“Sulmi i Iranit u paralajmërua”- Ilda Zhulali: Është një kujtesë se me çfarë do të duhet të përballet Izraeli çdo ditë nëse…

Apr 15, 2024 | 21:51
SHPËRNDAJE

Drejtuesja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD, Ilda Zhulali ka komentuar sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit.

ilda zhulali

E ftuar në studion e emisionit “Open” në Neës24, ajo u shpreh se ishte e çuditshme që sulmi u paralajmërua herët nga Irani, i cili deklaroi gjatë operacionit se ky sulm ishte në përgjigje të shkatërrimit të konsullatës në Damask dhe se Teherani nuk synonte përshkallëzim.

Sipas saj ky ishte një gjest vetëfrenues, ndërsa shtoi se Izraeli ka ndërtuar një infrastrukturë mbrojtëse të jashtëzakonshme, e cila iu përgjigj dronëve dhe raketave iraniane të shtunën.

“Ajo që bëri çudi ishte se ky sulm u paralajmërua herët nga Irani. Jo vetëm kaq, por teksa operacioni kishte nisur Irani tha se ky sulm ishte përgjigja e Iranit që nuk do të lejonte shkeljen e sovranitetit të vetë dhe nuk synonte përshkallëzimin. Ishte një gjest vetëfrenues. Kjo bëri që gjesti i të shtunës të dukej si një lojë. Mendoj se kjo ishte një kujtesë se me çfarë do të duhet të përballet Izraeli çdo ditë nëse do të përfshihej në një konflikt në shkallë të gjerë me Iranin.

Izraeli ka ndërtuar një infrastrukturë mbrojtëse të jashtëzakonshme, por edhe ka investuar në krijimin e marrëdhënieve të forta politike. Mund të ketë qenë edhe një test për mbrojtjen ajrore të Izraelit. Duhet përmendur fakti se nata e të shtunës ngjalli një frikë botërore sepse pasojat që mund të kishte ky sulm mund të ndiznin shkëndijën e një luftë të tretë botërore”, u shpreh ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura