Shqiponjat në Kalkutën e Nënë Terezës

Oct 24, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Kur e kane pyetur Nënën Terezë se cilit komb e ndiente se i përkiste, ajo është përgjigjur: “Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht zemrës së Jezuit”.

kalkute 5 (2)
Kjo shprehje e famshme e misionares, që nesër, më 19 tetor, bën 12 vjet bekim nga Vatikani, është bërë kauzë e shumë njerëzve në botë, një ndër ta shqiptarit nga Tirana, Fatos Mehmeti. Ai nuk ka as organizatë, as shoqatë dhe as ndonjë nga ato “shpikjet” për të mbledhur njëherë para nga të tjerët e pastaj për t’i dhuruar aty ku (s’)është nevoja… Fatosi ka formulën e tij për bamirësi: I hipën avionit dhe shkon vetë në qytetet më të varfra të botës, duke bërë jo vetëm donacione nga të ardhurat personale, por edhe duke u shërbyer sikur t’i kishte pjesëtarë të familjes.

kalkute fatos 1 (1)
P.sh. i lan fëmijët, i ushqen me dorën e tij, i shoqëron në shkollë, i mëson, i edukon, apo luan me ta në kohën e lirë. Udhëtimi i tij i fundit ka qenë në Kalkutë, nga ku na vijnë ekskluzivisht disa fotografi nga vendet ku ka shkelur Nënë Tereza dhe ku banorët bëjnë simbolin e shqiponjës me duar, në nder të bamirëses së madhe dhe gjithë shqiptarëve. Për hir të së vërtetës, pavarësisht se Nënë Tereza (dhe jo vetëm ajo) është përpjekur me dekada për të zhdukur varfërinë në Kalkutë, këto fotografi që po botojmë sot tregojnë se gjendja është mjaft e rëndë.

“Çdo ditë ecja shumë kilometra në këmbë, derisa arrija te qendra me fëmijë, ku kisha marrë leje për të shërbyer. Shtëpi të rrënuara, rrugët ishin të mbushura me mbeturina pirg, me ujë të ndenjur, ku epidemia më kërcënonte jo vetëm mua, por çdo njeri që kalonte. Anash rrugëve, njerëzit e uritur flinin gjysmëlakuriq në pritje të lëmoshës. Kalkuta është një vend që ka nevojë emergjente për ndihmë ekonomike dhe shpirtërore. Edhe pse humanizmi në botë sot identifikohet me bijën shqiptare, nobelisten Nënë Tereza, unë u ndjeva keq që në Kalkutën e saj isha shqiptari i vetëm që gjendesha atje për të dhënë sadopak ndihmë”, thotë Fatos Mehmeti, i cili ka një rrjet hotelerie biznesi në Gjermani.

Pas një muaj qëndrimi humanitar në Kalkutë, ai ka sjellë dhuratën e tij nga India, që janë “shqiponjat në Kalkutën e Nënë Terezës”. Bëhet fjalë për fotografi të fëmijëve që u ka shërbyer, të cilët përshëndesin shqiptarët me duar, duke bërë simbolin kombëtar, shqiponjën.

Dy fotot e rralla të Nënë Terezës, fëmijë dhe 18 vjeçe
Kur themi Nënë Tereza, vetvetiu na vjen në mendje fytyra e saj fisnike, por e moshuar dhe e mbushur plot rrudha. Gjithkund qarkullon i njëjti portret i saj, që ka të bëjë me vitet e fundit të jetës si misionare, ndërsa fotografitë nga rinia janë shumë të rralla, siç është ajo e vitit 1930.

nene tereza 18 vjec
Në këtë shkrepje shekullore, Nënë Tereza shfaqet me fytyrë engjëllore, plot shkëlqim (edhe pse është foto bardhezi) dhe me buzëqeshje perfekte. Në këtë foto, ajo ka qenë vetëm 18 vjeç, por ndërkohë e kishte zgjedhur rrugën e saj në ndihmë të njerëzimit. Qarkullon edhe një foto e Nënë Terezës kur ishte ende fëmijë dhe quhej Gonxhe Bojaxhiu, siç mund ta shihni në foton bashkëngjitur.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura