Shkolla sekrete brenda në xhami, pranga dy imamëve që rekrutuan 70 shqiptarë për në Siri

Mar 12, 2014 | 9:02
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia e SHISH katër muaj hetime për goditjen e grupit.

Arrestohen 2 imamë e 5 besimtarë

Të akuzuarit rekrutonin “ushtarë” shqiptarë për luftën në Siri.

“Imamët, thirrje për xhihad në Siri gjatë faljes të premteve”
Akuza: Hapën shkollë ilegale brenda xhamisë

Të arrestuarit dje nga policia
Persona te shpallur ne kerkim, qe jetojne ne Siri dhe Turqi
Shtatë persona, mes të cilëve edhe imamët e vetëshpallur të dy xhamive në periferi të Tiranës, u arrestuan dje me akuzën e nxitjes së akteve terroriste dhe financim të terrorizmit.  Arrestimet u kryen pas një hetimi 4-mujor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për një linjë të organizuar të rekrutimit të shtetasve shqiptarë që dërgoheshin në frontin e luftimeve në Siri. Në fund të aksionit janë shpallur në kërkim edhe 5 persona të tjerë, besimtarë myslimanë, që dyshohet se janë jashtë Shqipërisë, në Siri dhe në Turqi. Hetimi për arrestimin e këtij grupi të dyshuarish ka zgjatur disa muaj dhe është nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka vazhduar mbledhjen e provave në bashkëpunim me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Sektorin Kundër Akteve Terroriste në Policinë e Shtetit. Arrestimet janë kryer në një aksion të koordinuar, ku morën pjesë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në orët e para të mëngjesit, në Tiranë, Pogradec, Librazhd dhe Elbasan. Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, bëri me dije detajet e operacionit më të fundit, që u finalizua me arrestimin e shtatë personave, dy imamë xhamie të vetëshpallur dhe 5 besimtareve. Kreu i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, njoftoi emrat e personave të arrestuar dhe sendet që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjatë operacionit të finalizuar mëngjesin e djeshëm.

OPERACIONI

Eugen Beçi dhe artan Didi dje gjate deklarates pas operacionit
Aksioni për goditjen e grupit që rekrutonte besimtarë dhe bënte propagandë për të luftuar në Siri, filloi dje në orën 04:30 të mëngjesit. Efektivat e FNSH kryen ndërhyrje njëkohësisht në banesat e imamëve të dy xhamive në periferi të Tiranës, asaj të Unazës së Re dhe të Mëzezit. Edhe në banesat e 5 besimtarëve që u arrestuan e pesë të tjerëve që pas verifikimeve rezultuan të ishin jashtë vendit, në Turqi dhe në Siri. Policia ekzekutoi masat e sigurisë së Gjykatës për Krime të Rënda, të dhëna në mungesë për 7 persona, që u vunë në pranga dhe për 5 të tjerë, që u shpallën në kërkim. Imami i xhamisë së Unazës së Re, 35-vjeçari Genci Balla, u arrestua në banesën e tij në Librazhd, ndërsa njëkohësisht FNSH kreu kontrolle në xhaminë ku ai drejtonte faljet në Tiranë. Në banesën e tij në Yrshek, u arrestua imami i xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa, 43 vjeç, në banesën e të cilit u sekuestruan edhe disa prova materiale. Sipas Policisë, të dy imamët ishin vetëshpallur të tillë, pasi nuk njihen nga Komuniteti Mysliman. Në banesat e tyre u gjetën municione, automatikë, granata ofensive, lëndë eksplozive, radio policie, si dhe objekte kamuflazhi ushtarak, si dhe libra fetare, mes të cilëve edhe libri “Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë islame me fetë e tjera”.

Operacioni
TE ARRESTUAR
1. Genci Sami Balla, 35 vjeç, imam i xhamisë së Unazës së Re, organizator
2. Bujar Asllan Hysa, 43 vjeç, imam i xhamisë së Mëzezit, organizator
3. Edmond Shaban Balla, 25 vjeç, organizator i rekrutimeve për në Siri
4. Zeqir Isuf Imeri, 34 vjeç, organizator rekrutimesh dhe pjesëmarrës në luftimet në Siri
5. Verdi Dielli Morava, 48 vjeç, financues
6. Fadil Adem Muslimani, 53 vjeç, ndihmës
7. Astrit Hajdar Tola, 42 vjeç, ndihmës

NE KERKIM
1. Gerti Isuf Pashja, 30 vjeç, organizator
2. Shkëlzen Fari Dumani, 39 vjeç, organizator dhe financues
3. Shyqyri Maliq Kaca, 48 vjeç, organizator, financues dhe pjesëmarrës
4. Almir Xhevair Daci, 31 vjeç, imam i xhamisë së Leshnicës në Pogradec, i datëlindjes 01.08.1983, lindur e banues në Leshnicë, Pogradec, organizator, financues dhe pjesëmarrës
5. Medi Xhafer Manallari, 64 vjeç, financues dhe pjesëmarrës

SEKUESTRUAR
Në banesën e imamit Bujar Hysa
4 celularë
Disa karta memorie celulari dhe aparatesh fotografike
Kartë identiteti në gjuhën arabe
Kontrata depozitash bankare në emër të shtetasit Bujar Hysa dhe në emër të disa shtetasve të tjerë 
Libra fetarë, mes të cilëve libri “Asgjësimi i teorisë së  përzierjes së fesë islame me fetë e tjera”.
Tri njësi kompjuteri
Çantë ushtarake kamuflazhi
15 fishekë të kalibrave të ndryshëm
Në banesën e besimtarit Zeqir Imeri
8 celularë, 2 karta telefoni, Një granatë ofensive e pamontuar, Një automatik “Kallashnikov”, 4 krehra automatiku, 320 fishekë të kalibrit 7.62, lëndë eksplozive
një thikë, dy radio dhënëse-marrëse, një xhup kamuflazhi, një çantë sportive ku mbaheshin fishekët
Në banesën e besimtarit Astrit Tola
Një çifte, 12 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 11 CD, broshura fetare, fletore me shënime në gjuhën arabe
Një sasi kartash SIM dhe disa numra celularë
Një uniformë ushtarake

Akuzat për terrorizëm
Të gjithë personat e arrestuar akuzohen për veprat penale të “rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”, të “nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe të “nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”. Edmond Balla dhe Vervi Morava dyshohet se kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri. Fadil Muslimani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri.

“Të arrestuarit jo pjesë e Komunitetit Mysliman”
TIRANE – Komuniteti Mysliman i Shqipërisë reagoi dje në lidhje me arrestimin e dy imamëve të vetëshpallur, të cilët akuzohen nga prokuroria. “Nisur nga lajmet për arrestimin e disa personave të akuzuar për terrorizëm dhe përfshirjen në konfliktin e Sirisë, Komuniteti Mysliman bën me dije se personat në fjalë nuk janë punonjës të Komunitetit Mysliman. Komuniteti Mysliman e ka bërë të ditur edhe më parë qëndrimin e tij për mospërfshirjen e besimtarëve shqiptarë në konfliktin sirian”,- thuhet në deklaratën e KMSH-së. Ky institucion ka bërë me dije se pjesëmarrja në konflikte dhe nxitje dhune nuk përputhet me shpirtin e fesë islame. “Komuniteti Mysliman inkurajon një proces të drejtë ligjor. Pjesëmarrja në konflikte dhe nxitje dhune nuk përputhet me shpirtin e fesë islame”, thekson KMSH.

Hetuesi amerikan dha ndihmë për hetimet
Tirane – Një prokuror amerikan mësohet se ka dhënë ndihmesën e tij në hetimin e grupit të personave të arrestuar ditën e djeshme me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ky është rasti i parë që organet e Drejtësisë shqiptare zbulojnë dhe godasin një grup personash të tillë, që akuzohen se kanë kryer veprime konkrete në mbështetje të rekrutimit dhe financimit të personave që dërgoheshin direkt në frontin e luftës në Siri përmes Turqisë.

“Ushtarët” udhëtonin në Tiranë-Turqi-Siri
TIRANE – Të gjithë personat e dërguar në Siri nga grupi i akuzuar për nxitjen e qytetarëve në këtë rrugë, janë nisur nga Rinasi në drejtim të Turqisë. Sipas hetimeve, personat e rekrutuar dërgoheshin në Turqi me avion, ku besohet se mbaheshin për disa muaj duke u përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht, për t’u hedhur më pas në terrenin e luftimit në Siri. “Ushtarët” e rekrutuar, pasi fluturonin me avion nga Tirana, mësohet se dërgoheshin te bashkëpunëtorët e të arrestuarve në Turqi, ku strehoheshin dhe stërviteshin në përdorimin e armëve. Më pas, në rrugë tokësore, ata hidheshin në zonat e luftimit në Siri.

Rekrutimi i fëmijëve për në Siri
Të arrestuarit e ditës së djeshme akuzohen se kanë rekrutuar edhe fëmijë për t’i dërguar në luftën e Sirisë. Konkretisht, sipas hetimit, imami i Mëzezit, Bujar Hysa, dyshohet se ka kryer rolin indoktrinues të ideologjisë fetare ekstremiste me fëmijë të moshave të vogla, të cilët ndjekin shkollën fetare pranë xhamisë në Unazë të Re. Sipas të dhënave nga hetimi, mësohet se Bujar Hysa është mësues i lëndëve fetare për fëmijët.

Dy fëmijët e mitur, nga Tirana në Siri
Njëri nga personat e shpallur në kërkim, si pjesë e grupit të rekrutuesve të “ushtarëve” shqiptarë që dërgoheshin për të luftuar në Siri, është edhe Shkëlzen Dumani. Ky person akuzohet se në shkurt të këtij viti ka dërguar në frontin e luftës në Siri, pa dëshirën e nënës së tyre, të miturit Endri Dumani, 6 vjeç dhe motrën e të miturit, shtetasen Eva Dumani, 9 vjeçe.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura