“Si u mbyll pas pleniumit IV festivali i zërave të rinj”

Jan 24, 2016 | 14:40
SHPËRNDAJE

Protagonist për shumë vite i muzikës së lehtë, me një karrierë të admirueshme, si një ndër këngëtarët e rinj premtues në ato vite, Kujtim Kamberi ka qenë pjesëmarrës në disa festivale me këngët e njohura “Gëzimin mbaj në zemër” të J. Mingës, apo në duetin me A. Cekën në festivalin e 1977-s.

 

Kujtim Kamberi duke folur per Panorama
Kujtim Kamberi duke folur per Panorama

Ka qenë 18 vjeç kur ka filluar të këndojë në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”, më pas në Estradën e Tiranës, përkrah artistëve të njohur të kohës.

Çfarë ishte Festivali i Zërave të Rinj?

Festivali i Zërave të Rinj organizohej në çdo fundvit dhe, me sa kujtoj, regjisor ka qenë Astrit Sojli, një artist shumë i talentuar që vinte pas një suksesi të madh me “Variete ‘63″ me Estradën e Beratit. Ka qenë nëntor i vitit 1972 dhe la mbresa, pasi ishte para Festivalit të 11–të.

Një i tillë ishte zhvilluar edhe një vit më parë. Këngëtarët seleksionoheshin nga një komision i përzgjedhur, që merrte ata më të dalluarit nëpër ndërmarrje, Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”, apo evenimente të ndryshme amatore muzikore, që zhvilloheshin gjatë vitit. Kishte edhe komplekse si ai i djemve të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Prezantuesit ishin Rajmonda Beli dhe Koço Devole dhe vijohej me këngëtarët njëri pas tjetrit. Vetëm një natë ishte. Muharrem Herri, Adriana Ceka aty kanë kënduar.

Kujtim Kamberi ne festival
Kujtim Kamberi ne festival

Ku zhvillohej?

Në hollin e katit të parë, të mbushur plot me njerëz, me një skenografi në formë amfiteatri, këngëtarët zbrisnin lart nga shkallët, një imitim i spektakleve muzikore të famshme italiane të viteve ‘70, si “Teatro 10” etj. Vallëzimi “Alba” hapte programin e Festivalit të zërave të rinj. Futja ishte vetëm me ftesa, ndonëse kishte shumë kërkesa, aq sa thuheshin edhe xhamat. Vetëm aty u lejua ta merrje mikrofonin me dorë, të lëvizje e të kërceje në skenë. Kam qenë i ftuar bashkë me Alida Hiskun dhe kam kënduar këngën “Molla e artë”.

Si këndohej?

Këngëtarët këndonin “live”, duke u shoqëruar nga disa formacione muzikore si ai i Pallatit të Madh të Kulturës, ai i “Ali Kelmendit” apo i Estradës, me Alqi Karecon e Robert Radojën drejtues muzike, Muharrem Dauti (Xheku) në bateri, Tonin Shalën, Ed Xhanin kitaristë etj. Organizohej vetëm për Tiranë dhe nuk kishte fitues.

Ekzekutoheshin këngë të njohura e të afirmuara të kompozuara nga V. Kotani, J. Minga, A. Lalo. A. Peçi, E. Shëngjergji, F. Shehu, G. Mullahi etj. Çmim merrte zëri, këngëtari, dhe jo kënga. Një ndër fituesit ka qenë këngëtari Bujar Mema. Edhe shtypi i kushtonte vëmendje dhe i bënte jehonë këtij aktiviteti artistik.

Pse nuk vazhdoi ajo traditë?

Në shkurtin e vitit 1973 u zhvillua Plenumi IV, isha në Korçë, në Festivalin e Estradave Profesioniste. Erdhi zv.ministri i Kulturës, mbajti një fjalim me kritika ndaj veprimtarisë kulturore në Shqipëri, duke iu referuar Festivalit të 11-të. Nga ky moment gjithçka ndaloi, pati një frenim dhe hezitim në çdo segment të jetës, që vazhdoi për shumë vite.

Kjo edhe në art, ku mjaft krijues ndaluan, duke u kufizuar në krijimtarinë e tyre. Festivali i 12-të u zhvillua krejtësisht me norma kufizimi, në të cilin nuk mora pjesë, pastaj në të 13-in kam kënduar “Gëzimin e mbaj në zemër”. Janë vitet kur fillojnë të organizohen Dekadat e famshme të majit. Ka tjetër strategji dhe Festival i Zërave të Rinj nuk zhvillohet më.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura