Si përfitohet shtesa e pensionit me ligjin e ri

May 20, 2015 | 9:55
SHPËRNDAJE

Me ligjin e ri, të gjithë ata që janë në prag të pensionit, mund të rrisin të ardhurat e tyre deri në 0.5 për qind në muaj, në rast se vazhdojnë të punojnë. Ndryshimi është bërë në nenin 33 të ligjit të ri, pasi sipas ligjit të vjetër shtesa ishte vetëm 0.3% në muaj.

Pensioniste duke marre pensionin

Shkak për këtë rritje ka qenë interesi i qeverisë për rritjen e numrit të kontribuuesve. Pasi të gjithë ata që vazhdojnë të punojnë, duhet të derdhin kontribute dhe të mos marrin pension gjatë kësaj kohe. Pra, në arkën e shtetit përfitohen të ardhura si kontribute dhe pakësohen shpenzime, si pension. Nga ana tjetër, rritja e kohës së punës ul kohën e pensionit. Sa më shumë kohë të punosh, aq më pak kohë merr pension, për një jetëgjatësi normale. Për të marrë pensionin shtesë, duhet që të vazhdosh punën edhe pasi mbush moshën e pensionit.

Mosha e pensionit është 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç e dy muaj për gratë. Në rast se një burri, kur mbush moshën 65 vjeç, pensioni i llogaritet 25 mijë lekë në muaj, dhe ai vazhdon të punojë edhe një muaj më shumë, atëherë ai do të marrë shtesë pensioni 0.5% të kësaj shume. Pra, pas një muaji, ose 65 vjeç e një muaj, pensioni i tij nuk do të jetë 25 mijë lekë, por 25125 lekë. Në rast se vazhdon të punojë edhe një vit, pra nuk del në pension në moshën 65 vjeç, por 66 vjeç, atëherë shtesa do të jetë 6 për qind, dhe pensioni do të bëhet 26500 lekë/muaj. Në adresën e ISSH ka shumë pyetje lidhur me këtë përfitim, që parashikon ligji i ri.

Gazeta po boton përgjigjet zyrtare të ISSH për rastet kur një pensionist vazhdon punë dhe kushtet për të përfituar shtesën.

Meqenëse jam në prag të pensionit, kam mbi 35 vjet punë, a lejohet të vazhdoj punë duke paguar sigurime shoqërore, duke marrë njëkohësisht edhe pensionin që më llogaritet sot?

Përgjigjja e ISSH: Në zbatim të VKM nr. 551, datë 08.11.1993 “Për lejimin e pagës së pensionit të pleqërisë, për pensionistët e punësuar, ose të vetëpunësuar në sektorin privat”, lejohet pagesa e pensionit mujor të pleqërisë për pensionistët, që pas daljes në pension punësohen ose vetëpunësohen në sektorin privat, me kusht që të derdhni kontributin e sigurimeve shoqërore, çdo muaj, konform legjislacionit në fuqi. Periudha që përfitoni pensionin dhe jeni i punësuar si më lart, nuk njihet si vjetërsi pune.

Nëse vazhdoj të punoj mbi 65 vjeç duke paguar sigurime shoqërore, pa marrë pensionin, a më sigurohet një pension më i lartë për vitet mbi 65 vjeç? Si llogaritet ky?

Përgjigjja e ISSH: Ju sqarojmë se në zbatim të paragrafit të parë, të nenit 33, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me ligjin nr. 104/ 2014, datë 31.07.2014 “I siguruari që ka plotësuar kushtet për pension pleqërie të plotë, sipas nenit 31 e 92 të këtij ligji, merr shtesë në masën 0.5% të pensionit të plotë, për çdo muaj që vazhdon të punojë dhe që paguan kontribute”, ju do të përfitoni një shtesë pensioni. 
NERTILA MAHO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura