Shkarkimi nga detyra, Fullani padit Kuvendin dhe Bankën e Shqipërisë

Feb 10, 2016 | 10:30
SHPËRNDAJE

Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipiërisë Ardian Fullani ka ngritur një padi për shkarkim të padrejtë nga detyra.

Ai ka paditur në gjykatën Administrative Kuvendin e Shqipërisë dhe Bankën e Shqipërisë. Teksa kërkon edhe pagën që pa pasur deri sa ka pasur mandatin si Guvernator.

Kjo lëvizje vjen vetëm pak kohë pasi Fullani, mbylli përfundimisht “hesapet” me drejtësinë në lidhje me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” me pasojë vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit.

Ish-guvernatori Fullani
Ish-guvernatori Fullani

Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë i datës 23 dhjetor 2015, që e shpalli atë të pafajshëm, nuk do të diskutohet më nga ndonjë trupë gjyqësore, për shkak se Prokuroria nuk ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Shqyrtimi në Apel i dosjes “Fullani” u zhvillua në një seancë të vetme, në përfundim të së cilës u vendos lënia e pandryshuar e vendimit të datës 12 tetor 2015 të Shkallës së Parë, që shpalli të pafajshëm ish-guvernatorin.

Në këtë seancë, përfaqësuesi i Prokurorisë kërkoi deklarimin e fajshëm të të pandehurit Fullani për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe dënimin e tij me 5 vjet heqje lirie.

ARGUMENTET E APELIT

Në vendimin e Apelit, të firmosur nga gjyqtarët Genti Shala, Shkëlqim Mustafa, Lefter Jahaj, Gjykata i vlerësonte si të pabazuara pretendimet e Prokurorisë ndaj ish-guvernatorit.

Të tillë Apeli çmonte pretendimin se mungesa e guvernatorit të dytë kishte sjellë boshllëqe në administrimin e Bankës së Shqipërisë, duke krijuar lehtësira për vjedhjen e shumës prej 713 milionë lekësh prej të bashkëpandehurit Ardian Bitraj. Më tej, Apeli arsyetonte se mospropozimi i disa nismave juridike nga ana e guvernatorit nuk mund të konsiderohej si moskryerje me dashje, apo mosveprim në kundërshtim me ligjin.

Apeli gjente të pabazuar dhe pretendimin e Akuzës për mosmarrje të masave për zbatim të rregulloreve dhe vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës.

“Gjykata vëren se fakti që nga ana e prokurorisë nuk është arritur të identifikohet se ku konsiston mosveprimi i të pandehurit Ardian Fullani, se cila është masa që duhet të ishte marrë prej tij dhe që nuk është marrë, nuk mund të përdoret kundër të pandehurit si provë dhe as si argument se i pandehuri nuk ka kryer detyrën në përputhje me ligjin”, vijonte Apeli.

Në lidhje me akuzat për abuzim në shitblerjen e ish-Hotel Dajtit, Apeli shprehej: “Gjykata e Apelit Tiranë çmon se nga shitblerja e pasurisë ish- Hotel Dajti, nuk i është shkaktuar asnjë dëm ekonomik shtetit apo të tjerëve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura