Si u arrestua Klement Balili në vitin 2006, bashkë me tre policë

Jan 17, 2019 | 15:49
SHPËRNDAJE

Sot Klement Balili perballet me 4 akuzat ne Gjykaten e Krimeve te Renda, dy dite pas dorezimit te tij ne polici. Por si u arrestua ai vite me pare?

Klement Balili

Pikerisht më 16 korrik të vitit 2006, Policia bllokoi gjatë rrugës për në Greqi 750 kg kanabis sativa, duke arrestuar 4 persona, tre ishin punonjës Policie dhe tjetri ishte Klement Balili, në atë kohë biznesmen, i njohur si një nga pronarët e një kompleksi turistik në Butrint.

Arrestimi i krye në rrugën Muzinë – Delvinë, rreth orës 14:00. Operacionin e kishte nisur Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në atë kohë, pasi ishin të përfshirë edhe 3 punonjësit e Policisë.

Përveç sasisë së konsiderueshme të drogës që u kap, Balili dhe të tjerët u akuzuan në atë kohë edhe për trafikimin e disa ngarkesave të tjera me mjete lundruese në drejtim të Korfuzit.

Veprimtaria e tyre dyshohej të kishte filluar që prej vitit 2005. Balili, që atëherë ishte 34 vjeç, dyshohej si një nga organizatorët e nisjes me skaf të sasive të ndryshme të drogës drejt Greqisë.

Nga hetimet që u kryen nga Prokuroria e Krimeve të Renda dhe SHKB, dyshohej se këta persona kishin 3 vjet që merreshin me trafikimin e lëndëve narkotike. Më 20 korrik 2006, biznesmeni Klement Balili, gjatë seancës së masës së sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ofroi garanci pasurore kundrejt lirisë së tij.

Megjithatë, garancia nuk u pranua nga Gjykata, që vendosi ta lërë në burg, bashkë me 3 policët. Gjatë seancës, Balili dhe dy nga policët nuk e pranuan akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, të ngritur nga Prokuroria.

Ata pretenduan se nuk kishin dijeni për sasinë prej 750 kg kanabis që u gjet në furgonin, me të cilin po udhëtonin drejt Greqisë. Klement Balili, duke kërkuar lirinë në sallën e gjyqit, vendosi një garanci pasurore në vlerën që do të caktonte Gjykata. Duke mohuar akuzat, ai pretendonte në atë kohë se nuk kishte asnjë lidhje me 3 policët që ishin arrestuar dhe as me sasinë e drogës së kapur në furgon.

Prokurori i çështjes, duke i kërkuar Gjykatës që të deklaronte të ligjshëm arrestimin e 4 të dyshuarve, shprehej se: “Në momentin e arrestimit, këtyre personave u është sekuestruar një furgon me targa gjermane, brenda të cilit ishin fshehur 26 çanta të mbushura me 750 pako një kilogramëshe kanabis sativa, gjysmë i gatshëm, i presuar dhe i ambalazhuar”. Në fund, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masat “arrest me burg” për të katër të arrestuarit.

PANORAMA

 

balili-seance-gjyq klement-balili-gjyq balili ne gjyq klement balili ne gjyq1 balili ne gjyq2 Klement-Balili-Polici-Komisariati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura