Socialistët e Shkodrës përplasen me Bushatin: Keni në punë ende demokratët

Oct 10, 2015 | 8:01
SHPËRNDAJE

Me debate dhe akuza është shoqëruar edhe mbledhja e dytë në Partinë Socialiste të Shkodrës, ku i pranishëm ishte i deleguari nga qendra, Ditmir Bushati. Në takim morën pjesë edhe 2 deputetët e Shkodrës, Namik Kopliku dhe Paulin Sterkaj, ndërsa mungoi Mimoza Hafizi.

Bushati dhe Sterkaj
Bushati dhe Sterkaj

Anëtarët e PS-së, kryetarët e organizatave, por edhe pjesa intelektuale e PS-së i janë drejtuar të deleguarit Bushati se është e pafalshme që edhe pas dy vjet qeverisjeje të së majtës, në punë qëndrojnë ende demokratët.

Një tjetër çështje që ka nxitur debatin në këtë takim ishte dhe ajo e zgjedhjeve që nuk janë zhvilluar në këtë degë socialiste. Burime nga mbledhja pohuan se kryetarë të organizatave socialiste kërkuan që kryetari i PS-së në Shkodër të votohet nga vetë ata dhe jo të vendosë qendra duke i komanduar. Nuk ka shpëtuar nga kritikat deputeti Namik Kopliku, por edhe deputetët e tjerë.

Disa prej kryetarëve të organizatave janë shprehur duke thënë se “nuk kemi pse kërkojmë vota për PS-në kur ju deputetët nuk interesoheni për ne sepse ka organizata që nuk kanë asnjë të punësuar dhe kjo për ta nuk është aspak normale”.

Gjatë diskutimeve, deputeti Namik Kopliku akuzën më të rëndë ka marrë kur dikush nga salla i është drejtuar duke i thënë se: “ti i bën mbledhjet sa në një klub në një tjetër, i bën me grupime dhe si ke qejf”. Kjo e ka nxehur jo pak deputetin e Shkodrës, i cili është kundërpërgjigjur duke mohuar këto akuza. Pas mbledhjes, i deleguari Ditmir Bushati deklaroi për mediat se debatet ishin konstruktive.

Deputeti i PS-së, Namik Kopliku, pranoi debatet, por po ashtu i quajti konstruktive, ndërsa kërkoi që vetë deputetët bashkë me të të mbajnë përgjegjësitë.

Tha se nuk ka përçarje mes PS-së dhe LSI-së, ndërsa votat e të majtëve për kandidaturat e PD-së në Këshillin e Qarkut Shkodër i quajti një papërgjegjshmëri politike dhe individuale të secilit, ndërsa mohoi se gjatë mbledhjes së PS-së është diskutuar për marrëdhëniet me LSI-në.
SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura