Shqipëria në emergjencë për krahun e majtë, trajnerët e Superiores “përkëdhelin” Panuçin

Nov 20, 2018 | 17:08
SHPËRNDAJE

Shqipëria është përballur në këtë periudhë jo vetëm me mungesë rezultatesh, por edhe me mosgrumbullimin e lojtarëve për arsye të ndryshme (Balliun nuk e lejoi Metz dhe Durmishaj nuk del dot nga Greqia për shkak të shërbimit ushtarak). Pak ditë më parë, Ermir Lenjani la grumbullimin për shkak të një dëmtimi në këmbë.

Dje është larguar dhe Egzon Binaku dhe ndaj Uellsit kuqezinjtë do të jenë në emergjencë për mbrojtës të majtë. Sidomos, në një situatë të tillë, një mbrojtës nga Superiorja mund të kishte një ftesë dhe për këtë “Panorama Sport” pyeti trajnerët respektivë të Lorenc Trashit, Leonit Abazit, i cili nuk ka luajtur në ndeshje zyrtare me Kosovën dhe Erion Hoxhallarit, si potencialë që mund të thirreshin me kuqezinjtë.

Lojtaret

Trajneri i Partizanit

Lidhur me këtë çështje dhe për mosgrumbullim të lojtarëve të Superiores, sidomos në një periudhë emergjente në përfaqësuese, ish-trajneri i U-21 dhe aktualisht trajneri i Partizanit, Skënder Gega, nuk ka pranuar të prononcohet.

Mema-Gega-Shehi

Trajneri i Skënderbeut

Deri një vit më parë ka qenë pjesë e Kombëtares dhe tanimë në rolin e trajnerit të Skënderbeut e di mirë se çfarë duhet që dikush të bëhet pjesë e saj. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, Orges Shehi komenton mungesën e një ftese për anësorë të majtë, konkretisht Abazi që ai drejton: “Në dijeninë time mund të them se Panuçi e ka vëmendjen nga ekipet e Superligës, pasi në këtë pozicion, pra të seleksionuesit të lojtarëve për Superligën është caktuar Ervin Bulku që e njeh mirë ambientin në Shqipëri. Sigurisht që nëse do të thirrej për këtë takim një mbrojtës i majtë, duke parë që është një test miqësor, do të ishte diçka e mirë për këdo që do të jepej kjo mundësi. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk është ndonjë lojtar që po bën diferencën për momentin në kampionatin tonë. Prandaj, edhe ne duhet të jemi më të përgjegjshëm, të punojmë më shumë për të marrë një ftesë nga trajneri i Kombëtares”, shprehet Shehi.

Trajneri i Tiranës

Sipas Ardian Memës, Hoxhallari është gati për Kombëtaren. Mirëpo, trajneri i bardhebluve nuk nxitohet në këtë aspekt dhe në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, i jep të drejtë Panuçit për të mos eksperimentuar për dy ditë. “Hoxhallari do të ishte një alternativë e mirë për Kombëtaren. Ai është mbrojtës tipik i krahut të majtë, paçka se unë e kam zhvendosur në qendër për nevoja të skuadrës.

Ai ka cilësi dhe është gati. Gjithsesi, mendoj se Panuçi ndoshta po sheh më shumë te lojtarët që aktivizohen jashtë apo mund të marrë edhe ndonjë nga Shpresat. Dhe në këtë pikë duhet të mirëkuptohet trajneri, pasi përtej kushteve të emergjencës, nuk mund të eksperimentosh për dy ditë. Është tjetër çështje pastaj, nëse emri i Hoxhallarit në rastin konkret mund të jetë i përfshirë në listën rezervë, që mund të jenë kontingjent për Kombëtaren”, tha Mema.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura