Shtretërit tanë të përbashkët

Apr 16, 2015 | 11:36
SHPËRNDAJE


Disa prej atyre (femrave pra) që na lexuan javën e kaluar, në shkrimin kushtuar jetës së dyfishtë të meshkujve të martuar, reaguan. Jo për të na thënë se ç’ishin këto që, demek bënin bashkëshortët e tyre, jo. I kishin idetë e qarta, vetëm se vijimin e historisë, nuk e kishin si ajo e vajzës për të cilën ju treguam se u nda nga bashkëshorti, pasi mësoi për tradhëtitë e tij me meshkuj (historia e së cilës ishte e vërtetë e Tiranës). Ajo, kompromisin e parë e kishte bërë, kishte pranuar të martohej me të, sado që, nuk se i ishin përndezur qelizat nga dashuria, por, siç ju thamë, kishte ndjekur logjikën e orës biologjike. Mirëpo, pikërisht përmes reagimeve të mëpasshme, mësuam që ka edhe ndryshe… Qenkëshin ca femra të tjera që nuk kanë pasur asnjë mëdyshje kur e kanë takuar, vite të shkuara, atë që zgjodhën ta quanin gjysma tjetër. Madje, kanë bërë armiq tërë dynjanë për t’a pasur. Sepse ai ishte i vetmi, i ndrituri. Mirëpo të tëra përvojat tregojnë se të gjitha ndjenjat dikur ‘të enjtura’, vijnë e normalizohen. Fitojnë përmasa të njerëzishme, në rastin më të mirë. Ndërsa, kur fati të përbuz, thatohen aq sa të mbahen pas një cungu. Me përvojën dhe vitet në kokë, pikërisht në këtë fazë të shuar të zjarrit, aktivizohet kompromisi. Ka prej tyre që nuk u tingëllon ndonjë çudi e madhe pse asaj gjysmës për të cilën nuk fiknin dritën e komodinës pa e patur në shtrat, i bën vaki ndonjë natë që, të bisedojë shtruar e shtrirë me mikun e tij (të mirë ose kjo, ky nuk është kusht). Mundet që në ndihmë të një bisede edhe më intensive, ajo të kërkojë të jetë e pranishme edhe vetë, të thërrasë edhe ndonjë shoqe, e kështu me rradhë. Si e si, biseda të jetë intensive e kuptimplotë! Domosdo që në mëngjes, o mëngjesin tjetër, çfarë lajmi mund të të duket me interes rreth fushës?! E që të dalim të qëllimi i vazhdimit të këtij shkrimi, të sipërpërmendurat, e dijnë. Ndofta, edhe e mbështesin (apo shtyjnë)! Në këmbim të kësaj, kanë edhe ato lirinë e tyre. Andej, rreth të 20-ave, kur nuk e ndanin zemrën nga stomaku prej djalit që takuan, kanë lënë plot gjëra pa bërë. Por, ç’gra do të ishin nëse nuk e plotësonin veten, ç’rëndësi ka koha e mosha për të bërë gjërat që do?! Kështu, të ndihmuara edhe nga devijimet pranverore të neruroneve a nga moskonsumimi i duhur i lakrave të egëra (!), rinisin fantazitë, aty ku i kanë lënë. Infektimi, është aleati më i mirë i kësaj manie. Ta zemë që, nëse ky shkrim synon të godas fenomenin, dikush mundet t’a interpretojë që është pikërisht ai, i prapambeturi. Turret të vrapojë e të gjejë anëtarët e ‘klubeve’ ku zhvillohen të tilla pasione. Për t’ia arritur, në Tiranë, i ka të gjitha mundësitë. Mjaft të ketë intuitën për t’a shpënë në gjurmët e duhura. Nuk dijmë se cilat do të jenë dukuritë që do të shoqërojnë më tej, konceptin e një mendjeje të hapur! Çfarë do të bëjnë këta njerëz më pas me veten?! Po fëmijët e tyre!? E mundshme është që shqisat të jenë mpirë; të mos ketë fare zyrtarizime lidhjesh, për më tepër ligjore. Sidoqoftë, planetet fqinjë, ja ku janë…

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura