Statistikat/ Golat, dyfishi janë shënuar në pjesën e dytë

Jun 25, 2016 | 14:24
SHPËRNDAJE

Shqipëria e la “gjurmën” e vet në Euro pian me golin e Armando Sadikut, por, për fat të keq, nuk mjaftoi për të shkuar në fazën tjetër, rrjedhimisht duke e ndërprerë në mes ëndrrën për të vijuar rrugëtimin historik në Francë.

GettyImages-541321152-630x415Goli historik i Shqipërisë erdhi me kokë. Mirëpo, kur janë mbyllur takimet e të gjitha ndeshjeve në grupe, një vëzhgim i hollësishëm i “Panorama Sport” jep një pasqyrë të qartë rreth mënyrës se si janë shënuar 69 golat e Europianit, ku dominojnë ato me këmbën e djathtë, në krahasim me majtoshët dhe goditjet me kokë.

Në 36 sfidat e ndeshjeve në grupe janë realizuar edhe 4 gola nga pika e bardhë e 11-metrave, pa harruar edhe 2 autogolat. Në këtë Europian nuk kanë munguar as golat nga jashtë zone që kanë gjetur të papërgatitur portierët respektivë, si edhe 3 golat me goditjet e dënimit, 2 prej të cilëve u realizuan me të majtën nga Gareth Bale i Uellsit.

Të djathtën – Mënyra më e thjeshtë për ta dërguar sferën në rrjetë është të shënosh me këmbën e djathtë. Kjo, edhe për faktin se shumica e lojtarëve e kanë këmbën e preferuar, ashtu siç e kanë pasur edhe golashënuesit e këtij Europiani për sa i përket fazës së grupeve. Kështu, nga 69 golat në total, më pak se gjysma e tyre janë shënuar me këtë këmbë, plot 31.

Në asnjë rast kur goli i pari i sfidës është shënuar me këmbën e djathtë, skuadra që ka kaluar në avantazh në këtë mënyrë nuk e ka humbur takimin.

Pra, nëse dëshiron të kesh sukses këtë kampionat, mjafton që golin e parë ta shënosh me këtë këmbë dhe statistikat tregojnë se nuk e humbet takimin. Grupi që ka shënuar më shumë gola me këtë këmbë është grupi D, plot 8 të tillë. Ndërsa skuadrat që kanë shënuar më shumë në këtë mënyrë janë katër të tilla në kuotën e tre golave: Anglia, Italia, Kroacia dhe Hungaria.

Të majtën – Mëngjarashët kanë pjesën e tyre në këtë renditje, por sigurisht që nuk mund të krahasohen me ata që shënojnë me këmbën e djathtë, të paktën për takimet në fazën e grupeve.

Nga 69 në total vetëm 22 gola janë shënuar me të majtën dhe grupet që mbajnë rekordin e golave në këtë mënyrë janë B dhe F, me nga 6 të tilla. Sfida që ka prodhuar më shumë gola me të majtën ka qenë ajo e grupit F, midis Hungarisë dhe Portugalisë (3 me 3), ku 4 rrjeta janë realizuar me të majtën.

Në të vetmin grup kur golat majtoshë janë në avantazh përballë atyre me të djathtën janë në grupin C, ndërsa në të gjitha grupet e tjera ka një dominim të golave me të djathtën. Skuadra që e ka gjetur më shumë rrugën e rrjetës në këtë mënyrë ka qenë Uellsi në grupin B, me plot 5 të tillë nga 6 që ka shënuar në total në fazën e grupeve.

Kokë – Goli me kokë i Armando Sadikut ndaj Rumanisë, që rezultoi edhe i vetmi në Europian për Kombëtaren tonë, ka për t’u mbajtur mend gjatë, për vetë vlerën historike që ka. Mirëpo, gola të tillë nuk kanë munguar këtë Europian, plot 14 të tillë, duke qëndruar poshtë në krahasim me ato me këmbë.

Është pikërisht Grupi A, ku bënte pjesë edhe Shqipëria, rekordmeni i golave në këtë mënyrë, me 4 të tillë. Në të gjitha rastet që është shënuar goli me kokë, skuadrat e këtij grupi kanë marrë pikët e plota. Ndërkohë, më të forta në luftën në ajër janë treguar Franca, Rusia dhe Spanja, që kanë shënuar dy rrjeta në këtë mënyrë.

Autogolat – Kanë qenë vetëm 2 autogolat e këtij sezoni, njëri në Grupin E dhe tjetri në atë F. Në të dyja rastet autogoli ka shërbyer për skuadrën kundërshtare që të barazojë sfidën dhe ashtu është mbyllur në fund. Bëhet fjalë Irlandë-Suedi 1 me 1 dhe po me këtë rezultat në Islandë- Hungari.

Autogoli i Grupit E është shënuar me kokë, ndërsa ai i Grupit F me këmbën e majtë. Të dy autogolat janë shënuar në pjesën e dytë të ndeshjes.

Penalltitë – Kur është mbyllur faza e grupeve, u arritën të shënoheshin 4 rrjeta me 11- metërsha dhe interesante është se të gjithë golat janë shënuar me këmbën e djathtë. Mirëpo, përpos shansit që skuadrat kanë pasur në këmbët e tyre për të shënuar në këtë mënyrë, në asnjë rast nuk ia dolën të merrnin tri pikët.

Skuadra më fatlume nga pika e bardhë ishte Rumania me dy të tilla, por në fund u detyrua t’i thoshte lamtumirë Europianit, pasi Shqipëria e nxori jashtë.

Jashtë zone – Në total nga të gjithë golat e shënuar, vetëm 11 prej tyre kanë ardhur nga goditjet jashtë zone, nga të cilat 3 prej tyre kanë qenë goditje dënimi që kanë përfunduar drejt e në rrjetë. Vetëm në Grupin B janë shënuar gola nga goditja e dënimit, ndërsa në grupet e tjera kanë munguar specialistët e shënimit në këtë mënyrë.

Për sa u përket golave jashtë zone në total, në avantazh janë majtoshët me 6 gola, në krahasim me 5 që kanë ardhur nga këmba e djathtë.

Hungaria mban rekordin e golave nga jashtë zone, teksa në barazimin 3 me 3 me Portugalinë i ka shënuar të gjithë golat jashtë vijës së 16 metrave dhe për më tepër me këmbën e majtë të tria rrjetat.

Pjesët – Përgjithësisht, gjithnjë pjesa e dytë është më efikase në shënimin e golave dhe kështu ka ndodhur edhe këtë Europian në ndeshjet e grupeve. Janë 24 gola të shënuar në pjesën e parë dhe 45 në të dytën dhe, në asnjë grup nuk ka më shumë gola në pjesën e parë.

Vetëm në grupin D numri i tyre është i barabartë, me nga 7 rrjeta për çdo pjesë. Ndërsa diferencën më të madhe e ka Grupi E, me 1 gol në pjesën e parë dhe 9 në të dytën. Kush shënon fraksionin e parë të lojës, nuk e humbet asnjëherë takimin, përveç Uellsit përballë Anglisë dhe Spanjës përballë Kroacisë.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura