Sulmi në Pogradec e masakra e 2017-ës në Lushnjë/ Vëllai i organizatorit dhe shoku i Orges Bilbilit kapen bashkë, si i shpëtoi Policisë në prill Anterio Kaloshi

Aug 14, 2020 | 15:30
SHPËRNDAJE

pogradec autoret

Anterio Kaloshi, 29-vjeçari nga Lushnja, i cilësuar nga Policia si ekzekutori i dy ngjarjeve në Tushemisht, ku iu bë atentat njo hoteli me qëllim për të vrarë djalin e pronarit të tij, është shoku i Orgest Bilbilit.

Panorama mëson se ai u ndalua në Tiranë ditën e djeshme dhe ishte arrestuar edhe gjatë operacionit të 10 prillit te “Xhamlliku”, ku mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë.

Burime nga Policia thanë se Kaloshi është kapur gjatë pasdites së të enjtes, 13 gusht, në një aksion të organizuar për zbardhjen e plotë të sulmit me armë në Tushemisht.

Në afërsi të Qesarakës është ndaluar automjeti i dyshimtë që po mbahej në vëzhgim nga Policia.

Anterio Kaloshi ka qenë në makinë bashkë me Meardi Berberin, vëllain e Ilir Berberit, që dyshohet të jetë organizatori i atentatit të ndodhur në hotel “Voloreka” mëngjesin e 8 gushtit, në Tushemisht të Pogradecit.

Të njëjtat burime thanë se Anterio Kaloshi është shoqëruar në Polici, bashkë me Meardi Berberin. Pas marrjes në pyetje për sulmin me armë në hotelin në Tushemishtit, atij i është komunikuar edhe arrestimi.

Kaloshi, shoku i Orges Bilbilit, ishte në kërkim për masakrën e 2017-ës në Lushnje.

Si i shpëtoi Policisë në prill shoku i Bilbilit

Anterio Kaloshi i shpëtoi Policisë së Tiranës mesditën e 10 prillit, ku në pranga ra Orgest Bilbili.

Të dy këta persona ishin duke lëvizur në këmbë në periudhën e izolimit total të vendit, pa “Leje për dalje”.

Një efektiv Policie vuri re lëvizje të dyshimta të Bilbilit, i cili po lëvizte me kapuç dhe iu afrua për ta kontrolluar, por në momentin që i bëri thirrje ai u largua me shpejtësi.

Polici e ndoqi dhe më pas e qëlloi me plumb në këmbë për ta neutralizuar, duke bërë më pas të mundur edhe arrestimin e tij.

Kaloshi, i cili jetonte në një apartament me Bilbilin, arriti t’ia mbathë. Policia gjeti në shtëpinë e marrë me qira me firmën e Jurgena Xh., e dashura e Anterio Kaloshit, një pasaportë të këtij të fundit, 900 euro si edhe një armë që dyshohet se i përkiste Kaloshit.

Anterio Kaloshi ishte shpallur në kërkim për masakrën e ndodhur në Lushnjë në vitin 2017. Në ngjarjen e tre viteve më parë u ekzekutuan me armë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marius Xhepexhiu.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura