Taksa e re e pronës do të paguhet me faturat e ujit

Mar 2, 2017 | 16:00
SHPËRNDAJE

Fondi Monetar Ndë- rkombëtar e vlerësoi të suksesshëm përfundimin e marrëveshjes 3-vjeçare me qeverinë. Në raportin e FMN-së, ku jepet vlerësimi për vendin gjatë zbatimit të marrëveshjes, thuhet se janë arritur objektivat për korrigjimin e zhbalancimeve ekonomike dhe rikthimin e rritjes ekonomike mbi 3 për qind.

Ahmetaj

Për periudhën pas programit, Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon që qeveria të vazhdojë me reformimin e taksës së pronës bazuar mbi vlerën e tregut, uljen e borxhit, modernizimin e administratës tatimore dhe avancimin e Reformës në Drejtësi.

TAKSA E PRONËS

Fondi Monetar Ndërkombëtar përsëriti edhe një herë kërkesën për zbatimin e taksës së pronës bazuar në vlerën e tregut. Në raport thuhet se qeveria ka nisur mbledhjen e të dhënave për pronën në projektin pilot në qytetin e Tiranës, Durrësit, Korçës dhe Fierit. Fondi Monetar Ndërkombëtar shpjegon se kjo taksë do të mblidhet nëpërmjet faturave të ujit. FMN e mbështet kërkesën për vendosjen e taksës së re të pronës bazuar mbi nivelin e ulët të arkëtimit që ka sot kjo taksë.

“Autoritetet kanë si qëllim të prezantojnë një taksë për pronën të bazuar në vlerën e saj deri në fund të 2017-s, pasi të ardhurat e taksave të pronës mbeten shumë të ulëta sipas standardeve rajonale. Si veprim paraprak, Kryeministri ka miratuar një plan veprimi dhe ka caktuar një grup pune të nivelit të lartë për të drejtuar procesin. Një kadastër fiskale po zhvillohet në përpunim me kompaninë e shpërndarjes së energjisë. Ministria e Financës po kryen programe pilote me katër bashki të mëdha për të përforcuar mbledhjen, duke ndarë të dhënat e pronave në shkallë kombëtare, duke integruar faturat e taksës së pronave në faturat e ujit dhe energjisë, dhe duke mbledhur taksën e pronës të bazuar sipas zonës, në bazë të ligjit aktual. Gjithashtu po përgatiten edhe ndryshime legjislative”, thuhet në raportin e FMN-së.

REKOMANDIMET

Fondi Monetar Ndërkombëtar jep edhe rekomandimin për vazhdimin e reformave dhe uljen e borxhit. “Prioritetet kryesore të autoriteteve në periudhën post programit janë të përshtatshme. Edhe për vitin 2017 duhet të vazhdojë konsolidimi fiskal, në mënyrë që borxhi publik të ulet në rreth 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në fund të vitit 2019.

Strategjia e konsolidimit duhet të përqendrohet në zgjerimin e bazës tatimore dhe përmirësimin e administratës tatimore. Strategjia është ambicioze dhe do të kërkojë angazhimin e palëkundur politik. Autoritetet duhet të vazhdojnë avancimin e Reformës në Drejtësi të iniciuar së fundmi me mbështetjen e BE-së, e cila synon të reduktojë korrupsionin e gjykatave dhe të përmirësojë klimën e investimeve”, thuhet në raportin e FMN-së. Pas raportit të FMN-së, ka reaguar me një postim në rrjetet sociale edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

“Një tjetër vlerësim për suksesin e programit me Shqipërinë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar. FMN vlerësoi dje përmes një deklarate zyrtare arritjet kryesore të ekonomisë shqiptare përgjatë tre viteve të fundit, me fokus rimëkëmbjen ekonomike, uljen e borxhit dhe konsolidimin makroekonomik e fiskal. Duke rekomanduar vazhdimin e reformave, FMN e vendos theksin kryesisht tek avancimi i reformës në drejtësi dhe reformave strukturore të lidhura me të, për zgjidhen e problematikave të institucioneve dhe ineficencës së sistemit gjyqësor”, tha ministri Ahmetaj në rrjetet sociale.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura