamatëvonesat e shumave të dëmshpërblimit”, thanë banorët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura