Shtypi i paraçlirimit, Biblioteka Kombëtare dixhitalizon “LEKA”-n

Nov 25, 2015 | 13:59
SHPËRNDAJE

Një nga revistat më të rëndësishme të paraçlirimit, një trashëgimi e vyer e shtypit kulturor shqiptar, tashmë është e mundshme të shfletohet nga të gjithë.

Së fundmi, ajo është bërë pjesë e bibliotekës dixhitale nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Bëhet fjalë për revistën “LEKA” (1929-1944), organ i shoqatës kulturore-fetare jezuite, me të njëjtin emër.

revistaleka

Koleksioni i plotë dixhital u promovua dje në Panairin “Klik Ekspo Klik” që, sipas mundësuesve të tij, është “pjesë e qenësishme e një prej sfidave më të rëndësishme të Bibliotekës Kombëtare, “Aftësimit në informacion”, si formë e re komunikimi me publikun e gjerë dhe si një qasje në informacion”.

Përveçse ofron një pasuri të jashtëzakonshme me karakter letrar, historik, edukues, “LEKA” është edhe një dëshmi e zhvillimit të shtypit të kohës, edhe pse ishte organ i klerit katolik.

REVISTA

U quajt L.E.K.A, si akronim i Lidhjes, t’Edukatës, të Kulturës e t’Argëtimit. “LEKA, emri i shoqatës, qi na kujton të madhin Mret prej Nanës Shqyptare”. Që në numrin e saj të parë (1929), revista, e cila shtypej në Shtypshkronjën “Zoja e Papërlyeme”, Shkodër, premton se do të përmbajë “edukatë, histori, folklor, kronikë”.

“…Atdheu lypë shumë prej nesh, kërkon ndihmat t’ona intelektuare e morale, në mëndyrë qi me i vue për rrugë të nji zhvillimit themeluer e të qindrueshëm çashtjet e mëdha qi i gjenden gjak atdheut”, shkruan redaksia në numrin e saj të parë, duke bërë me dije edhe qëllimin e daljes së kësaj reviste. Anëtarët e këshillit drejtues të kësaj reviste, edhe pse të gjithë në raso të zeza, nuk i ndanin çështjet e Zotit dhe Kishës nga punët e atdheut.

“Na intelektuar per tash nji herë le të vehena me punue per rindreqimin komtar, pa bjerrë kohë nder idhnime e ankime të kota, pse kta nuk e ndrojnë aspak gjendjen. Të punojmë me sa fuqi të kemi për me njiti ndiesin e atdheut deri n’at shkallë në të cillen kan mrrijtë tjerët”, thonë ata, duke iu drejtuar “Breznis qi asht kah rritet”.

Në revistë shkruanin kryesisht anëtarët e shoqatës, në krye të së cilës ishin Gjon Çoba, kryetar, nënkryetar Shan Koliqi, këshilltarë: Zef Haxhija, Cin Sereggi, Teofik Bekteshi. Por në fund të çdo numri, drejtuesit e revistës u bënin thirrje të gjithë intelektualëve të kontribuonin me shkrime në faqet e saj.

Në faqet e “LEKA”-s nuk gjejmë të trajtuar çështje të fesë, por më shumë që lidhen me folklorin, gjuhën, letërsinë e historinë. Në faqet e saj zunë vend rubrika si Folklore, Gojëdhana, Bestytni, Posta e jonë, Frazeologji, Histori etj.

I kushtojnë një hapësirë të veçantë të parëve të letrave të shkruara shqipe, si Budi e Bogdani, dhe vërenin me vë- mendje gjithë zhvillimet në lëmë të gjuhës. Edhe në lëmë të letërsisë, ajo tenton të jetë konkurruese me simotrën françeskane, “Hylli i Dritës”, por krahas botimeve të krijimeve letrare të Mjedës, Sirdanit, botohen edhe vepra të At Gjergj Fishtës, i cili asokohe ishte drejtues i “Hyllit të Dritës”.

Po aty botuan edhe Hil Mosi e Petro Marko, gjejmë veprat e klasikëve të mëdhenj, si “Eneidën” e Virgjilit, përkthyer nga Henrik Lacaj, “Komedinë hyjnore” të Alighierit, përkthyer nga Kristo Floqi etj. Gjithashtu, u bë pjesë e debatit për letërsinë, që kishte përfshirë gjithë revistat dhe gazetat e viteve ’30-’40. Shkruan Ernest Koliqi, Zef Valentini, Kolë dhe Gjon Kamsi etj.

Ndërsa të gjitha revistat dhe gazetat e kohës, kryesisht me karakter kulturor, përpiqeshin të krijonin një profil të veçantë, “LEKA” i dha shumë rëndësi trashëgimisë shpirtërore shqiptare, folklorit, por edhe dokumenteve historike.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura