Shkrimtari kanoset me jetë, Agron Tufa: Më kërcënuan mua e familjen

Mar 13, 2017 | 8:07
SHPËRNDAJE

Pas mesazheve kërcënuese në rrjetin social “Facebook”, shkrimtari Agron Tufa kërcënohet me jetë edhe me mesazhe në celular. Burime nga Policia e Tiranës thanë se Tufa është paraqitur të shtunën për të bërë kallëzim para oficerëve të Seksionit të Krimeve ndaj Jetës, duke u shprehur se nëpërmjet mesazheve në telefon është kanosur për jetën e tij dhe të familjes, raporton “Panorama”. 

tufa

Menjëherë është regjistruar procedim penal me dy akuza, “kanosje” dhe “përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Më herët, ditën e premte, oficerët e Komisariatit nr.2 referuan me iniciativë materialet në Prokurori, për një shtetas të identifikuar me inicialet A.B., 54 vjeç, që dyshohej se ishte personi që kishte kanosur Tufën nëpërmjet rrjeteve sociale.

Ndaj këtij personi, edhe pse nuk dihet nëse është identiteti i tij i vërtetë apo jo, ka nisur tashmë një procedim penal dhe pritet shoqërimi i tij në polici. Burimet thanë se vetë shkrimtari ka pretenduar se mesazhet kërcënuese ndaj tij lidhen me nismën që ka ndërmarrë për ndalimin me ligj të filmave propagandistikë komunistë të regjimit të Enver Hoxhës.

Megjithatë, nga ana tjetër, oficerët po hetojnë edhe përfshirjen e tij në një debat të ashpër me shkrimtaren Diana Çuli, të cilën e akuzoi si përgjegjëse që çoi drejt pushkatimit shkrimtarin Genc Leka. Të njëjtat burime thanë se po punohet për identifikimin e numrit nga i cili i kanë ardhur mesazhet kërcënuese 50-vjeçarit Agron Tufa.

KERCENIMET

Ditën e premte, shkrimtari Agron Tufa denoncoi publikisht në profilin e tij në “Facebook” se në mbrëmje kishte marrë një kërcënim anonim, duke publikuar edhe mesazhin e plotë që kishte mbërritur në adresën e tij.

Në sqarimin e tij, Tufa shprehej se kërcënimi ishte për shkak të nismës që kishte ndërmarrë për ndalimin e filmave të regjimit komunist. “Mbrëmë (të enjten) mora një kërcënim anonim për shkak se me kolegun tim, Erald Kapri (i kërcënuar dhe ai), ndërmorëm një nismë, për të ndaluar me ligj filmat propagandistikë komunistë të regjimit të Enver Hoxhës, si lëndë toksike, radioaktive, e dëmshme për shëndetin moral publik.

kercenimi-tufes

Mbetjet e diktaturës dhe nostalgjikët e asaj idile kinematografike perverse, incestuoze, qenkan prekur në kockë. Në ‘News 24’ kisha sqaruar se: Jo përjashtimisht të gjithë filmat të ndalohen. Por të bëhet një listë e kujdesshme e filmave (të pakët) që nuk përçojnë propagandë komuniste, si dhe të gjithë filmat ‘e mbijetuar’ të paraprihen para transmetimit me një 5 minutësh hyrje, ku të shpjegohet se përse transmetohet aksh film (vlera artistike, regjisoriale, aktoriale, tematike etj.)”, sqaronte Tufa në “Facebook”.

Ndërsa bashkëngjitur këtij sqarimi kishte postuar edhe faksimilen e mesazhit kërcënuar që kishte mbërritur në adresën e tij. Por të nesërmen, pas këtij mesazhi në rrjetet sociale, kanë shkuar edhe mesazhe të tjera kërcënuese tashmë në telefonin e tij celular, nëpërmjet të cilave ai kanosej për jetën e tij dhe të familjes.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura