Sondazhi, ku 63% e të anketuarve besojnë te Policia

Jul 18, 2018 | 10:54
SHPËRNDAJE

pellumb-nakoPËLLUMB NAKO

U bënë disa ditë kur Ministria e Brendshme me praninë e Kryeministrit dhe të trupës diplomatike në Shqipëri i bënë të njohur opinionit publik se sipas një sondazhi të realizuar nga Organizata Jofitimprurëse Idra, 63% e të anketuarve kanë besim dhe mbështesin Policinë. Nga sa u raportua në media, kjo përqindje ishte kurorëzim i punës së mirë të Policisë me komunitetin, në uljen e numrit të vrasjeve dhe në uljen e kultivimit të kanabisit, si dhe disa aspekte të tjera të zakonshme në vlerësimin që i bëhet Policisë.

Niveli 63% i besueshmërisë që gëzon Policia shqiptare, nivel ky që në vlerë numerike kapërcen edhe vlerësimin që ka publiku italian gjatë vitit 2017 për Policinë e tij të shtetit ( 61.1%), për armën e Karabinierëve ( 59.8%) dhe atë të Guardia di Financës ( 58.6%), në fakt nuk është ndonjë tregues konkret për besueshmërinë e popullsisë nëse nuk mbështetet nga disa të dhëna të tjera shumë të rëndësishme. Vetëm shifra në vetvete nuk tregon asgjë.

Nëse popullsia jep një përqindje e caktuar besueshmërie në lidhje me një institucion apo për institucionet e shtetit në përgjithësi, ajo duhet të jetë shprehje vlerësimi e një shoqërie heterogjene ku ekziston kohezioni social, ku ka harmoni solide ndërmjet të gjithë grupimeve dhe faktorëve socialë përbërës të saj.

Për institucionin e Policisë, elementi kryesor i besueshmërinë është legjitimiteti i kryerjes së veprimeve nga ana e saj. Sa më shumë publiku ta perceptojë legjitim veprimin policor, aq më shumë e mbështet dhe vullnetarisht madje. Dhe në vlerësimin që i bëhet Policisë, nuk mund të lihet pa u theksuar edhe fakti se një pjesë e publikut ka gjithmonë për tendencë mbështetjen ndaj këtij institucioni, pasi mbështet regjimin politik të atij vendi. Në këtë kontekst, shoqëria shqiptare, si ajo e gjithë vendeve të tjera, nuk përbëhet vetëm nga një masë popullsie homogjene.

Në shoqërinë shqiptare ka grupe të ndryshme interesi. Shtresa sociale të varfra, të mesme dhe të pasura, banorë në zona rurale e urbane, profesione me risk ose jo, breza të rinj dhe të moshuar si dhe grupime të vogla minoritetesh etnike, të cilët kanë vlerësime dhe perceptime të ndryshme për institucionet dhe po ashtu besueshmërinë ndaj tyre. Duke qenë se Policia nuk ka detyrë vetëm luftën kundër krimit, por edhe garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve të një vendi, siç është ajo e së drejtës për të manifestuar, ndjeshmëritë e natyrës politike nuk mund të jenë indiferente në vlerësimet e legjitimitetit të veprimeve policore.

Në shifrat e publikuara lidhur me besueshmërinë ndaj forcave policore italiane, konkluzioni vjen në bazë të vlerësimeve të dhëna nga persona të pyetur, që u përkasin grupimeve të ndryshme politike të së majtës, qendrës dhe së djathtës. Sidomos të ekstremeve, pasi ata janë me dyshuesit. Po ashtu, janë marrë grupmosha të rinjsh dhe të moshuarish, banorë të zonave rurale dhe urbane, tregtarë dhe profesione të tjera si dhe emigrantë. Vlerësimet e tyre, të llogaritura në përqindje, janë në shifra shumë të afërta me njëra me tjetrën.

Në 2018, ekstremi i djathtë në Itali i mbështet forcat policore në një përqindje pak më të lartë se mesatarja (4%) sepse mbështet ministrin e Brendshëm. Ai i majtë pak më pak, kurse një vit më parë ky raport ishte i kundërt. Megjithatë, në total grupimet ndryshojnë nga njëri-tjetri në masën 3 deri në 4 %. Pra, të gjitha shtresat dhe grupimet sociale italiane kanë një vlerësim thuajse të njëjtë për institucionet e sigurisë publike të vendit të tyre. Dakordësia e grupeve sociale është në përmasa maksimale. Ky është tregues i qartë i një kohezioni social sepse Policia u shërben të gjithëve njëlloj dhe po ashtu vlerësohet nga të gjithë.

Dhe në këtë rast duket qartë se institucioni është i shëndetshëm, demokratik, legjitim. Në Francë, ku vlerësimi për Policinë në 2018 është në masën 85%, përsëri ekstremi i djathtë aty e mbështet policinë në diferencë të pranueshme nga ai i majtë. Ajo që bie në sy në Francë, me gjithë kuotën e lartë të vlerësimit, është fakti se ndryshimi ndërmjet atij pozitiv të të rinjve është më i ndjeshëm nga ai kritik i të të moshuarve. Këta të fundit, në masën 90%, thonë se Policia duhet t’i dëgjojë më me vëmendje. Shkurt, diagnostikim i një ngërçi. Ky është sondazh. Jo demagogji. Të gjitha këto vlerësime bëjnë fjalë për shtete me demokraci të konsoliduar.

Pra, në vlerësimin e një institucioni të sigurisë publike, vlera e vërtetë qëndron jo në përqindjen e lartë në vetvete të vlerësimeve, por në dakordësinë e grupimeve sociale për vlerësimin në fjalë. Gjë, që në sondazhin e OJF-së nuk paraqitet gjëkundi. Vlerësime të mira ka edhe për Policinë turke. Turqia është një shtet demokratik për faktin se zhvillohen zgjedhje të rregullta një herë në katër apo pesë vjet, por pushteti aty është shumë i centralizuar.

Në një masë dërrmuese, mbështetësit e partisë së presidentit kanë një vlerësim dhe besueshmëri tepër të lartë te Policia turke, kurse opozita, sidomos ajo kurde, besueshmërinë e ka minimale. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me kohezion social. Nuk kemi dakordësi ndërmjet grupimeve, sado të larta qofshin shifrat. Nëse do ta ilustronim me shifra konkrete si shembull dhe do të na rezultonte se mbështetësit e presidentit besueshmërinë për Policinë do ta kishin në masën 80% dhe ata kurdë vetëm 30%, mesatarja do të rezultonte e kënaqshme: 55%.

Por hendeku i madh ndërmjet grupimeve në vlerësim e jep qartë dhe pastër faktin se kemi të bëjmë me një Polici që nuk u shërben të gjithëve në të njëjtën mënyrë, megjithëse për të paguajnë të gjithë njëlloj. Kemi të bëjmë me një polici të politizuar, që i shërben pushtetit. Pra, shifra totale e besueshmërisë nuk ka fare vlerë. Shqipëria, vendi ynë, për fat të keq, i afrohet më shumë Turqisë dhe nuk ka demokraci të qëndrueshme si në shembujt që u dhanë për Italinë apo për Francën.

Ndaj dhe shifra e dhënë plot triumf në këtë formë nuk flet dot për një Polici, e cila u shërben të gjithëve njëlloj. Nëse Idra ka pyetur me shumicë militantë apo mbështetës të qeverisë, shifra e besueshmërisë mund të dilte edhe më e lartë, por nuk tregon asgjë. Duke qenë se në vlerësimin e qytetarëve për Policinë, përveç legjitimitetit të veprimeve të saj si kryefjalë, duhen ditur edhe cilat janë anët e tjera që vlerësohen prej tij. Sociologët perëndimore thonë se e para është mënyra se si Policia kryen kontrollet.

Nuk e besoj se në vendin tonë banorët e Kukësit e më gjerë do të kishin vlerësim pozitiv për Policinë kur kontrollet dhe arrestimet e kryera prej saj për manifestimin e dhunshëm, u kryen natën dhe nga forcat speciale si të ishin terroristë. Tipari i dytë që vlerësohet është ai i sjelljes së saj gjatë manifestimeve. Nuk besoj se simpatizantët e opozitës në Shqipëri, madje dhe më shumë se ajo, do ta shohin Policinë si organ të besueshëm kur në manifestimet e saj shohin të griset dhunshëm parulla që ata mbanin.

Trajtimi i minoriteteve. Nuk besoj se romët e Korçës do të besonin Policinë kur për të kishin dyshime të rënda. Lista është më e gjatë dhe shumë kontestime mund të rreshtoheshin me këtë rast, por nuk është ky thelbi. Një OJF së bashku me majat e qeverisë i harxhuan paratë e taksapaguesve të vendeve mike për të deklaruar një shifër që nuk thotë asgjë, në mos për t’u shfrytëzuar për debate politike bosh, në vend që të bëhej diçka serioze për të diagnostikuar realisht problematikën e Policisë në vendin tonë.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura