Të pastrehët, kriteret e reja për të marrë shtëpi

Jan 5, 2016 | 11:34
SHPËRNDAJE

Emigrantët e rikthyer do të kenë mundësi të përfitojnë nga programet e strehimit, nëse e kanë të pamundur për të siguruar një banesë në emrin e tyre. Bonuset e strehimit do t’u vijnë atyre në ndihmë për të përballuar qiranë mujore.

banesa socialePor kjo mbështetje financiare, që do të garantohet nga shteti, nuk mund të jetë më e lartë se 50 për qind e vlerës së qirasë që familja do të ketë apo ka në ngarkim. Në mbledhjen e saj të fundit, qeveria ka miratuar procedurat dhe kriteret e reja që do të aplikohen për këtë program strehimi përgjatë këtij viti.

KATEGORITË

Në radhën e përfituesve nga programi, që janë në listën e gjatë të të pastrehëve, janë përfshirë edhe punonjësit e Policisë, si edhe familjet e policëve të rënë në detyrë. Ndërkohë prioritet do të vazhdojnë të kenë personat me aftësi të kufizuara, ata që kanë statusin e jetimit, si edhe komuniteti rom.

Brenda muajit janar familjet që vijnë nga këto kategori kanë të drejtë të kryejnë aplikimin pranë bashkive përkatëse. Në fund të muajit do të shpallen edhe listat e përfituesve.

“Njësitë e qeverisjes vendore, brenda datës 30 janar, të çdo viti, paraqesin pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit kërkesat për bonus strehimi, të shoqëruar me kostot financiare për çdo familje, si dhe listën e detajuar të familjeve përfituesve”, thuhet në pikën 6 të vendimit. Në buxhetin e miratuar për këtë vit janë vetëm 100 milionë lekë të vjetër që do të përdoren për bonuset e strehimit, që u vinë në ndihmë familjeve të pastreha.

KONTRATA

Afati i lidhjes së kontratës së qirasë nuk mund të jetë më i shkurtër se një vit. Në ligj është e përcaktuar se familja që ka përfituar bonusin e strehimit mund të dalë nga kjo skemë pas një viti, nëse vërtetohet që ajo ka zgjidhur problemin e strehimit, ose nëse të ardhurat e familjes janë rritur aq sa për të përballuar pagesën e qirasë.

Për llogaritjen e bonusit të strehimit që mundësohet nga shteti, merren në konsideratë të ardhurat mujore që familja gjeneron. Kështu p.sh, nëse një familje ka 30 mijë lekë të ardhura mujore dhe i duhet të paguajë 15 mijë lekë qiranë, atëherë bonusi që ofrohet nga shteti është 6 mijë lekë. Diferencën prej 9 mijë lekësh e paguan familja.

APLIKIMET

Aplikimet do të bëhen pranë njësive të qeverisjes vendore. Këto të fundit, brenda këtij muaji do të depozitojnë kërkesë pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban. Listat e përfituesve po ashtu do të shpallen brenda këtij muaji.

Ndërkohë, në vendim janë përcaktuar edhe kriteret për bashkitë që do të mbështeten financiarisht. Së pari, duhet të konfirmojnë se nuk disponojnë në pronësi banesa sociale me qira, si edhe të argumentojnë se buxheti vjetor i tyre nuk është i mjaftueshëm për të financuar bonusin e strehimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura