“Të amendohet ligji që pengon zbardhjen e së shkuarës së shtetarëve”

Oct 11, 2017 | 20:18
SHPËRNDAJE

“Amendimet e Ligjit 45-2015, në ato nene që pengojnë transparencën e plotë për të shkuarën e të gjitha kandidaturave për emërime për zgjedhje në institucionet e shtetit, në mediat publike e private, në shkallët drejtuese të arsimit e kulturës e të qarqeve shkencore dhe akademike”.

Kjo është një nga hapat që duhen ndjekur për të vënë në eficiencë Autoritetin e Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas një prej anëtarëve të AIDSSH-së, Daut Gumeni.

Daut Gumeni

Sipas tij, AIDSSH do të kishte funksionuar më mirë nëse do të kishte infrastrukturën e duhur, të kishte arkivin e dosjeve dhe punonjës të specializuar në arkivistikë. “Sepse, e përsëris, nuk mund të bëhet një kërkim shterues e një transparencë e plotë, pa Arkivin e duhur e pa plotë- suar institucionin me arkivistë të specializuar dhe të aftë”. Ai numëron disa hapa që duhen hedhur, në mënyrë që institucioni në të cilin ai është ofruar të japë kontributin e vet në zbutjen e plagëve të së shkuarës, të mund të kryejë funksionin e vet. Gumeni, i cili ka vuajtur 23 vjet në burgjet e diktaturës, është një ndër të parët që është konsultuar me dosjen e tij. Ai tregon për “Panoramën” se çfarë zbuloi në këtë dosje. Po ashtu, ai i përgjigjet pyetjes edhe për vendosjen në krye të Parlamentit shqiptar të Gramoz Ruçit.

Z. Gumeni, nëse do kthehemi një vit pas në kohë, ju përse pranuat t’i bashkoheshit AIDSSH-së?

Pranimi im për të marrë pjesë si anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, qe në përgjigje të kërkesës nga Drejtori i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politike, z. Bilal Kola dhe disa shoqatave të tyre. Do të pranoja të ndihmoja plotësimin e çdo kërkese të të burgosurve politikë të diktaturës, edhe pa pagesë. Them këtë, sepse respektoj vuajtjet të gjithëve, qoftë dhe atyre që harrojnë për njëmijë e një arsye se duhet që vuajtjet duhet të na bashkonin, edhe kur për fat të mirë, kemi pasur e kemi mendime të ndryshme për mjaft dukuri të kësaj bote.

Njerëzit kanë qenë gjithnjë skeptikë për hapjen e dosjeve, a kanë të drejtë?

Vonesa e gjatë në hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist, patjetër që u jep të drejtë njerëzve të jenë skeptikë. Sepse kjo vonesë e gjatë e tranzicionit tonë, ka pasur arsye, që nuk kanë të bëjnë me transparencën aq të nevojshme që njerëzit t’i kthehen punës dhe paqësimit, t’i kthehen shërimit të plagëve të shkuara për të ecur drejt një të ardhmeje me dhimbje të qetësuara nga një zhvillim normal i vendit.

Në një intervistë, dhënë për gazetarin Roland Qafoku, ju thatë se AIDSSH nuk ka infrastrukturën e duhur, a e ka penguar kjo punën e këtij institucioni?

Doemos që duhet të bëhej më shumë e do të bëhej vërtet më shumë e më mirë dhe nga institucioni ynë i ri, po qe se do të kishim të gatshëm me kohë mjedisin e nevojshëm për Arkivin e Autoritetit. Sepse mungesa e mjedisit të përshtatshëm për ta pasur Arkivin brenda institucionit, përbën dhe pengesën e parë të rëndësishme për të pasur një punë me gratin e duhur. Sepse, e përsëris, nuk mund të bëhet një kërkim shterues e një transparencë e plotë, pa Arkivin e duhur e pa plotësuar institucionin me arkivistë të specializuar dhe të aftë. Mbase nuk dihet nga të gjithë, megjithëse shumë herë është bërë e njohur nga Autoriteti, që nga 60 punonjës të nevojshëm, deri tani na janë dhënë vetëm një e katërta.

Çfarë mund ta bëjë AIDSSH-në të funksionojë?

Që të bëhet puna me gratin e duhur, në mënyrë që tëndihmohet një transparencë sa më e plotë mbi ato dosje të mykura, që pushtetet tona të tranzicionit i kanë përdorur për të marrë e për të ruajtur pushtetin, mendoj se duhen realizuar sa më shpejt, aq më mirë: a) Amendimet e Ligjit 45-2015, në ato nene që pengojnë transparencën e plotë për të shkuarën e të gjitha kandidaturave për emërime për zgjedhje në institucionet e shtetit, në mediat publike e private, në shkallët drejtuese të arsimit e kulturës e të qarqeve shkencore dhe akademike. b) Të zbatohet ai ligj i amenduar me saktësinë e duhur në të gjitha parashikimet e tij. c) Të mbarten sa më shpejt në Arkivin e Autoritetit të gjitha dosjet dhe dokumentet lidhur me Sigurimin e Shtetit. d) Të plotësohet institucioni i Autoritetit me specialistët e nevojshëm, sidomos arkivistë të specializuar në atë lëmë.

Ju e keni kërkuar dhe jeni njohur me dosjen tuaj. Zbuluat diçka që nuk e dinit në të?

Nga materialet e dosjes sime, ajo që njoha për herë të parë me njëfarë habie, ishte kërkesa e Komitetit të Partisë së Tepelenës për dënimin tim me vdekje, kur kisha marrë një dënim edhe përtej parashikimit të Kodit Penal të kohës, sepse dënimi i dytë pas tre vjetëve burg dhe pa një krim të kryer, pas dënimit të parë, shkoi 28 vjet (!) Sikurse u njoha dhe me stisje e thurje e qepje, kaluar me penj gjithë ngjyra, gjithnjë brenda logjikes dhe gjuhës së drunjtë të kohës, kur “armiku i popullit” dhe i Partisë duhej të ishte doemos me të gjitha të zezat e botës. Madje, pashë edhe raportime të njerëzve me shumë emra, që gjithnjë sipas tyre, i paskësha pranuar dhe vete se kishin firmosur ata dhe për mua. Kurse lidhur me akuzat e përfshira në nenet përkatëse të Kodit Penal të kohës, nuk gjeta asgjë të re e të panjohur për mua.

Zgjedhja në krye të Parlamentit i z. Gramoz Ruçi është përfolur shumë, për shkak të posteve drejtuese që ka pasur gjatë viteve të diktaturës, a ishte e drejtë kjo zgjedhje? Cili është mendimi juaj?

Fakti që z. Gramoz Ruçi u zgjodh në krye të Kuvendit edhe me vota nga opozita, më duket se është përgjigja më e mirë për këtë pyetje tuajën.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura