Shqipëria përmes filmash të ndaluar, shfaqet në Pompidou

Mar 11, 2016 | 15:06
SHPËRNDAJE

Shqipëria e djeshme dhe e sotme. Ajo që në kohërat kur nuk kishte shtet e më pas në vitet e utopisë komuniste. Shqipëria, përmes pamjesh filmike të ndaluara, përmes kamerave të operatorëve të njohur shqiptarë, ndonjë prej të cilëve do të vuante vite të tëra burgimi, vetëm për shkak të kinemasë.

Nga filmi "Shembja e idhujve", Kujtim Gjonaj, 1993
Nga filmi “Shembja e idhujve”, Kujtim Gjonaj, 1993

Shqipëria, ajo e viteve të izolimit, do të shfaqet në Qendrën Pompidou në Paris. “Cinema Du Reel”, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar që organizohet në 18-27 mars, i dedikon një program të veçantë kinemasë shqiptare, një retrospektivë të sjellë nëpërmjet dokumentarëve të fondit filmik të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Programi mbi kinemanë shqiptare, i titulluar “Një histori përmes imazheve: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në fokus”, është kuruar nga kritiku dhe studiuesi i kinemasë, Clarence Tsui, një nga programuesit e festivalit “Cinema Du Reel”. Kjo retrospektivë vjen përmes 16 filmash dokumentarë shqiptarë dhe 1 film artistik, të grupuar në 5 programe, të cilat paraqesin etapat kryesore të historisë së Shqipërisë treguar përmes kinemasë.

Nga filmi "Krah për krah", Endri Keko, Ho Y Shen, 1964
Nga filmi “Krah për krah”, Endri Keko, Ho Y Shen, 1964

Në njërin prej programeve shfaqet Shqipëria e periudhës së shtetformimit përcjellë përmes kamerës së Mandi Koçit me dokumentarin e parë prodhim krejtësisht shqiptar të vitit 1947, “Komandanti viziton Shqipërinë e mesme dhe të jugut”, Viktor Gjika, kinopoema dokumentareske e vitit 1964 mbi rindërtimin e vendit, një kombinim i kamerës së Gjikës dhe tekstit të Ismail Kadaresë, “Kur vjen nëntori”, Shkëlzen Shala me dokumentarin e tij të vitit 1974 mbi Tiranën e djeshme dhe të kohës, pra, të ’74-ës, “Kryeqyteti ynë”, si dhe Kujtim Gjonaj me thirrjen që i bën shoqërisë në vitin 1993 për të mos ngritur më mite, pasi kanë shembur idhujt e vjetër, “Shembja e idhujve”.

TË NDALUARIT

Zërat e censuruar të kinematografisë shqiptare do të shfaqen për publikun ndërkombëtar nëpërmjet kamerës së Viktor Stratobërdhës, me filmat e tij të shkurtër të viteve 1955-1956, të veçantë në llojin e vet, një pasqyrë e jetës reale të shoqërisë shqiptare të atyre viteve e që shprehin një kinema të çiltër e origjinale (“Urime shokë studentë”, 9 min., “Qeshim se nuk qajmë dot-Pse kështu?”).

Nga filmi "Para shfaqjes", Xhanfize Keko, 1972
Nga filmi “Para shfaqjes”, Xhanfize Keko, 1972

Pas xhirimit të këtyre etydeve të shkurtra, Stratobërdha i kaloi në burg 20 vitet e tjera të jetës së tij. Kamera e drejtuar nga Mithat Fagu do të na flasë për dhuruesit e gjakut, “Dhuruesit e jetës”. Fagu u dënua më vonë për realizimin e tij “Në gjurmë të revolucionit tekniko-shkencor”, film i cili nuk mori dot formën e tij përfundimtare, por në AQSHF ruhen elementet kryesore të kësaj vepre.

Dhimitër Anagnosti është pjesë e kësaj retrospektive me dy filma të ndaluar. Njëri prej tyre homazh për të rënët në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ndërsa tjetri me motive nga një ditë pushimi. Anagnosti vjen me premierën botërore të restaurimit të dokumentarit “Përjetësi”, një restaurim i realizuar nga AQSHF vitin e kaluar.

Ky dokumentar, një trajtim poetik dhe emocional i temës së të rënëve të luftës antifashiste, nuk është shfaqur për publikun e gjerë në Shqipëri, as në kohën e prodhimit të tij në vitin 1974, pasi është konsideruar të ketë një koncept regjisorial modern për kohën. Gjithashtu, pjesë e programit do të jetë edhe filmi tjetër “modern për kohën” i Anagnostit, “Motive nga dita e diel”, 1974, ku regjisori luan shumë me planet detaj dhe muzikën xhaz.

Nga filmi "Motive nga dita e diel", Dhimitër Anagnosti, 1973
Nga filmi “Motive nga dita e diel”, Dhimitër Anagnosti, 1973

Vendet e bukura turistike të Shqipërisë do të përcillen për publikun ndërkombëtar të “Cinema Du Reel” nëpërmjet dokumentarit të Mark Topallajt, “Shqipëria turistike”. Studentët e përzgjedhur nga Topallaj, vajzat më të bukura e djemtë më të pashëm të Tiranës na shoqërojnë në një udhëtim të mrekullueshëm nga Veriu në Jug të vendit e na njohin me historinë, traditat e peizazhet marramendëse.

Pikërisht fati i të rinjve protagonistë të filmit diktoi edhe fatin e filmit… disa prej tyre u internuan nga regjimi e kështu filmi u detyrua të priste në raftet e Arkivit për ta parë sërish dritën e projeksionit vetëm në vitet 2010.

“Ndërkombëtarët – Një tjetër perspektivë”, është një tjetër program, i cili shfaq Shqipërinë përmes syrit të kineastëve të huaj si dokumentari “Fahrtenbuch Albanien”, i realizuar në 1935 nga Walter Frentz, që njihet si fotograf i propagandës naziste, apo bashkëprodhimeve me rusët (“Shqipëria” 1945, Roman Karmen) dhe kinezët (“Krah për Krah”, Endri Keko, Ho Y Shen, 1964).

HISTORI SHQIPTARE

“Pasoja – Historia e risjellë” është programi i katërt, i cili tenton të ritregojë historinë e shqiptarëve, këtë herë përmes 2 dokumentarëve të kohëve të fundit, nga dy regjisorë të brezit të ri të kineastëve; “Superballkan”, Fatmir Koci, 1998, dhe “Pritja”, Roland Sejko, 2015. Këta dy filma janë të ndërtuar me materiale arkivore nga fondi filmik i AQSHF-së dhe tregojnë se si mund të përdoren materialet e vjetra për të rithënë historinë nga një këndvështrim tjetër.

“Loja e fëmijëve – Realiteti i Xhanfize Kekos” është programi i fundit i retrospektivës, dedikuar regjisores shqiptare. Studiuesve dhe kritikëve europianë të filmit po u bën përshtypje gjithnjë e më shumë puna dhe arti i një gruaje regjisore. Këtë herë sillet Xhanfize Keko me filmin artistik “Kur xhirohej një film” dhe dokumentarin e shkurtër “Para shfaqjes”, ku gjithnjë në fokus vendos botën e pafajshme të fëmijëve.

Në kuadër të retrospektivës së kinemasë shqiptare, do të mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët ku kineastë dhe arkivistë do të diskutojnë se si imazhet e lëvizshme i dhanë formë dhe ende sot pasqyrojnë narrativën e historisë dhe shoqërisë shqiptare, dhe se si këto imazhe duhet e mund të ruhen, restaurohen dhe të ripërdoren për të kuptuar të tashmen.

FILMAT

“Komandanti viziton Shqipërinë e mesme dhe të jugut”, Mandi Koçi, 1947 / 22 min

“Kur vjen nëntori”, Viktor Gjika, 1964 / 35 min

“Kryeqyteti ynë”, Shkëlzen Shala, 1976 / 22 min

“Shembja e idhujve”, Kujtim Gjonaj, 1993 / 18 min

“Urime shokë studentë!”, Viktor Stratobërdha, 1955 / 9 min

“Qeshim se nuk qajmë dot – pse kështu?”, Viktor Stratobërdha, 1956 / 4 min

“Dhuruesit e jetës”, Mithat Fagu, 1971 / 27 min

“Përjetësi”, Dhimitër Anagnosti, 1973 / 7 min

“Motive nga dita e diel”, Dhimitër Anagnosti, 1973 / 23 min

“Shqipëria turistike”, Mark Topallaj, 1974 / 25 min

“Fahrtenbuch Albanien”, 1935 / Gjermani / 13 min

“Shqipëria”, Roman Karmen, 1945 / 27 min

“Krah për krah”, Endri Keko, Ho Y Shen, 1964 / 54 min

“Superballkan”, Fatmir Koçi, 1998 / 41 min

“Pritja”, Roland Sejko, 2015 / 60 min

“Para shfaqjes”, Xhanfize Keko, 1972 / 19 min

“Kur po xhirohej një film”, Xhanfize Keko, 1981 / 61 min

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura