“Tahiri”, Felaj: Ta zbardhin organet e drejtësisë, ne nuk mund të lejojmë…

Nov 17, 2017 | 12:34
SHPËRNDAJE

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj, ne nje interviste per Gazeta Shqiptare e pyetur rreth ceshtjes “Tahiri” tha se kete duhet ta zbardhin organet e drejtesise.

Ermonela-Felaj-duke-770x433

Një nga çështjet që u bë temë e ditëve të fundit ishin përgjimet e bandës së Habilajve, ku u përmend edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sigurisht do të jetë gjykata që do e vendosë, por sa besoni ju në pafajësinë e kolegut tuaj?

Nuk e shoh këtë çështje si çështje të vënit bast. E shoh si një çështje që është detyrim i organeve të drejtësisë për ta zbardhur. Nga ana tjetër Partia Socialiste, grupi parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë ka mbajtur një qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje. Saimir Tahiri është nën hetim dhe natyrisht i takon prokurorisë dhe gjykatës që të shpallin para publikut të vërtetën për çështjen në fjalë, e vetmja gjë për të cilën ne nuk ishim dakord me kërkesën e prokurorisë ishte kërkesa për të vendosur masën e arrestit me burg ndaj tij dhe konsiderata jonë për të mos e pranuar këtë çështje lidhet thjeshtë dhe vetëm me faktin që ne nuk mund të lejojmë që precedentë të tillë  nuk ngrihen dhe bazohen në prova të mund të bëhen shkas pastaj për t’u përdorur për raste të tjera. Dhe qëllimi që në Kushtetutën tonë kemi një dispozitë të tillë që e lejon organin e prokurorisë të hetojë çdo lloj vepre penale ndaj deputetëve, por e kufizon në momentin kur duhet të marrë masa që i heqin lirinë deputetëve, nga ky qëllim është nisur që të mos lejojë përdorimin politik të çështjeve të ndryshëm. Dhe nuk është një gjë që e kemi vetëm ne. Të gjitha legjislacionet e vendeve që janë më demokratike se ne e kanë të njëjtin parashikim në Kushtetutat e tyre, dhe jo më kot. Deputetët janë figura publike dhe si të tillë ata janë në qendër të kritikave të publikut dhe nganjëherë lehtësisht mund të bëhen shënjestra. Kështu që në këtë kuptim i takon parlamentit të mbrojë trupën e vet dhe të mos lejojë goditjen e trupës së vet, kushdo qoftë, për qëllime mirëfilli të luftës politike. Kjo ka qenë konsiderata e vetme që ne e kemi shprehur publikisht. Nga ana tjetër, është e qartë që qeveria në ndryshim nga ajo që ndodhte në të shkuarën as nuk ka linçuar ndonjë nga trupa e prokurorisë, as nuk ka krijuar për shkak të fuqisë e kompetencave të veta ndonjë pengesë në hetimin e çështjes në fjalë apo edhe çështjeve të tjera. Nuk besoj që do të dëgjoni ndonjëherë ndonjë prononcim nga ana e prokurorisë dhe gjykatës që kjo po ndodh në maxhorancën tonë.

Burimi: http://www.gsh.al/2017/11/17/intervista-felaj-mandati-prokurorit-te-pergjithshem-si-zgjidhet-ngerci-tahiri-ta-zbardhin-organet-e-drejtesise/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura