Ta tregoj tek vettingu unë ty

Jan 16, 2020 | 12:23
SHPËRNDAJE

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer

LUÇIANO BOÇI/ E gjithë tufa e fjalëve që nxorri Balla pas rrëzimit të akuzës ndaj Bashës, mund të perifrazohet me kërcënimin e drejtërdrejtë ndaj gjyqtarëve sipas modelit: “Ta tregoj tek vettingu unë ty”.

Nuk është as hera e parë dhe as e rastit rrjedha kërcënuese dhe diktuese e mazhorancës. Ta tregoj tek vettingu… bërtet dhe Rama në parlament sa herë që vendimet e organeve të drejtësisë që merren janë jo në përputhje apo kombinim me interesat, pasionet negative apo ligësinë e tij të babëzitur.

Jo rrallë herë ai i ka bërë live gjygj politik gjyqtarëve dhe prokurorëve “armiq” politikë. Ndërsa Braçe këtë ta tregoj tek vettingu… e bërtet në mes të sallës së gjygjit, pa pasur as më të voglin hezitim për të diktuar dhe trysnuar vendimet e organeve, sepse i akuzuari ishte një kanakar i tij.

“Ta tregoj tek vettingu unë ty” u bë kësisoj lejtmotivi kryesor i mazhorancës përgjatë këtyre viteve, kur drejtësia është kapur e goditur brinjë më brinjë politikisht.

Paradoksalisht për vendime skandaloze që lirojnë me radhë drejtues bandash dhe kriminelësh, që shmangin krimet elektorale dhe fshehin korrupsionin e zyrtarëve të lartë, askund nuk e gjen të shpallur formulën kërcënuese politike. Përkundrazi, vendime të tilla konsiderohen si investime serioze të atyre që sigurojnë kapërcimin e “vrimës së gjilpërës” së vettingut.

Vrimë e cila zgjerohet e ngushtohet sipas orekseve dhe parametrave politike në shumë raste.

Në të nuk mund të kalojë prokurori babai i të cilit në vitin X shiti lopën pa numër nipti dhe dyshohet se nuk beson tek partia socialiste, por ama mund të kalojë Dvorani me trenin 100 milionësh të padeklaruar, i vetëdeklaruar si bir i partisë. Në atë vrimë ngec ai prokuror apo gjyqtar që konsiderohet pëdëist, sepse ka pirë kafe me djalin e xhaxhait që më pas është dënuar se ka vjedhur dhe kalon ai që ha, pi, bën dallavere, liron anëtarë bandash, vetëm e vetëm se zbaton pikë për pikë urdhërat e shefit politik e jep dënime për kundërshtarët e tij politikë.

Tashmë perdet e iluzioneve kanë rënë dhe mohikanët e fundit të besimit tek një reformë drejtësie në opinionin publik, po bien një nga një. Besimi i dikurshëm ia ka lënë vendin humorit të hidhur të përzier me panik dhe me nota tallje.

Kudo në korridoret e drejtësisë drejtësia është zhdukur është fshehur nga frika. Dhe ajo më relativja. Qytetarët e kanë të pamundur ta kërkojnë atë, sepse gjithnjë e më shpesh ndeshen me murin vetting.

Ti mund të kesh plotësisht të drejtë po gjyqtari ka frikë ta japë se nuk e le vettingu. Ti s’ke bërë asgjë, por do dënohesh sepse jetojmë kohërat e vettingut e askush nuk do të marrë njollën e partisë që quhet vetting. E procesi i nisur me bujë për ta çuar drejtësinë tek qytetari është shtrembëruar e deformuar. Drejtësia nga aulat e gjyqeve tani vendoset në aulat e politikës.

Ajo nuk gjendet më në argumentat e faktet e parashtruara, por gjendet lehtësisht si aksesor në xhepat e xhaketave të Ramës, Braçes, Ballës dhe kompani. Vettingu nga rrjeta e kapjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar rezulton të jetë vetë i kapur nga rrjeta e politikës dhe qeverisë.

Në të gjithë këtë katrahurë për të shpëtuar atë pak pjesë të mbetur ende të pakapur, zgjidhja është heqja e pushtetit politik të atyre që si kalamaj, por poshtërsisht bërtasin: Ta tregoj tek vettingu unë ty!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura