Sindroma e tunelit të kyçit të dorës, si trajtohet

Sep 8, 2014 | 15:07
SHPËRNDAJE

Shpesh mund të kemi dëgjuar nënat tona apo kemi ndjerë vetë në trupin tonë, sikur gishtërinjtë e dorës na janë mpirë, diçka na shpon dorën si me gjilpëra dhe dora apo krahu na dhemb. Shpesh, sindroma të tilla i ngatërrojmë me sëmundjet reumatizmale dhe themi se janë shenja artriti apo probleme të kockave, apo në ndonjë rast edhe të qarkullimit të gjakut. Në fakt, problemi i vërtetë është diçka që njihet si “Sindroma e tunelit të kyçit të dorës”.

Cilat janë simptomat e sindromës së tunelit të kyçit të dorës?
Sindroma e tunelit të kyçit të dorës është një gjendje që shkakton dhembje, mpirje dhe ndjesi sikur të shpojnë me gjilpëra në duar dhe gishtërinj. Zakonisht, këto ndjesi zhvillohen gradualisht dhe fillojnë të keqësohen gjatë natës. Tendenca është të preken gishti i madh, gishti tregues, gishti i mesit dhe gjysma e gishtit të unazës.
Të tjera simptoma të kësaj sindrome përfshijnë:
Ndjesi shpimi në gjymtyrë që më pas kalon në mpirje, pra një gjendje e asaj që njihet si paraestezia. Paraestezia është një ndjesi sikur të shpojnë gjilpërat, ndjesi gudulisjeje apo djegieje të lëkurës së një personi pa asnjë efekt afatgjatë të dukshëm fizik.
Pafuqi të gishtit të madh.
Dhimbje e shurdhër në dorë ose krah.

Por çfarë e shkakton sindromën e tunelit të kyçit të dorës?
Sindroma e tunelit të kyçit të dorës shkaktohet nga shtypja e nervit që kontrollon ndjesinë dhe lëvizjen në duar, që njihet si nervi i mesit apo median.
Tuneli i kyçit të dorës është një fragment i gjerë në kyçin tuaj, i përbërë nga kocka të vogla dhe një grup i ashpër indesh. Ai vepron si një rrotull për tendinat që përkulin gishtat.
Nuk është e njohur pse nervi median shtypet apo ngjishet në shumë raste, megjithatë është e sigurt se jeni më të rrezikuar të prekeni nga sindroma e tunelit të kyçit të dorës nëse:
Keni raste të mëparshme në familje me sindromën e tunelit të kyçit të dorës.
Nëse jeni shtatzënë – më shumë se 50% e grave shtatzëna pësojnë dëmtime në kyçe nga kjo sindromë.
Nëse keni probleme të tjera shëndetësore, si diabeti apo artriti reumatoid, nëse “i mundoni” shumë duart tuaja duke bërë punë specifike me dorë.

Trajtimi i sindromës së tunelit të kyçit të dorës
Në disa raste kjo sindromë zhduket pa trajtim ose thjesht me disa masa vetëmbrojtëse që zvogëlojnë simptomat. Zakonisht, te gratë shtatzëna, sindroma shpesh përmirësohet brenda tre muajve pasi foshnja lind. Megjithatë, në disa gra, simptomat mund të vazhdojnë për më shumë se një vit dhe kërkojnë trajtim.
Trajtimet jo kirurgjikale, si allçitë në kyçe dhe injeksionet kortikosteroide (me bazë hormonale), janë përdorur për të trajtuar simptomat, të lehta a të moderuara.
Por, në disa raste të rënda të kësaj sindrome, zakonisht kërkohet operacioni për të pakësuar presionin e nervit median. Operacioni qetëson simptomat përkohësisht, por mund të dojë kohë të shërohet. Në varësi të asaj se cila dorë është prekur dhe me cilën dorë punon, zakonisht ju mund të jeni në gjendje t’i ktheheni punës brenda pak javëve nga operacioni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura