Tabela/ Tetë rrugët e tjera me pagesë, zbardhen tarifat për makinat

Jul 27, 2016 | 14:32
SHPËRNDAJE

Qeveria ka parashikuar edhe 8 rrugë të tjera për t’i kthyer me pagesë. Strategjia e taksimit të rrugëve të hartuar nga BERZH-i rekomandon se tarifa që duhet të paguajnë qytetarët varion nga 0,5 euro cent në 3,5 euro cent për kilometër.

rruga kombit

“Panorama” zbardh tarifën pa TVSH që do të paguajnë drejtuesit e makinave edhe për 8 rrugët e tjera, sipas dy tarifave të rekomanduara. Në strategji rekomandohet që aplikimi i taksimit për koncesionin e rrugëve të zhvillohet gradualisht, në 3 faza.

Për zbatimin e menjëhershëm, rekomandohet vendosja e taksës në rrugën Tiranë-Durrës, Tiranë- Elbasan dhe Rruga e Arbrit, e cila ende nuk ka përfunduar.

“RRUGA E KOMBIT”

Tarifa për të gjithë drejtuesit e automjeteve që do të kalojnë Rrugën e Kombit do të jetë 5 euro. Ministria e Transporteve sqaroi dje se tarifa që do të aplikohet për veturat është 4,16 euro pa përfshirë TVSH-në. Shifra është llogaritur sipas kilometrave, ku një kilometër rrugë në Milot-Morinë drejtuesve të makinave do t’ju kushtojë 3,63 euro cent.

“Tarifa për përdorimin e rrugës do të jetë 4.16 euro pa TVSH-në pra, 3.63 euro cent për kilometër, meqenëse rruga është 114.5 kilometra e gjatë. Tarifa për rrugën Milot-Morinë është miratuar në Korrik të 2014, bazuar mbi rekomandimin e konsulentit “IFC”. Pavarësisht këtij fakti, tarifa e përcaktuar për rrugën Milot-Morinë është vetëm 3.7% më e lartë se sa sugjerimi i “Egnatia Odos”.

Konsulenti i “Egnatia Odos”, financuar nga BERZH-i, në studimin për taksimin e rrugëve në Shqipëri, ka sugjeruar përdorimin e një tarife prej 3.5 euro cent për kilometër pa TVSH”, shpjegoi këshilltari për mediat, Hitaj.

TARIFAT PËR 8 RRUGËT

BERZH-i rekomandon dy kategori tarifash që duhet të paguajnë qytetarët: tarifa minimale 0,005 cent euro dhe maksimalja 0,035 cent euro. Për zbatim të menjëhershëm kërkohet vendosja e taksës në rrugën Tiranë-Durrës, Tiranë- Elbasan dhe Rruga e Arbrit që ende nuk ka përfunduar.

rruget-me-pagese

Sipas tarifave të propozuara nga BERZH-i dhe llogaritjeve për koston minimale dhe maksimale të kalimit, një makinë pa TVSH që të përshkojë aksin Tiranë-Durrës duhet të paguajë 0,17 euro sipas tarifës minimale dhe 1,19 euro pagesa minimale. Për rrugën Tiranë- Elbasan, tarifat që llogariten variojnë nga 0,135 euro cent në 0,945 euro cent. Në Rrugën e Arbrit që ende nuk ka përfunduar, tarifat e taksimit për koncesion variojnë nga 0,375 euro cent në 2,625 euro cent.

Në fazën e dytë propozohet tarifimi për rrugën Levan-Vlorë dhe Durrës-Fier. Kostot e kalimit në rrugën Levan –Vlorë variojnë 0,121 deri 0.847 euro cent, ndërsa në rrugën Durrës- Fier pagesat variojnë nga 0,341 në 2,387 euro cent. Për zbatim në fazën e tretë rekomandohet taksimi për rrugën Elbasan- Kapshticë dhe Tiranë –Hani i Hotit.

Për këto dy rrugë, strategjia e BERZH-it nuk rekomandon dhënien me koncesion të gjithë aksit, por vetëm një pjesë të tyre. Për rrugën Elbasan- Kapshticë rekomandohet dhënia me koncesionin vetëm për 41,6 kilometër.

Tarifat që llogariten për këtë aks variojnë nga 0,208 euro cent në 1,456 euro cent. Për rrugën Tiranë –Hani i Hotit rekomandohet dhënia me koncesion për 45 kilometër. Tarifat që llogariten variojnë 0,225 deri në 1,575 euro cent.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura