Skadon afati i akreditimit, nis rivlerësimi për Universitetin e Tiranës. Ekspertët britanikë “zbresin” nesër në Tiranë

Sep 9, 2018 | 15:00
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Në përfundim të afatit të akreditimit të universitetit publik më të madh në vend, atë të Tiranës, ekspertët britanikë do të “zbresin” të hënën në UT për të parë nëse këta të fundit i kanë përmbushur detyrat, që iu kishin lënë përpara një viti. Universiteti i Tiranës ka përgatitur në kohë bazën materiale si dhe vlerësimin e brendshëm të cilësisë dhe pret verdiktin final të ekspertëve të huaj, që do të bëjnë rivlerësimin e jashtëm të cilësisë, në nivel institucional. Puna për të plotësuar mangësitë e evidentuara nga britanikët e QAA (Quality Assurance Agency) ka nisur menjëherë pas publikimit të raportit paraprak.

fakulteti

Në dhjetor të 2017-s, UT ka aplikuar për riakreditim të universitetit, ndërsa që në fillim të vitit janë ngritur katër grupe pune për plotësimin e katër objektivave madhore: hartimin e manualit të sigurimit të brendshëm të cilësisë, kërkimin shkencor, studimin e tregut të punës në nivel institucional si dhe planin strategjik për zhvillimin e përgjithshëm të universitetit. Në muajin korrik, UT ka dorëzuar vlerësimin e brendshëm bashkë me dokumentacionin përkatës, ndërsa brenda këtij muaji, universiteti do të ketë në dorë një draftraport të vlerësimit të jashtëm nga britanikët. Sakaq, deri në marrjen e vlerësimit të dytë, bordi i akreditimit, nëpërmjet një vendimi të veçantë, e ka konsideruar Universitetin e Tiranës të akredituar.

RAPORTI

Shtatorin e vitit të kaluar, agjencia britanike që kreu vlerësimin e universiteteve të vendit, e renditi universitetin më të kërkuar nga maturantët për të ndjekur studimet e larta në fund të listës, duke i dhënë vetëm një vit akreditim. Më konkretisht, arsyet që e bënë universitetin më të vjetër të vlerësohet me notën më të ulët ishin: programet e vjetra mësimore, mungesa e statutit dhe mobilitetit në lëvizshmërinë e studentëve, mosaksesi në biblioteka dhe burime të pamjaftueshme për kërkimin shkencor. Menjëherë pas raportit, u shpërfaqën edhe problemet e brendshme midis rektorit aktual, Mynyr Koni dhe paraardhësit të tij në detyrë, sot dekan i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule. Ndërsa ekspertët brenda UT-së, në prononcimet e tyre për mediat, nuk e kanë pranuar asnjëherë dështimin. Sot, një vit më pas, UT pretendon se i ka përmbushur të gjitha pikat e mësipërme e madje është gati për nisur vlerësimin e programeve të studimit. Pikëpyetjet në procesin e akreditimit duket se nuk kanë ndikuar aspak në përzgjedhjen e këtij universiteti nga të rinjtë. Njësoj si vitet e kaluara, degët e UT-së ishin në top listën e më të kërkuarave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura