“Shqipërinë s’e shpëtojnë HEC-et e vogla, të ndërtohet Skavica me planin origjinal”

Oct 22, 2017 | 11:28
SHPËRNDAJE

Flet inxhinieri Kristo Goga: Këto lloj investimesh kaq të liberalizuara mbi pasurinë kombëtare janë një shpërdorim i madh në kurriz të shqiptarëve. Përgjithësisht këto hidrocentrale shumë rrallë janë të leverdishëm. Kemi vënë re se nuk kemi asnjë rast që të anulohet ndonjë koncesion, se nga studimi, hidrocentrali ka dalë dëmtues i natyrës…

skavica

Ndërtimi i hidrocentraleve të vogla nuk e zgjidh problemin e energjisë në Shqipëri. Për Kristo Gogën, inxhinier, pedagog dhe anëtar në Këshillin Kombëtar të Digave të Mëdha, ajo që duhet të shihet me prioritet është zbatimi i projektit fillestar duke shtuar në kaskadën e Drinit edhe hidrocentralin e Skavicës. Goga shton se hidrocentralet deri në 2 MW në raste të rralla mund të rezultojnë të leverdishëm.

Shqipëria është angazhuar prej më shumë se një dekadë në ndërtimin e hidrocentraleve duke i parë si garanci për rritjen e sigurisë energjetike, por deri më sot zemra energjetike e vendit mbetet kaskada e Drinit? A jemi në rrugën e duhur me rritjen e vazhdueshme të numrit të hidrocentraleve në vend në këndvështrimin tuaj?

Moda e hidrocentraleve tek ne nisi që në mandatin e parë të kryeministrit Sali Berisha. Filloi si me koncesione të pakërkuara dhe shumë shpejt u kthye në të kërkuara. Në atë kohë nuk kishte kërkesë aq të madhe sa të bëhej masiv ndërtimi i hidrocentraleve. Kjo u lakua si domosdoshmëri dhe t’ju hapej punë bizneseve në këtë drejtim, por pa asnjë studim.

Këtu është edhe çelësi i kësaj. Nga e kaluara, para vitit 1990 kishim projekte e studime për të gjithë trungjet e lumenjve dhe të një pjese të përrenjve. Çuditërisht nuk u përfill asnjë studim nga shteti që u vendos pas vitit 1990. Dhe kjo u bë për të kënaqur ca biznesmenë që të ndërtonin atje ku donin dhe jo atje ku duhej.

Kur filloi kjo modë, specialistët e fushës kërkuan që të bëhej studimi i plotë i lumenjve dhe përrenjve në të gjithë Shqipërinë, duke e parë shfrytëzimin e ujërave në kompleks dhe nga shoshitja të krijohej kadastra hidroenergjetike dhe e shfrytëzimit kompleks të ujërave në të gjithë Shqipërinë. Nuk mund të thuhet se hidrocentralet e vogla si dhe ata që po ndërtohen në lumin Fan apo Devoll zgjidhin gjithçka. Ata vetëm se ndihmojnë. Për të pasur garanci në prodhimin e energjisë elektrike duhet plotësuar kaskada e Drinit.

Me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës,- po ama të Skavicës sipas projektit fillestar, e jo të zëvendësohet me variante të tjera, me dy apo më shumë hidrocentrale-, kaskada e Drinit do të prodhojë më shumë energji elektrike si pasojë e rregullimit të plotë në liqenin e Skavicës. Gjithashtu hidrocentralet e Drinit nuk do të paguajnë më dëmet që bëhet nga shkarkimet e sforcuara.

Sipas studimeve dhe projekteve të kryera para vitit 1990, lumi Vjosa në jug ka potenciale të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike. Tani nuk lejojnë të ndërtohet se nuk duan ekologjistët dhe Europa. Atëherë Europa dhe ekologjistët të na japin falas energjinë elektrike që do të prodhohej nga këto hidrocentrale si dhe të garantonin mospërmbytjen e tokave fushore dhe ujitjen e tyre.

Ndërtimi i kaq shumë hidrocentraleve të vogla, pa një studim përmbledhës, është me pasoja të mëdha negative, si në shfrytëzimin dhe shkatërrimin e mjedisit. Dikur në një artikull për modën e hidrocentraleve që po ndërtohen tek ne, kam dhënë mendimin se duhej ndërprerë dhënia e koncesioneve, të pezullohen ata që e kanë marrë por që nuk kanë filluar punë ose janë deri në 60% të punimeve dhe të gjithë këta dhe të tjerë që mund të bëhen, të selektohen nga një grup specialistësh me integritet profesional e moral të padiskutuar, duke krijuar kadastrën hidroenergjetike të Shqipërisë.

Nga kjo shoshitje dhe studim-projektim me siguri që shumica e këtyre hidrocentraleve nuk do ta justifikojnë veten. Të kemi parasysh se çmimi i shitjes së energjisë është klientelist sipas politikës. Gjithmonë çmimi i investimit për prodhimin e energjisë është shumë më i lartë se ai i blerjes që e vë shteti në mënyrë artificiale të lartë për t’i nxjerrë gjoja të leverdishëm. Po kush paguan për këtë? Populli.

Së fundmi pati një shpallje koncesioni dhe më pas edhe fituesi për një hidrocentral me vlerë 100 milionë dollar mbi Lumin Shalë që është degë furnizuese edhe në kaskadën e Drinit. A mendoni që kjo mund të përbëjë problem në të ardhmen për kaskadën apo ky aspekt rregullohet me kontratën që nënshkruhet?

Edhe kjo është e çuditshme. Dikur këtë e kanë marrë të tjerë dhe tani na dalin emra të tjerë. U tha se është Park Kombëtar, ose siç thonë është zonë e mbrojtur. Hidrocentralet në lumin e Shalës nuk i bëjnë ndonjë efekt dëmtues hidrocentralit të Komanit. Uji atje derdhet pa u zvogëluar prurjet e tij.

Ka një rritje të kërkesave nga ana e bizneseve të ndryshme për të ndërtuar hidrocentrale deri në 2 MW në shumë pellgje ujëmbledhës në vend, kryesisht të vogla. Mendoni që janë produktive këto hidrocentrale. Domethënë kompania që i ndërton e nxjerr investimin e saj apo jo? Për sa kohë? Po në raportin mbrojtje e mjedisit dhe fitim ekonomik, cila duhet të mbizotërojë?

Dalja e modelit për hidrocentrale deri në 2 MW tregon dështimin e idesë së ndërtimit të hidrocentraleve të vogla. Me këtë model minohet struktura e mëparshme, që detyrohej që koncesioni të merrej për të tërë kaskadën e një lumi apo përroi. Me atë model koncesioni merrej, por dilnin të tjera pengesa më vonë. Subjektet nuk kishin fuqi investuese reale.

Pikërisht ky kontingjent shpiku marrjen e hidrocentraleve me fuqi deri 2 MW dhe këtë kompetencë për ta dhënë ta ketë ministri. Kjo bën që hidrocentralet për përroin apo lumin të copëtohen dhe bëhen aq sa duan ky kontingjent investitorësh. Këto lloj investimesh kaq të liberalizuara mbi pasurinë kombëtare janë një shpërdorim i madh në kurriz të shqiptarëve. Përgjithësisht këto hidrocentrale shumë rrallë janë të leverdishëm. Për sa i përket mjedisit mund të them se jam kundër ndërtimit pa një filtër të fortë.

Gjithashtu kemi vënë re se nuk kemi asnjë rast që të anulohet ndonjë koncesion, se nga studimi, hidrocentrali ka dalë dëmtues i natyrës. Të mos harrojmë se ambientalistët i bëjnë studimet e ndikimit në mjedis. Nuk ka fitim ekonomik pa respektuar mjedisin. Investimi për mjedisin dhe mirëmbajtja e tij është një barrë e rëndë në investimin për hidrocentralet.

Këshilli Kombëtar i Digave të Mëdha është institucioni kyç që ka edhe ekspertizën mbi sektorin në vend. A mendoni se i është dhënë rëndësia që meriton ky këshill dhe a është marrë ekspertiza e tyre për bazë lidhur me zhvillimin dhe ndërtimin e hidrocentraleve të mëdha në vend?

Këshilli Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM) nuk ka për detyrë të merret me hidrocentralet, por merret me digat e larta që janë në përbërje të veprave hidroenergjetike, të ujitjes, të furnizimit me ujë, të mbrojtjes nga përmbytjet, të dambave për mbajtjen e sterileve që dalin nga fabrikat e pasurimit të mineraleve të ndryshme etj., të kësaj natyre.

KKDM i ka kërkuar qeverisë më shumë kompetenca edhe në drejtim të urave të rrugëve kombëtare, sepse janë vërejtur gabime të rënda si në urën e Bunës të re që mbyt Shkodrën, rruga harku i Bërdicës – ura e Bahçallëkut, ura e Mifolit e autostradës Levan-Vlorë etj. KKDM i ka propozuar qeverisë që, për të mbuluar problemet e ujërave në vendin tonë, të rikrijohet Instituti Kombëtar i Ujërave.

Cilat janë çështjet më emergjente të Shqipërisë në aspektin energjetik sipas jush dhe që kërkojnë zgjidhje?

Energjetika në Shqipëri ka shumë probleme, me gjithë përmirësimet cilësore që janë bërë katërvjeçarin e fundit. Problemet erdhën nga një çoroditje e madhe e administrimit të shtetit pas vitit 1990. Sipas mendimit tim duhet që të vazhdojnë investimet në transmetimin e energjisë dhe në administrimin e saj deri te konsumatori më i vogël. Problem mbetet ndërtimi i burimeve të reja të fuqishme, siç është hidrocentrali i Skavicës (në Skavicë) dhe ata në Vjosë. Për sa i përket hidrocentraleve të vogla, duhet bërë veprimi sipas mendimit të dhënë më sipër.

Kaskada e Drinit funksionon në bazë të një rregulloreje, a mendoni që duhet të rishikohet ajo në funksion edhe të përshtatjes me kushtet klimatike?

Kaskada e Drinit ka një rregullore që, tani, për sa i përket kohës, mund ta quash të vjetër. Por zbatimi i rregullt i saj nuk do të sillte përmbytjet e mëdha në zonën e Shkodrës në vitin 2010. Koha kërkon një rregullore të re që t’i përgjigjet, si kushteve klimatike ashtu edhe teknikës së re të administrimit të hidrocentraleve në kaskadë. Me sa di, janë krijuar komisione për këtë gjë, por si duket politika e zbeh vëmendjen nga ky aspekt.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura