Shpërthimet në Marinzë, procedim penal “Bankers-it”, kompania nis pastrimin. 6 banesa të dëmtuara, 50 familje të evakuuara (FOTO)

Apr 2, 2015 | 10:26
SHPËRNDAJE

Pas shpërthimeve të dy puseve të naftës që tronditen dje zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, policia ka nisur ditën e djeshme procedim penal për firmën kanadeze “Bankers Petroleum” si shkaktare e shpërthimit të gazit në fshatin Marinzë, në afërsi të pusit P29. Ndërkohë mësohet se për të shmangur grabitjet apo kthimin e banorëve, banesat në zonën e prekur nga shpërthimet vijojnë të ruhen nga policia. 
[portfolio_slideshow] 

” Më datë 01.04.2015,filloi procedimi penal në ngarkim të  Kompanisë” Bankers Petroleum” sepse rreth orës 07:21 , në vendin e quajtur fshati Marinëz, konkretisht në afërsi të Pusit P29, ka shpërthyer një fontanë gazi e përzier me ujë dhe llum.

Nga komunikimet paraprake me banorë të zonës dhe nga verifikimi në vend rezulton se kishte çarje të sipërfaqes së tokës në disa vende me nxjerrje në formë fontane me përmasa të ndryshme. Këto fontana janë në afërsi rreth 200 metra nga pusi i shpimit të Kompanisë Bankers Petroleum, pus i cili ka nr.P29.
Duke qenë se kjo fontanë kishte përbërje gazi, në vende të ndryshme përreth fontanës kryesore kishte çlirime të tjera të cilat mund të shkaktonin çedim të terrenit dhe dëmtime të banesave përreth. pas komunikimit me drejtues të pushtetit lokal, u morën masa të menjëhershme për evakuimin e banorëve përreth zonës së mësipërme.

U evakuan fillimisht 50 familje si dhe u bë sigurimi i vendit duke mos lejuar futjen e personave të tjerë të paautorizuar në këtë territor përveç punonjësve të kompanisë Bankers Petroleum dhe forcave të emergjencës.
Më përfundimin e aktivitetit të fontanimit të pusit, rreth orës 13:00,  u kryen veprimet e para proceduriale. U bë kqyrja e banesave të dëmtuara nga llumi dhe uji i dalë nga fontana në banesat përreth ku u kqyrën 6 banesa pa dëmtime strukturore në konstruktin e tyre por duke patur dëmtime në sipërfaqet e tokës përreth tyre. Është kqyrur dhe një pjesë e rrugës së fshatit Marinëz, rrugë e paasfaltuar, e cila ka pësuar dëmtime në disa pjesë të saj.

Janë marrë deklarime personave që kanë dijeni për veprën penale, banorë të banesave të dëmtuara dhe banesave përreth.

Gjatë gjithë kohës janë mbajtur kontakte të vazhdueshme me pushtetin lokal, Specialistë të Emergjencave Civile në Prefekturën Fier si dhe specialist të Kompanisë Bankers për tu informuar në lidhje me situatën për eliminimin e fontanimit dhe shmangjen e pasojave të mëtejshme. Nga ana Kompanisë Bankers u ndërhy në pusin P29 duke kryer çimentimin e pusit, injektimin e lëndëve speciale për këto raste dhe rreth orës 19:15 na është konfirmuar se zona është e sigurtë por nga ana e forcave të policisë po mbahet një perimetër sigurie prej 500 m nga pusi P29. 

Gjatë kryerjes së veprimeve janë mbajtur kontakte dhe me specialist të A.K.B.N Tiranë (strukturë në Ministrinë e Energjitikës), të cilat kryen inspektimin në vend dhe aktualisht nuk kanë dalë në një konkluzion përfundimtar mbi shkakun e kësaj ngjarje. Deri në këto momente, nuk ka persona të dëmtuar apo banesa me dëme strukturore por është konstatuar vetëm dëm në të mbjella dhe strukturën e tokës përreth këtyre banesave që u përkasin shtetasve.S.Pipa,A.Karamani,  N. Shabani,S.Karamani, N. Suku, J.Prifti, G.Shahini,A.Profka dhe P. Konomi. Nenet 161 e 201 të K.P”, tha policia e Fierit në një deklaratë.

Korrespondetja e “Panorama Online” në Fier tha se specialistët e “Bankers” po punojnë për pastrimin e zonës nga mbetjet. Sakaq bëhet me dije se do të nisin llogaritjet e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet.

Ndërkohë kompania Bankers Petroleum përmes një deklarate për shtyp shpërndarë mbrëmë vonë thotë se ka vënë nën kontroll pusin që shkaktoi rrjedhjen e gazit në mëngjes në afërsi  të fshatit Marinëz dhe se tani nuk ka asnjë rrezik imediat në atë zonë. 

“Si masë paraprake Bankers ka vendosur që ta mbajë zonën e evakuuar rreth pusit në një rreze prej 200m me efekt të menjëhershëm.

Banorët e evakuuar më parë jashtë këtij perimetri prej 200 metrash mund të kthehen në shtëpitë e tyre, megjithatë nëse dëshirojnë mund të qëndrojnë  në mjediset e akomodimit të siguruara nga kompania Bankers deri në një njoftim tjetër.  
    
Bankers është duke bashkëpunuar me autoritetet vendore për të informuar dhe garantuar kushtet e nevojshme për ata banorë të cilët vazhdojnë të jenë të prekur nga ky evakuim dhe do të komunikojë përditësime të tjera kur të jënë të mundura nëpërmjet autoriteteve vendore dhe medias.

Inkurajojmë banorët të përdorin ujin nga stacionet e ngritura nga Bankers dhe autoritetet vendore deri në një njoftim të dytë”, thuhet në njoftimin e “Bankers”.

*** 

Prej mëngjesit të djeshëm banorët e Marinzës kanë braktisur shtëpitë, për shkak të ngjarjes që i përfshiu papritur. Në orën 06:00 të mëngjesit ndodhi shpërthimi i fontanës së parë me gaz e naftë në një prej puseve që ishin të ndaluar me ligj, e më pas shpërthimi u dëgjua dhe në pusin ngjitur.

Zhurma e shpërthimit dhe dalja me një presion të pakontrolluar i gazit e naftës bruto nga puset, të cilat janë rreth 500 metra larg banesave, ka përhapur frikë te banorët, të cilët janë mobilizuar të largohen brenda pak minutash. Të njohur me të tilla tragjedi, banorët u larguan nga rrezja e shpërthimit, e cila u përhap me shpejtësi të madhe, duke i rrezikuar seriozisht ata.

Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat zjarrfikëse e ato të ndërhyrjes së shpejtë, ndërsa uniformat blu të gjendur përballë emergjencës, ndaluan rreptësisht hyrjen në fshat. Më shumë se 200 efektivë të Policisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, bashkë me 10 specialistë rrethuan zonën, pasi bënë evakuimin e banorëve. Fillimisht vetë banorët kanë tentuar të bëjnë diçka për ta bllokuar rrjedhjen, por përmasat e shpërthimit ishin shumë të mëdha.

Ngushëllimi i banorëve është fakti se nuk ka viktima. Mësohet se shkak është bërë puna e kompanisë “Bankers Petrolium” një ditë më parë për të riaktivizuar një nga puset e fondit të ndalur.

Gazi dhe presioni i brendshëm ka bërë që ai të shpërthejë pas disa orësh, pikërisht mëngjesin e djeshëm. Dyshohet se nga presioni nëntokësor i njërit pus është infektuar edhe tjetri, i cili nuk është më shumë se 30 metra larg të parit.

Policia ka qëndruar në gatishmëri, pasi rrezikohej edhe një pus tjetër të shpërthente për shkak të reaksionit zinxhir nëntokësor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura