Tasha dhe Zeli: Thurëset e fundit të elektromotorëve

Dec 8, 2014 | 15:21
SHPËRNDAJE

Historia e tyre mund të jetë më e zakonshmja, ama askush nuk mund të thotë se si ato punojnë edhe të tjerë. Tasha dhe Zeli janë të fundit gra që merren ende me thurjen e elektromotorëve. Që nga uzina mekanike e deri sot, nuk janë ndalur asnjë ditë

Tavolina e tyre e punës ndahet nga rruga e kalimtarëve vetëm nga një vetratë xhami. Megjithatë ato i kanë minutat aq të numëruara saqë nuk kanë thuajse kurrë kohë për t’i hedhur sytë se ç’bëhet jashtë. Nga ambienti i zymtë e i errët ku punojnë, as kalimtarët nuk se e kthejnë ndonjëherë kokën në drejtim të tyre. Po ta bënin, do çuditeshin që në atë ofiçinë punojnë dy gra. Tasha dhe Zeli janë marrë me riparimin e elektromotorëve menjëherë sapo kanë mbaruar shkollën. Telat kanë qenë puna e tyre e parë. Të gjendura në një kohë që nuk u ofronte shumë alternativa, “një punë si të tërë” ishte zgjidhja e vetme. “Kam nisur të riparoj elektromotorë menjëherë sapo mbarova shkollën 8-vjeçare. Po në këtë kohë nisa edhe Politeknikumin natën për avolxhuese elektromotorësh ose thurëse, siç quhej ndryshe. As e kisha parë e as e kisha dëgjuar më parë se ç’ishte kjo punë, por mësova ta dua dhe nuk e bëja e sforcuar. Fillimi ishte i vështirë, por jo sepse mund të ngjante ndonjë punë për burra apo profesion i rëndë. Atëherë, femrat ishin gjithandej, nëpër të gjitha punët, kështu që nuk shihej siç mund të na shihni ju sot, me çudi”, tregon Tasha. E në fakt, me gjithë çudinë tonë, inxhinieri i këtij reparti tashmë të vogël, tregon se gjithëherët kjo punë është bërë nga gratë sepse kërkon durim e fantazi. “E kam nisur këtë zanat në vitin ’68 dhe vazhdoj ende sot. Llogaritë e viteve i bëni vetë… Në uzinën mekanike, ku kam nisur punën e ku kam vazhduar deri në vitin 2000, ishim 40 gra që punonim në këtë punë. Vërtet kërkon forcë, por më shumë kërkon fantazi. Këto telat që shihni në tavolinën e punës, duhen futur një e nga një nëpër hapësirat e trupit të motorit, duhen lidhur njëra me tjetrën në mënyrën e duhur. E nëse pas gjithë kësaj pune disaorëshe, elektromotori mund të bëjë një masë a të rezultojë jofunksional, duhet të merresh me të sërish nga e para. Por tashmë kjo është e përditshmja jonë…”. Me këto që tregon Tasha, mendoni se sa vajza sot do të shkonin në një shkollë të tillë, do të punonin si këto gra, duke e konsideruar atë një punë si gjithë të tjerat. Fantazia më ekstreme, sot vazhdon të jetë parukeria. “Kemi qenë në të njëjtën tavolinë pune për gati 30 vite. Bashkë me Tashën e inxhinierin kemi qenë edhe në uzinë. Unë jam pak më e re në profesion e në moshë, por historia është pak a shumë e njëjta. Asokohe do merrje doemos një zanat dhe të gjithë konsideroheshin njësoj. Nuk është që ne e zgjodhëm vetë apo ishte puna që kishim ëndërruar të bënim, ama do të bënim diçka patjetër. Në moshën tonë, kur kemi nisur punën, nuk mund të vendosje vetë, ishin prindërit ata që zgjidhnin e vendosnin për ne”, tregon Zeli që të vetmin ndryshim nga Tasha, ka 10 vite më pak në këtë zanat. Siç shihni edhe në fotografi, ajo është tryeza ku ato kalojnë tetë orë të çdo dite. Duart i kanë të ashpra e të nxira nga telat e punës. Veçse janë thuajse gjatë gjithë ditës të heshtura. Vëmendja është vetëm për punën që kanë në dorë. Duket, për një njeri të panjohur me zanatin, sikur bëjnë vazhdimisht të njëjtën gjë, por siç thonë ato vetë, çdo motor është i ndryshëm nga tjetri e kërkon impenjim të një lloji tjetër. Nga ato 40 gratë e uzinës mekanike që bënin këtë punë, sot ka mbetur vetëm Tasha me Zelin. “Të tjerat kanë qenë më të moshuara e janë tërhequr, të tjera akoma nuk janë marrë më me këtë punë pas viteve ’90. Dikur, ne kemi mësuar nga më të vjetrat. Në uzinë, na vinin të punonim dyshe, një punonjëse me përvojë dhe një e re që do mësonte. Kështu kemi mësuar”. Ndërsa sot, sipas Tashës, por edhe sipas së përditshmes që ne vetë shikojmë, nuk është më askush që kërkon ta mësojë këtë zanat. “Më së shumti vijnë djem të rinj. Qëndrojnë pak ditë për të parë si punohet pastaj nga mungesa e durimit, tërhiqen”. Nuk dihet nëse, pas disa vitesh, do duhet që dikush ta bëjë ende këtë punë, ama dihet që, për momentin, punonjëse të këtij lloji nuk ka më në treg.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura