“Si kurrë më parë në histori”/ Dëshmi dhe dënime, java e vështirë e Presidentit Trump

Nov 17, 2019 | 11:29
SHPËRNDAJE

Kjo javë ka përfshirë disa nga sfidat më të vështira personale për Presidentin Donald Trump në trevjeçarin e parë të mandatit të tij, në kohën kur është vendosur në qendër të një hetimi për shkarkimin.

trump

Të premten në mbrëmje u mbyll një fazë e hetimit për shkarkimin e Presidentit të SHBA-ve me transmetime publike, për t’u rikthyer në seancat e tjera me dyer të mbyllura, ku kreu i Komitetit Hetues në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff, tha se do të ketë të thirrur për të dëshmuar shumë njerëz të tjerë, që u zbulua se kanë lidhje me këtë hetim, por nuk do të bëhen publikë.

Përveç dëshmive të para të ish-diplomatëve, ku u tha se Presidenti ishte më i fokusuar në interesat personale sesa Ukrainën, gjatë ditës së premte, një ish-ambasadore amerikane tregoi se si reputacioni i saj ishte copëtuar dhe ajo u tërhoq nga detyra nga bashkëpunëtorët e Presidentit Trump pas një karriere 30- vjeçare. “Ukrainasit që preferojnë të luajnë me rregullat e vjetra korruptive, kërkuan të më hiqnin”, tha ish-e dërguara amerikane në Ukrainë, Maria Yovanovitch, në seancat e hetimit të shkarkimit të Presidentit në Dhomën e Përfaqësuesve. Dëshmia u ndërpre nga një mesazh sulmi në “Twitter” nga Presidenti Trump, që e acaroi dukshëm ankthin e saj. Demokratët e kanë quajtur si “frikësim të dëshmitares” mesazhin e Presidentit.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë ka mohuar se mesazhi mund të ketë pasur tone frikësuese. “Është e drejta ime të flas”, ka thënë Trump me stafin e tij, që ka shkruar se mesazhi i Presidentit kishte lidhje me rezymenë e ish-ambasadores. Trump kishte shkruar në mesazh se kudo ku ka punuar Yovanovitch gjërat kanë shkuar keq dhe se është e drejta e tij të shkarkojë një ambasador. Ndërsa Marie Yovanovitch fliste, Roger Stone u bë bashkëpunëtori i fundit i Trump që dënohet nga gjykata. Ai u gjet fajtor se ka gënjyer Kongresin në favor të Presidentit për ta mbrojtur atë nga skandali i bashkëpunimit me Rusinë. Reagimi i Trump ishte i menjëhershëm.

“Pra, tani ata do të dënojnë Roger Stone se ka gënjyer dhe duan ta burgosin për shumë vite. Mirë pra, po të pandershmit Hillary, Comey, Strzok, Page, Mçabe, Brennan, Clapper, tinëzari Schiff, Ohr dhe Nellie, Steele dhe gjithë të tjerët, përfshirë edhe vetë Mueller? A nuk gënjyen ata?….Një standard i dyfishtë, siç nuk është parë kurrë në historinë e vendit”, reagoi Presidenti i SHBA-ve. E gjithë kjo erdhi gjatë një jave, në të cilën Presidenti Trump bëri një apel të ri në Gjykatën Supreme për të mbrojtur deklaratat e tij tatimore nga shqyrtimi publik. Dhe të premten në mbrëmje, gjërat morën një kthesë tjetër të keqe për Trump. Ndihmësi diplomatik, David Holmes, dëshmoi se ai e kishte dëgjuar Trump në një telefonatë të pyeste ambasadorin e SHBA-ve në Bashkimin Europian, Gordon Sondland, nëse ukrainasit do të hapnin hetimet që ai i kishte kërkuar ndaj ish-nënpresidentit Joe Biden dhe një teori konspirative për zgjedhjet e vitit 2016. Sipas CNN-së, Sondland i tha Trump në thirrjen në korrik se Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelensky, ishte i gatshëm të bënte “gjithçka që ju kërkoni prej tij”, sipas një transkriptimi të një deklarate hapëse të dorëzuar nga Holmes në një seancë me dyer të mbyllura të hetimit të shkarkimit të Presidentit. Zbulimi sugjeron që Trump ishte i përfshirë ngushtë në skemën për të bërë presion ndaj ukrainasve.

HETIME FEDERALE NDAJ RUDY GIULIANIT

Prokurorët federalë kanë hapur një hetim ndaj Rudy Giulianit, avokatit personal të Presidentit Donald Trump, sipas rrjetit televiziv “Bloomberg”. Hetimi ka lidhje me shkelje të mundshme të ligjit për financimin e fushatave elektorale, si dhe faktin që Giuliani nuk u regjistrua si një agjent i huaj. Rudy Giuliani, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, është personazh kryesor në hetimet për shkarkimin e Presidentit Trump. Mimi Rocah, ish-prokurore federale në Prokurorinë e Distriktit Jugor të Nju Jorkut, tha për “Bloomberg” se “Është e qartë që Giuliani është i zhytur thellë në gjëra të errëta”.

ROGER STONE FAJTOR, GËNJEU KONGRESIN PËR TRUMP

Roger Stone, një mik dhe aleat i hershëm i Presidentit Donald Trump, është shpallur të premten fajtor nga Gjykata Federale në Uashington, nën akuzat se gënjeu ligjvënësit amerikanë për çështjen e “WikiLeaks”, përpunoi dëshmitarët dhe pengoi një proces hetimor të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Gjatë gjyqit u zbulua se si bashkëpunëtorët e fushatës elektorale të Trump dëshironin të merrnin informacion për e-mailet e vjedhura, që dëmtonin kandidaten Hillary Clinton, të publikuara nga faqja në internet “WikiLeaks”. Stone gënjeu përpara Kongresit për shkëmbimet e tij me “WikiLeaks”

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura