Tabaku: Katër pasojat negative që do të sjellë taksa e re për biznesin e vogël

Apr 9, 2018 | 17:25
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike dhe anëtarja Komisionit të Ekonomisë, ka qenë sot e pranishme në takimin me biznesin e vogël, ku ka treguar disa nga pikat se taksa e re që është vendosur po e shkatërron këtë sektor të ekonomisë.

Sipas Tabakut, kjo taksë do të sjellë mbylljen e 50 mijë bizneseve, rritjen e çmimeve deri në 16% si dhe rritjen e papunësisë.

Më tej në postimin e saj në Facebook, deputetja e PD ka renditur dhe disa nga alternativat se si mund të  dilet nga ky shkatërrim.

jorida tabaku

Postimi i plotë

Sot ishim të ftuar nga Shoqata e Biznesit të Vogël për të dëgjuar shqetësimet e tyre mbi vendosjen e TVSH. Për rreth dy orë anëtarët e shoqatës treguan qartë se çfarë do të thotë për to aplikimi i zinxhirit të TVSH-së:

  • Mbylljen e 50 mijë bizneseve të vogla
  • Rritjen e çmimeve nga 8% deri në 16% për çdo produkt përfshirë edhe produktet e shportës.
  • Biznesit të Vogël do t’i rriten kostot si pasojë e shpenzimeve shtesë që duhet të kryejë për kontabilistin apo llogaritarin dhe do të ketë një fitim më të ulët.
  • Rritje të papunësisë si pasojë e mbylljes së bizneseve apo shkurtimit të stafit prej shpenzimeve më të mëdha.

Në kushtet kur shumica e sipërmarrjeve në vend janë Biznes i Vogël vendimi i qeverisë rrezikon të prekë jetët e tyre dhe gjithashtu të prodhojë një shtrëngesë artificiale në interes të pak bizneseve. Ne në fund të takimit Basha prezantoi projektin e partise Demokratike që jemi të bindur se do t’u shërbejë jo vetëm bizneseve të vogla por edhe ekonomisë:

  • Rritjen e limitit mbi të cilën aplikohet TVSH në 12 milionë lekë, duke përcaktuar segmentin 0-12 milionë lekë për biznesin e vogël.
  • Taksë 0.5% e xhiros që do të paguhet 3 herë në vit nga Biznesi i Vogël
  • Shmangie e kontrolleve abuzive tatimore përmes pullës fiskale që do të vendoset në hyrje të çdo Biznesi të Vogël.

Vetëm këto lehtësira ndihmojnë biznesin dhe sipërmarrjen për të dalë nga ngarkesa e rëndë dhe e pakuptimtë fiskale ku janë sot. Ne besojmë tek tregu i lirë dhe iniciativa e gjithsekujt. Ne besojmë se qeveria nuk duhet të krijojë monopole por duhet të sigurojë ekzistencën e tregut të lirë dhe barazisë së mundësive për këdo.

Sot, ne i premtuam Biznesit të Vogël që do të kenë mbështetjen tonë për çdo protestë ndaj qeverisë që i ngarkon shqiptarët përditë e më shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura