Skandali diplomatik “Xhamajka”, motivim për Serbinë që të vazhdojë fushatën për të tërhequr mbrapsht njohjet e Kosovës

| 17:08
SHPËRNDAJE

Javën që e lamë pas të gjithë si në pushtet e opozitë iu gëzuan “njohjes” nga shteti i Xhamajkës, por ky gëzim zgjati më pak se 24 orë, pasi që lajmi për njohje u demantua nga udhëheqësit e këtij shteti.

kosova-jamaica-780x439

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ishte i pari që publikoi në Twitter se Xhamajka e njohu Pavarësinë e Kosovës. Në atë postim, Thaçi shkroi se për njohjen e Kosovës nga Xhamajka u njoftua nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

 

Publikimi i lajmit nga presidenti nxiti reagimin e autoriteteve xhamajkane.

Xhamajka demantoi njohjen e Kosovës, përmes ministres së Punëve të Jashtme, Kamina Johnson Smith. Ministrja Smith reagoi në Twitter, duke thënë se Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.

E ky skandal diplomatik i shkaktuar shkaku i mos akordimit të misioneve diplomatike në këtë rast Ambasadës së Kosovës në SHBA dhe institucioneve në vend, siç duket do t’i sjell probleme Kosovës.

Leonora Kryeziu nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), ka thënë për Telegrafin se ky skandal diplomatik me njohjen nga Xhamajka do t’i japë një shtysë të re Serbisë në fushatën e saj për çnjohje.

“Mendoj se një njohje e re do të ndihmonte në hapjen e një horizonti të ri, ndërkaq skandali me Xhamajkën do të mund t’i japë një shtysë të re Serbisë në fushatën e saj për çnjohje. Mospranimi i Kosovës në UNESCO në 2015 i dha një motivim të madh Serbisë për angazhim diplomatik dhe ngjarja me Xhamajkën mund të prodhojë efekt të ngjashëm”, u shpreh Kryeziu.

Ajo shtoi se Kosova tash e disa vite ka pasur vështirësi në fitimin e njohjeve të reja dypalëshe, madje ka pasur tërheqje të njohjeve, dhe se këtë problematik e kanë trajtuar edhe në raportin e PIPS.

“Skandali me Xhamajkën ka ardhur në një moment kur Kosova po kalonte një periudhë edhe ashtu të vështirë si pasojë e disa shkaktarëve të brendshëm dhe të jashtëm”, tha Kryeziu.

Kryeziu tutje theksoi se sipas të gjitha gjasave Kosova dhe Xhamajka ishin në një nivel të negociatave, bisedimet ishin në drejtim të njohjes, por jo deri në pikën sa të bëheshin publike njëanshëm.

“Komunikimi diplomatik mes shteteve duhet të zhvillohet me mirëbesim të plotë. Në çastin që informacionet e bisedave rrjedhin nga institucionet kosovare në publik, atëherë shtetet kanë arsye të dyshojnë në profesionalizmin e diplomacisë kosovare dhe të hezitojnë të përparojnë komunikimin.

Situata e krijuar është goditje për ambiciet diplomatike të Kosovës dhe gjithashtu mund të kontribojë në dobësimin e legjitimitetit dhe respektit për Kosovën”, tha Kryeziu, duke shtuar se respekti në arenën ndërkombëtare do muaj e vite të ndërtohet, por shumë pak ngjarje të rrënohet.

Drejtoresha e PIPS, shtoi se kjo ngjarje duhet të jetë thirrje e një rienergjizimi dhe reformimi të plotë të diplomacisë kosovare.

Se te kush duhet drejtuar gishtin për këtë skandal, Leonora Kryeziu thekson se ndonjëherë drejtimi i gishtit tek fajtorët potencial më shumë shkakton mjegull, se sa e ndihmon situatën.

“Në këtë rast besoj se është e udhës të nënvizohet se publikimi i lajmeve për të gjitha aspektet diplomatike duhet të kalojë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. MPJ është institucioni përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, prandaj duhet të ketë hapësirën e nevojshme për veprim diplomatik, pa ndërhyrje nga institucionet tjera kosovare”, tha Kryeziu.

Ajo shtoi se nëse kjo qasje do të ishte ndjekur, e gjithë kjo situatë do të ishte evituar dhe pozicioni ndërkombëtar i Kosovës do të ishte në gjendje më të mirë.

“PIPS edhe në të shkuarën ka nënvizuar telashet me moskoordinimin institucional mes MPJ dhe institucioneve tjera, prandaj edhe skandali me Xhamajkën ngushtë i lidhur me këtë”, theksoi Kryeziu.

Nga kjo pati akuza e reagime nga me të ndryshmet. Madje u kërkua edhe shkarkimi i ambasadores Çitaku. E pas tërë kësaj zhurme, u lajmërua Vlora Çitaku.

Çitaku theksoi se për çështjen e Xhamajkës, ka shumë palë të përfshira dhe për këtë është përmbajtur deri me tani.

“Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje. Çdo gjë do të sqarohet me kohë”, deklaroi ambasadorja.

Ndryshe, pas plasjes së këtij skandali, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka thënë se pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit. /Telegrafi/

 

 

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.