Si u ekzekutua vëllai i Talo Çelës/ Në makinën e atentatit 4 “policë”, qëlluan me breshëri vetëm 3. Prej kohësh, viktima…

Sep 18, 2020 | 12:35
SHPËRNDAJE

Një tjetër vrasje mafioze ka tronditur qytetin e Elbasanit mëngjesin e djeshëm, ndërsa viktimë ka mbetur shtetasi Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, i shpallur në kërkim për vrasje dhe grabitjen e Rinasit.Bujar Cela-viktima-Tao Cela

Babai i tri vajzave, 62 vjeç, është qëlluar me mbi 10 plumba nga tre persona, të cilët sipas dëshmitarëve mbanin veshur uniforma policie.

62-vjeçari Çela mësohet se sapo kishte dalë nga shtëpia e tij dhe ishte ulur në një lokal në fshatin Bradashesh, ku po konsumonte kafenë e mëngjesit.

Dyshimet e para të Policisë janë se Bujar Çela mund të jetë vrarë për hakmarrje ndaj vëllait të tij, që është në kërkim për vepra të rënda penale. Kjo pistë është ngritur thonë burimet, pasi 62-vjeçari nuk njihet si një njeri problematik në zonë apo të jetë përfshirë në ngjarje kriminale, përveçse punonte si taksist në të zezë.

NGJARJA

Rreth orës 05:45 të mëngjesit të djeshëm, Bujar Çela ka dalë nga mjeti i tij, të cilin e përdorte si taksi dhe është ulur në lokalin e zakonshëm, ku edhe konsumonte kafen e mëngjesit.

Lokali ku ka ndodhur ngjarja ndodhet përballë terminalit të autobusëve, ku 62-vjeçari priste çdo ditë pasagjerë për t’i transportuar në banesat e tyre, profesion të cilin e kryente pa licencë. Si çdo mëngjes, ai ka hyrë në verandën e lokalit, por në atë moment një breshëri plumbash janë lëshuar drejt tij nga persona ende të paidentifikuar.

Çela është shtrirë në tokë nga goditjet e plumbave, të cilat kanë dëmtuar edhe xhamat e lokalit dhe një pjesë të derës. Ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes, ndërsa autorët janë larguar prej aty me një makinë tip “Renault”. Burimet nga Policia bënë të ditur se në mjetin me të cilin u krye vrasja dyshohet se ishin katër persona, por vetëm tre prej tyre kanë zbritur prej tij. Autorët kanë qenë të maskuar dhe të kamufluar me veshje Policie.

DJEGIA E MAKINËS

Rreth 20 minuta pasi u ekzekutua 62-vjeçari Bujar Çela, pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, Policia e Elbasanit është lajmëruar se në fshatin Murrash po digjet një mjet. Policia, bashkë me FNSH-në dhe RENEA-n, është drejtuar drejt zonës së lajmëruar ku edhe kanë identifikuar një mjet tip “Renault” me targë AA 876 DC, i cili thuajse ishte djegur plotësisht. Ekspertë të krimit, prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore kanë shkuar në vendin e ngjarjes, nga ku edhe ekzaminuan me imtësi çdo detaj që mund të ndodhej në mjet, me qëllim identifikimin e ndonjë gjurme të autorëve. Mjeti ka rezultuar i vjedhur dhe se targat e tij ishin fakse.

VRASJA E MIRORGANIZUAR

Vrasja e ndodhur mëngjesin e së enjtes, sipas Policisë ka qenë e mirorganizuar nga autorët. Dyshohet se viktima është ruajtur nga personat, të cilët kanë kryer krimin. Sipas banorëve të zonës ku edhe banon 62-vjeçari, ky i fundit dilte çdo mëngjes thuajse në të njëjtin orar dhe pasi parkonte mjetin shumë pranë lokalit ku u vra, ai ulej dhe pinte kafen e mëngjesit teksa priste edhe pasagjerët që vinin nga Greqia.

Hetimet janë përqendruar te hakmarrja për të vëllanë e viktimës, i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes, Policia me urdhër të Prokurorisë ka bërë të mundur sekuestrimin e sistemit të kamerave të të gjithë zonës, pasi në këtë aks ndodhen shumë lokale. Gjithashtu ka shoqëruar më shumë se 15 persona, të cilët kanë qenë dëshmitarë në momentin kur ndodhi krimi.

KUSH ËSHTË BUJAR ÇELA

Sipas banorëve të fshatit ku viktima ka shumë vite që jeton, ai është një njeri mjaft i mirë, i respektuar dhe shumë punëtor. Babai i tri vajzave, Bujari ka qenë gjithnjë larg problemeve të shkaktuara nga vëllai i tij, Talo Çela. Madje, sipas fqinjëve të tij, Bujari kishte kohë që nuk kishte asnjë kontakt dhe nuk fliste me vëllanë e tij, vetëm se ky i fundit ishte përfshirë në vepra kriminale nga vjedhja deri te vrasja. Edhe pse ai kishte kohë që jetonte i qetë dhe pa probleme, asnjëherë nuk kishte shfaqur shenja frike se dikush mund të hakmerrej ndaj tij për shkak të vëllait, por që fatkeqësisht ndodhi e kundërta.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura